Lajme
Opioidet sintetike, shkaktari kryesor i vdekjeve nga mbidoza në SHBA
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në Amerikë janë opioidet sintetike, kryesisht fentanili, i cili mund të jetë deri në 50 herë më i fortë se heroina.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit thotë se fentanili i paligjshëm prodhohet me çmim të ulët nga kimikatet që vijnë kryesisht nga Kina, trafikohen përmes Meksikës dhe më pas kontrabandohen në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, sjell një cikël materialesh, të titulluar Fentanili Vrasës, që nisin me mbidozën e një adoleshenti në shtetin e Uashingtonit.
Lucas Beirer ishte aktiv në grupin e të rinjve të kishës. Ai punote disa orë si instruktor noti dhe luante futboll me shkollën e mesme në këtë komunitet të qetë pranë Siatëllit.
Por kur 16-vjeçari dëmtoi shpinën, nëna e tij, Olga Davidov-Beirer, thotë se ai filloi të merrte qetësues kundër dhimbjeve. Ajo nuk ishte shumë e shqetësuar në fillim, por thotë se i diskutoi rreziqet e drogës me të birin, pasi një nga shokët e klasës së Lucas vdiq nga mbidoza.
“Fola me Luca-n pas funeralit edhe pse nuk e kisha idenë që ai blinte pilula. Fola me të dhe i thashë, ‘Lucas, nuk e di se çfarë është,’ sepse askush nuk po përmendte fjalën fentanil, por thashë, ‘Dua të sigurohem që nuk do të jem një nënë që humbet fëmijën e saj’”.
Një muaj më vonë, hetuesit thonë se Lucas mori atë që mendonte se ishte ‘Percocet’, një qetësues i fuqishëm kundër dhimbjeve. Por pilula ishte e falsifikuar, e veshur me fentanil. Nëna e tij e gjeti atë pa ndjenja në mëngjes, në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
E dëgjova nga shokët e tij, ‘Duhet të jetë fentanil, duhet të jetë fentanil’, dhe pyeta, ‘Çfarë është fentanili?’”
Fentanili është një ilaç i miratuar për trajtimin e dhimbjeve të forta.
Fentanili i paligjshëm shpesh përzihet me heroinë ose kokainë ose përdoret në pilula të falsifikuara si ajo që vrau Luca-n.
Agjenti amerikan kundër drogave, Jacob Galvan, thotë se testet laboratorike zbulojnë doza potencialisht vdekjeprurëse të fentanilit në gjashtë nga 10 pilulat false.
“Ua tregojmë agjentëve dhe nuk janë në gjendje ta dallojnë, ua tregojmë specialistëve në laboratorë, as ata nuk mund ta dallojnë. Aq mirë arrijnë t’i prodhojnë”.
“Kjo mund t’i ndodhë kujtdo. Fitimi është i madh për fentanilin dhe fentanili mund të hidhet në çdo gjë. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pilula shiten, ose shpërndahen në rrugë”, thotë Olga Davidov-Beirer.
Pas vdekjeve në këtë komunitet, autoritetet kanë nisur disa programe të reja shkollore për rreziqet e fentanilit për të ndihmuar personelin të trajtojë mbidozat aksidentale.
“Ne mendojmë se sa më shpejt të shkojmë në një shkollë, aq më mirë. Ne do të jemi në shkollat e ciklit të lartë deri në kolegje nëse ata do të na pranonin. Është shumë e rëndësishme të përhapim mesazhin se sa vdekjeprurëse janë këto pilula”, thotë Jacob Galvan.
Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore thotë se më shumë se 90% e njerëzve 12 vjeç e lart me një çrregullim të abuzimit me substancat nuk marrin asnjë trajtim. Familja e Lucas krijoi një grup vullnetarësh për të përhapur ndërgjegjësimin për rreziqet e fentanilit, për të ndihmuar familjet të njohin shenjat paralajmëruese dhe të dinë se ku të drejtohen për ndihmë./VOA
E-Diaspora
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga HAK (Automobil Klub Kroat) rreth 20:00, situata në...
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?