Lajme

Opozita kërcënon me protesta të reja

Partitë opozitare në Kosovë kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave deri, siç thonë ato, në rrëzimin e Qeverisë Mustafa-Thaçi

 

Tri partitë opozitare të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave deri, siç thonë ato, rrëzimin e Qeverisë Mustafa-Thaçi. Sipas opozitarëve, protesta e të shtunës ishte treguesi më i mirë se qytetarët nuk e duan këtë Qeveri.

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se qytetarët, përmes protestës masive kanë dëshmuar se janë kundër kësaj Qeverie dhe se ajo duhet të japë dorëheqje sa më parë. “Kjo Qeveri nuk ka as legjitimitet demokratik, as legalitet institucional që të vazhdojë më tutje. Protesta e së dielës tregon se Isa Mustafa e Hashim Thaçi më nuk janë as kryeministër, as ministër”, ka thënë Ymeri.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka ardhur koha që kjo Qeveri të japë dorëheqje. “Kjo Qeveri jo vetëm që ka udhëhequr gabim, por ka marrë vendime që janë të rrezikshme për vendin. Qytetarët kanë kërkuar që qeverisja Mustafa të shkojë. Tani ora ka filluar, koha numëron që këta të reflektojnë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërsa kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, theksoi se një protestë të tillë, me mesazhe të qarta, madhështore e paqësore, nuk mund ta zbehë askush dhe asgjë, ndërsa protesta sipas tij, nxori dy mesazhe.

“E para se Kosova është aktive dhe nuk pranon të qeveriset nga një Qeveri që e ka shkelur Kushtetutën, dhe se populli nuk i beson më kësaj Qeverie. Kërkojmë dorëheqjen e kësaj Qeverie. Të dalim nga kjo krizë politike dhe vendi të shkojë në zgjedhje, e kështu të bien të dy këto marrëveshje që janë kundërkushtetuese dhe kundër interesave të Republikës së Kosovës”, ka thënë Limaj.

Tre liderët e opozitës që kanë formuar tashmë frontin anti-qeveritar, kanë thënë se protestat do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, deri në rrëzimin e qeverisë. Megjithatë, ata nuk kanë caktuar ndonjë datë se kurë do të mbahet demonstratat e radhës, përveç që kanë treguar gatishmëri për vazhdimin e tyre.

Protesta e të shtënës ishte më msovikja që kanë organizuar ndonjëherë partitë opozitare, me qëllim kundërshtimin e dy marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe me Malin e Zi. Edhe pse ishte paralajmëruar si paqësore, protesta eskaloi në dhunë, ku u përdorën koktej molotovi, mjete piroteknike por edhe gaz lotsjellës nga ana e Policisë.

Përveç kundërshtimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, opozita tashmë po kërkon zgjedhje të reja.

Kjo kërkesë e Qeverisë është kundërshtuar nga dy partitë e koalicionit, PDK dhe LDK, të cilat paralajmërojnë se nuk do të ketë zgjedhje para vitit 2018, kur edhe janë parashikuar me ligj. Sipas mazhorancës, qëllimi i opozitës është ardhja në pushtet, dhe jo kundërshtimi i marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi.

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë për “Zërin”, se pavarësisht protestave të opozitës dhe thirrjeve për dorëheqje, ata do të vazhdojnë punën dhe se do të punojnë sipas planit qeveritar. “Qeveria do të vazhdojë të punojë si deri më tani, madje me intensitet të shtuar. Të shpresojmë se opozita do të kthjellet dhe do të kuptoj se me dhunë nuk përmbyset pushteti dhe se për këtë, siç u pa dje, nuk e kanë përkrahjen e popullit”, ka thënë Gecaj.

Kundër protestave të dhunshme është deklaruar edhe faktori ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar që mosmarrëveshjet pozitë-opozitë të zgjidhen me dialog. Një kërkesë të tillë e ka adresuar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.