Ekonomi

OEK: Mosfunksionaliteti i Kuvendit, mesazh i keq për investimet e huaja

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se ky institucion e mbështet projektbuxhetin për vitin 2019.

Sipas tij, është inkurajues rritja e buxhetit për arsim dhe shëndetësi. Por  ai ka thënë se problematike vazhdon të mbetet  rritja e skemës sociale, përcjell albinfo.ch.

“Ne do të donim të shihnim shumë më shumë skema zhvillimore, se sa sociale. Vetëm me 100 milionë euro të ndara për skema sociale, do të mund të krijohen mbi 20 mijë vende të punës”, ka thënë ai.

Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se mosfunksionaliteti i Kuvendit të Kosovës po ndikon dhe po e përçon një mesazh të keq në imazhin e Kosovës për investime të huaja.

Rukiqi paralajmëroi se në takimin që do ta ketë me ministrin e Financave të Shqipërisë do t’ia paraqesë shqetësimin e bizneseve kosovare për taksën rrugore për Rrugën e Kombit. Ai ka thënë se do të kërkohet zbritja e taksës për transportuesit.