Shqipëria

Opozita në Shqipëri sërish bllokon Kuvendin

Gjatë fjalës së tij Edi Paloka akuzoi pozitën se po e përdorin prokurorinë si letër higjienike dhe se opozita do të vijojë të qëndrojë në këmbë deri në largimin e Edi Ramës

Opozita në Shqipëri sërish ka bllokuar foltoren e Kuvendit. Shkas është bërë pasi kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, nuk ia zgjati fjalën deputetit të PD-së, Edi Palokës. Pas kësaj deputetët e opozitës bllokuan foltoren, ndërsa Ruçi e mbylli seancën duke thënë se opozita le të qëndrojë duke folur përmes Facebook-ut.

Gjatë fjalës së tij Edi Paloka akuzoi pozitën se po e përdorin prokurorinë si letër higjienike dhe se opozita do të vijojë të qëndrojë në këmbë deri në largimin e Edi Ramës. E Sali Berisha e akuzon qeverinë për lidhjet me krimin, teksa thotë se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur drogën para Evropës.

Edhe pse deputetët nuk u larguan nga foltorja, Kuvendi vazhdoi punimet.  Madje në një moment deputetët demokratë njëzëri iu drejtuan kryeministrit Rama që largohet nga salla me thirrjet “ik, ik, ik…”.

E kreu i grupit parlamentar socialist tha për mediat se sot në Kuvend u miratuan ligje të rëndësishme. “Me gjithë përpjekjen e pakuptimtë të opozitës, pavarësisht fjalimeve patetike në sallën e Kuvendit, Kuvendi i Shqipërisë përmbushi të gjithë detyrimet për sa i përket funksionimit normal të tij si organi që miraton legjislacionin për të vijuar më tej puna e qeverisë për implementimin e tyre”, tha Balla.