Kosova
Opozita në Shkup reagon ndaj deklaratës së Kurtit për Ligjin për gjuhët
Opozita në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili të hënën, pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua në Prishtinë, tha se në Maqedoninë e Veriut “nuk ekziston ligj për përdorimin e gjuhës shqipe”.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, deklaratën e Kurtit e cilësuan si “të pavërtetë dhe të papranueshme”, duke i bërë thirrje që t’i “korrigjojë menjëherë deklaratat dhe të mos shërbejë si mburojë për përpjekje që cenojnë barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve”, shkruan rel.
“Është për keqardhje që një kryeministër i Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativët që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sugjerimet se disa nene të Ligjit edhe ashtu nuk janë zbatuar dhe se rishikimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i pranueshëm, u japin alibi përpjekjeve për ta dobësuar këtë legjislacion vital”, thuhet në komunikatën e BDI-së cila u publikua të martën.
Deklarata e Kurtit, nxiti reagimin edhe të Ziadin Selës, kryetarit të njërit prej fraksioneve të Aleancës për Shqiptarët, i cili e krahasoi atë me periudhën e fillimi të viteve ’80 të shekullit të kaluar.
“M’u rikthye kjo ndjesi e keqe e shumë viteve më parë pa asnjë ndryshim në formë dhe paraqitje! Shqip, u godit gjuha shqipe dhe përpjekja për barazi të saj me gjuhën maqedonase në Maqedoninë e Veriut. Uroj të jetë një lajthitje momenti…”, u shpreh të hënën mbrëma, Ziadin Sela.
Çfarë tha saktësisht Kurti?
“Në Maqedoni të Veriut nuk ka ligj për përdorim të gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston Ligji për përdorim të gjuhëve, që e përmend shifrën 20 për qind, por nuk është ligj për përdorim të gjuhë shqipe, është për përdorim të gjuhëve”, tha kryeministri Kurti duke shtuar se pret vendim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese, që nuk bën përjashtime dhe respekton shumëgjuhësinë.
Ndërsa, Mickoski tha se gjyqtarët e Kushtetueses i ka zgjedhur koalicioni paraprak.
“Ata gjyqtarë që aktualisht janë pjesë e Gjykatës sonë, janë zgjedhur nga BDI – LSDM. Nga i pari deri tek i fundit në Kushtetuese janë të zgjedhur nga koalicioni i tyre”, tha kreu i Qeverisë maqedonase Hristijan Mickoski në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Çka thotë Ligji për përdorimin e gjuhëve?
Neni 1 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili ka hyrë në fuqi më 2019, thotë se në tërë territorin në Republikën Maqedonisë (së Veriut) dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër, që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare si dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.
Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorge Ivanov, refuzoi dekretimin e tij, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, ligji u miratua me 69 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë, ndonëse gjatë debatit në kundërshtim të tij paraqiti mbi 30 mijë amendamente (35.563).
Si presidenti Ivanov, edhe opozita e cilësuan ligjin si antikushtetues. Lënda që lidhet me Ligjin për gjuhët përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019.
Këto iniciativa kontestojnë thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij. Tani, pas shtatë vjetësh, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e këtij ligji. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, ka thënë se nuk kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy – tri dispozita”.
Kreu i BDI-së, Ahmeti, më 27 tetor, u dërgoi edhe letër udhëheqësve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
Kur është fjala për shqetësimet dhe debatet lidhur me vendimin e pritshëm të Kushtetueses, në një takim të zhvilluar më 13 nëntor në Tiranë me kryetarin e Kuvendit maqedonas, Afrim Gashi, por edhe gjatë vizitës së saj në Shkup, më 23 tetor, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, porositi se “respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve, i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, nga koalicioni shqiptar Vlen, tha se gjuha shqipe nuk cenohet nga Qeveria dhe se të drejtat e qytetarëve nuk do të degradojnë, por do të avancohen.
“Ka pasur Ligj për përdorimin e gjuhëve, gjuhë që flasin mbi 20 për qind të qytetarëve në Maqedoni të Veriut, dhe e dyta, nuk cenohet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut”, tha Mexhiti pas takimit ndërqeveritar mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, kreu i BDI-së, gjatë një takimi në lokalitetin Butel të Shkupit të hënën, porositi të gjithë faktorët politikë brenda dhe jashtë shtetit se “Marrëveshja e Ohrit është arritur me gjakun e dëshmorëve, dhe është jetësuar me djemtë më të mirë të UÇK-së (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) që vazhduan idealin e tyre në BDI, andaj sa të jetë gjallë BDI-ja, në opozitë apo në pozitë, themelet e Marrëveshjes së Ohrit nuk tolerojmë të preken”.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve