Kosova

Opozita në Kosovë ia ‘faturon’ Kurtit ikjen e qytetarëve nga vendi

Trendi i largimit nga vendi po i mvishet Qeverisë së Kosovës nga opozita.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se migrimi i madh i qytetarëve të Kosovës në dy vjetët e fundit është fytyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, përcjell albinfo.ch.

“Përgjatë dy vjetëve të fundit, mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën për të kërkuar një jetë më të mirë larg vendit. Mesatarisht, mbi 1000 qytetarë në javë. Pra, gjatë dy vjetëve të Qeverisë Kurti, 107 mijë e 310 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova. Jo si turistë, por si mërgimtarë që e kanë humbur shpresën dhe besimin në perspektivën që mund të ofrojë shteti ynë. Të reja dhe të rinj, vetë dhe me familje, nga fshati e qyteti dhe nga çdo cep i Kosovës…. Kosova po zbrazet, vendi ynë po shpopullohet, familjet tona po zvogëlohen. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde, kryeministër. Ky migrim i paprecendt flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me punën tënde. Çkado që flet sot, nuk ka asnjë vlerë”, tha ai./KosovaPress