Kriza në Ukrainë

OKB: Më shumë të vrarë në Ukrainë se sa shifrat që raportohen zyrtarisht

Përgjatë 11 javëve shifrat zyrtare flasin për 3.381 vdekje.

Numra më të lartë në mesin e civilëve llogariten të jenë vrarë në Ukrainë, për dallim prej shifrave të cilat po raportohen. Ky konstatim vjen nga një raport i monitorimit të misionit të OKB-së, përcjell Albinfo.ch.

Një ekip i OKB-së, që përfshin 55 monitorues në Ukrainë, ka deklaruar se pjesa dërmuese e vdekjeve kanë ndodhur nga përdorimi i mjeteve shpërthyese, si raketat dhe sulmet ajrore.

“Shifrat reale janë më të larta. Gropa e zezë e gjithë luftës është Mariupoli, ku ka qenë e vështirë për ne të depërtojmë dhe të marrim të dhëna të vërtetuara. Ne vlerësojmë se atje kanë ndodhur me mijëra vdekje, civilë që kanë humbur jetën si pasojë e akteve armiqësore. Sidoqoftë, na duhet ende t’i vërtetojmë këto të dhëna dhe s’mund t’ua shtojmë ato shifrave të konfirmuara”, tha Matilda Bogner, shefe e misionit të monitorimit në Ukrainë.