Lajme

Operacion i madh policor në Ballkan

Në mesin e 19 shteteve të botës ishte përfshirë edhe Shqipëria. Bëhet fjalë për një operacion për goditjen e grupeve që trafikojnë armë dhe municione.

Mediat në Shqipëri raportojnë se Europoli, së bashku me SHBA-në dhe pjesën më të madhe të shteteve anëtare të tij, ndërmori një operacion në Ballkanin Perëndimor për të goditur grupet e trafikimit të armëve, kryesisht të eksplozivëve.

Operacioni i përbashkët 3-ditor që nisi më 27 janar dhe zgjati tri ditë u koordinua nga Qendra Operative e Europolit në Hagë.

Siç raporton Top Channel, kjo qendër ishte ura ndërlidhëse e shkëmbimit të informacionit ndërmjet policive të shteteve pjesëmarrëse lidhur me kontrollet në pikat kufitare.

Në total u kontrolluan 246 mijë subjekte, duke përfshirë 219 000 persona dhe 14 mijë e 800 automjete.

Rezultat i operacionit ka qenë konfiskimi i 48 armëve të zjarrit, 833 fishekë, 4 granata dore dhe rreth 500 gr eksploziv plastik.

Gjithashtu, në katër shtete janë konfiskuar drogë dhe cigare. Në total, janë arrestuar 58 persona në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Operacioni është në kuadër të ditëve të përbashkëta të veprimit kundër armëve të zjarrit.