Integrimi

Opinionet e lexuesve për Platformën Albinfo.ch

Në mbrëmjen e 4 vjetorit, të albinfo.ch morëm prononcime nga disa të pranishëm lidhur me punën e platformës sonë. Një projekt i suksesshëm që ka potencial zhvillimi të mëtejshëm, është e përbashkëta e këtyre prononcimeve

Platforma albinfo.ch të premten që lamë pas festoi katërvjetorin e saj dhe organizoi një debat ku morën pjesë njerëz të njohur të skenës politike, sportive dhe kulturore nga Zvicra dhe nga Kosova

Debati që zgjati rreth dy orë ngjalli interesim të theksuar te publiku, nga i cili dolën shumë pyetje dhe komente për panelistët nga skena politike. Mysafir special ishte kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili foli gjerë e gjatë kryesisht për marrëdhëniet Diasporë-Kosovë.

Pas debatit, në aperon e shtruar për këtë rast, të pranishmit shfrytëzonin nga rasti për të biseduar apo bërë fotografi, kryesisht me të parin e Prishtinës z. Ahmeti.

Ndërsa albinfo.ch mori prononcime nga disa të pranishëm lidhur me punën katër vjeçare të platformës sonë.

Naim Malaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Zvicër

“Është me rëndësi që albinfo.ch po bëhet një referencë jo vetëm për gjithë diasporën shqiptare, qoftë ajo nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Lugina e Preshevës apo Mali i Zi, por ajo po bëhet referencë edhe për autoritetet zvicerane. Kjo është shumë me rëndësi sepse mendoj që problemi i deritanishëm është që nuk ka pasur një komunikim, një njohje të diasporës sonë, qoftë nga ana zvicerane, qoftë nga ana jonë. Në të njëjtën kohë albinfo.ch po i lidhë ndoshta edhe këto sensibilitetet që ekzistojnë në Zvicër, që është Zvicra frankofone, Zvicra gjermane që kanë kultura të ndryshme dhe kjo po ndihmon që ne të kuptojmë njëri tjetrin, duke pasur parasysh faktin që një pjesë e mirë e gjeneratës shprehet dhe kuptojnë më mirë në gjuhën frënge dhe gjermane, sesa në gjuhën shqipe”.

Shukrie Ramadani, u.d. e drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih

“Katër vite janë shumë të gjata, nëse mendohet në informacionet e shumta që na i ka ofruar Albinfo për sukseset e shumta të shqiptarëve në këtë vend. Albinfo.ch ka qenë një përcjellëse e vazhdueshme e çdo hapi të suksesshëm, por edhe e gjërave negative të cilat kanë ndodhur këtu, dhe përmes saj ne kemi kuptuar shumë shpejt, çka po ndodh, ku po ndodh, dhe si po ndodh. Jam falënderuese që kemi njerëz të tillë, që udhëheqin një portal të tillë, dhe shpresoj që të kenë forcë të udhëheqin edhe më tepër, ngaqë vërtet është një portal shumë i rëndësishëm dhe që ka bërë shumë njerëz shumë për vete, jo vetëm nga ana shqiptare por edhe nga ana e zviceranëve. Mendoj që zviceranët na kanë parë me një sy tjetër, falë albinfos dhe informacioneve të sakta që ka dhënë albinfo.ch”.

Osman Osmani, sekretar për migracion në sindikatën UNIA

“Albinfo.ch për këto katër vite e ka dëshmuar që është bërë një institucion i informimit publik sa i përket raporteve shqiptaro-zvicerane, i Diasporës shqiptare në Zvicër dhe vendeve amë të shqiptarëve. Është diçka pozitive dhe një kualitet që s`ka qenë përpara. Në njëfarë mënyre përmes kësaj punës është institucionalizuar edhe çështja shqiptare edhe atdheu i tyre. Ndërsa si kritikë, është që angazhimet që kanë qenë Kosovë-Diasporë, si për shembull deputetëve apo aktivistëve që kanë qenë në Zvicër dhe që janë kthyer atje, dhe që kanë tematizuar çështjet preokupuese për diasporën, kanë gjetur pak vend në albinfo. Këtu e kam fjalën edhe për problemet si sigurimet shoqërore. Lidhur me këtë problem, nëse jepet një lajm, jepet më shumë prej Zvicrës zyrtare sesa edhe prej komunitetit tonë apo edhe organizatave si UNIA dhe veprimtarëve të Diasporës tonë që angazhohen në mënyrë kritike karshi dy shteteve. Mirëpo kjo nuk e zbeh kurrsesi atë që thash më herët. Kjo do të duhej të plotësonte edhe duke e pasur parasysh që albinfo.ch vepron në Zvicër dhe duhet treguar një lloj lojaliteti karshi Zvicrës zyrtare, e cila në fund të fundit edhe e financon dhe e mbështet jo vetëm financiarisht. Por mua më duket që ka gjithmonë rrugë që ne preokupimet tona, t`i adresojmë në mënyrë të mirë, edhe në mënyrë kritike, që nuk do duhej të pengonte as Zvicrën zyrtare”.

Arnold Gjergjaj, Kampion Evropian në Boks në kategorinë e rëndë EBU-EE

“Është portal shumë i mirë, për të rinjtë gjithashtu për ata që merren me sport, me çështje sociale, me politikë. Albinfo.ch është medium shumë i qëlluar sepse ne që e ndjejmë veten si shqiptarë dhe si banorë të Zvicrës mund të lexojmë edhe shqip edhe gjermanisht. Po ashtu edhe zviceranët e lexojnë. Unë i kam parë duke e lexuar albinfo.ch”.

Saranda Maliqi, Përcjellësja e dytë e “Miss Zvicra 2014

“I uroj shumë suksese albinfo.ch edhe në vitet e tjera që i ka përpara. E lexoj albinfon unë vetë edhe shqip edhe gjermanisht dhe e di që janë gjithmonë aktualë në lajmet për gjithçka që ndodhë. I çmoj shumë ata që punojnë në albinfo.ch dhe i uroj shumë fat dhe sukses këtij portali me të cilin kam shumë dëshirë edhe të bashkëpunoj”.

Qëndresa Sadriu, Këshilltare komunale e Glattbrugg-ut

“Mendoj që albinfo.ch është duke e bërë një punë të mirë, dhe posaçërisht edhe për faktin se i publikon tekstet edhe në gjuhë të ndryshme, kështu që edhe zviceranët mund ta lexojnë albinfo.ch në gjuhën gjermane dhe frënge. Kam shumë shokë dhe shoqe që përmes albinfo.ch informohen për Zvicrën apo edhe për Ballkanin”.

Ismail Kasumi, Aktor nga Maqedonia

“Unë jam nga Kumanova. Herë pas here japim shfaqje teatrale në Zvicër, dhe albinfo.ch  gjithmonë na ka mbështetur. Kam parë që është një portal shumë prestigjioz këtu dhe e falënderoj shumë albinfon. Është kënaqësi të jem sonte në katër vjetorin e kësaj platforme. Ju dëshiroj shumë suksese.

Kjo është një pasqyrë reale që tregon për punën që po bën albinfo, rolin dhe rëndësinë që ka kjo platformë për Diasporën shqiptare jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë.