Integrimi
Oda Ekonomike “Kosovë-Zvicër” synon ngritjen e raporteve mes dy ekonomive
Në Bernë është bërë të mërkurën inaugurimi i Odës Ekonomike Kosovë-Zvicër, të cilën do ta udhëheq zvicerani, Stefan Sarkany
Prania enkas e zyrtarëve të lartë qeveritar nga Prishtina në inaugurim, përfshirë zëvendëskryeministrin e parë, Bexhet Pacollin, zëvendëskryeministren tjetër, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, ministrin e Diasporës, Ibrahim Makolli flet për rëndësinë që ka një mekanizëm i tillë ekonomik për Kosovën.
Në mesin e mysafirëve nga Kosova dhe diplomatëve shqiptarë në Zvicër, ishin të pranishëm edhe Arthur Mattli, ambasador, shef i divizioni të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kurt Kunz, ambasadori i Drejtorisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim (DEZA-DDC).
Por jo të gjithë ishin të pranishën në këtë eveniment që është organizuar nën përkujdesjen e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Zvicër, Naim Malaj dhe kryetarit tashmë të zgjedhur të Odës Ekonomike Kosovë-Zvicër, Stefan Sarkany.
Është vërejtur mungesa e përfaqësuesve të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, si dhe mungesa e përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës.
Si do që të jetë themelimi i kësaj ode është konsideruar si një kontribut i mëtejmë në forcimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Zvicrës dhe Kosovës.
Në pritjen e cila është organizuar në ambientet e restorantit Mappamondo të Bernës, ambasadori kosovar, Naim Malaj tha se Oda Ekonomike do të jetë një mekanizëm i rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar për investimet e ndërsjella mes dy vendeve.
“Ambasada e Kosovës mirëpret dhe mbështet çdo iniciativë publike shoqërore apo private duke siguruar një promovim me një ndikim pozitiv për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Malaj.
Ai tha se Ambasada e Kosovës në Zvicër inkurajon kompanitë e huaja për të investuar në Kosovë por gjithashtu është e përfshirë në promovimin e produkteve të bizneseve të Kosovës në Zvicër.
“Kosova ka krijuar një ambient të favorshëm për investitorët e huaj duke garantuar tregti të lirë, mbrojtjen e pronës private, dhe duke ofruar një kornizë fiskale tërheqëse, si dhe një stabilitet financiar”, ka thënë Malaj.
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behxhet Pacolli e ka vlerësuar lartë themelimin e Odës Ekonomike Kosovë-Zvicër në funksion të përmirësimit të raporteve biznesore Kosovë-Zvicër.
“Kosova është një shtet i ri që po ndërton institucionet e veta por duke i pranuar gabimet. Kosova ka krijuar kushtet, ka hapur dyert për investime”, tha Pacolli duke e konsideruar edhe veten si pjesë të diasporës.
Zëvendëskryeministri tha më tutje se një iniciativë e tillë i nevojitet Kosovës dhe i nevojitet bizneseve të këtushme.
“Unë inkurajoj që kjo iniciativë të zhvillohet edhe më tutje dhe të kemi një zyrë partneriteti edhe në Kosovë, të themelohet edhe atje Oda Ekonomike Zvicër-Kosovë”, theksoi Pacolli.
Ai ka premtuar se do të kenë mbështetjen në Kosovë iniciativat e tilla nga kolegët zviceranë.
“Rekomandimet që vijnë nga Zvicra janë të mirëseardhura. Do të doja që nga Zvicra të vijnë sa më shumë ndërmarrës”, tha Pacolli duke sugjeruar zviceranët që të punojnë për të zhvilluar industrinë precize edhe në Kosovë për shkak të potencialit të madh të fuqisë punëtore.
Diaspora ende nuk ka arritur që kohën dhe eksperiencën në Kosovë ta kthejë dhe përkthejë në iniciativa të biznesit
Nga ana tjetër ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari tha të mos të jenë kryer të gjitha punët në ngritjen e kapaciteteve institucionale, rendin dhe ligjin por dhe forcimin e ekonomisë së Kosovës
“Puna ende nuk është kryer, për ne Zvicra mbetet njëra nga shtetet më të rëndësishme në kontinentin e Evropës për faktin se në këtë vend kemi 200 mijë kosovarë, të cilët kohën dhe eksperiencën e tyre këtu ende nuk kanë arritur që në Kosovë ta kthejnë dhe përkthejnë në iniciativa të biznesit. Edhe pse diaspora është njëri nga faktorët shumë të rëndësishëm ngase vlerësohet në Kosovë se nga shuma e përgjithshme e mjeteve të diasporës afërsisht në çdo familje hyjnë nga 300 euro. Është me rëndësi që këto mjete të kthehen në shkëmbime të teknologjisë dhe përvojave të marrë në vendet tjera”, tha Kusari-Lila.
Ajo më tutje ka thënë: “Përvoja e shteteve si Zvicra apo Austria është e paçmueshme për ne. Prandaj nëse shikoni në këtë aspekt ndonjë mundësi për bashkëpunim ose ngritje të bashkëpunimit kjo do të ishte me shumë rëndësi për ne. Ndër resurset më me rëndësi që ka Kosova janë kapactetet njerëzore Kosova nxjerr për çdo vit rreth 25 mijë deri në 30 mijë të rinj që hynë në tregun e punës”, ka theksuar Kusari-Lila.
Ndërsa ka folur krejt në fund zvicerani Stefan Sarkany, kryetar tashmë i zgjedhur i Odës Ekonomike Kosovë-Zvicër. Ai paraqiti para afaristëve kosovarë dhe zviceranë objektivat që ka një mekanizëm i tillë ekonomik.
Ndërsa pak është folur për biografinë e tij dhe për ekipin që do ta shoqërojë atë në të ardhmen. Po ashtu nuk është bërë e ditur mënyra e zgjedhjes së tij në krye të këtij subjekti, por edhe të finansimit të kësaj organizate.
Sarkani ka thënë se synimi i Odës Ekonomike është promovimi, nxitja dhe ngritja e bashkëpunimit ekonomik në mes të Zvicrës dhe Kosovës. “Ajo duhet të bëhet lehtësuese e përfaqësimit të interesave të ekonomisë, tregtisë e industrisë së dy vendeve në vendet respektive. Bartja e përvojave të mira nga ekonomia, industria dhetregtia zvicerane në Kosovë, është një nga qëllimet, ka thënë Sarkani.
“Roli i Odës përveç në bashkëpunimin në mes të ekonomive të dy vendeve fokusohet edhe në përfshirjen në projekte dhe mbështetjen edhe të kosovarëve që jetojnë e punojnë në Zvicër. Ajo do të përkrahë realizimin e projekteve në nivele nacionale e regjionale. Lidhjet e mira të Odës me ekonominë zvicerane por edhe të tjera do të jenë në funksion të mbështetjes së projekteve që vijnë nga të dyja palët”, ka thënë veç tjerash Sarkani, duke premtuar organizimin e aktiviteteve të rregullta tematike në të mirë të bashkëpunimit ekonomik..
Në shkëmbimet tregtare Zvicra ende ka hapësirë për të shkëmbyer me Kosovën.
Shkëmbimet tregtare mes dyja vendeve llogaritet të jenë 40 milionë euro, dhe në këtë vlerë Zvicra merr pjesë me 5.5 për qind në eksportet e përgjithshme të Kosovës ndërsa importon 22.6 milionë euro ose 0.9 të mallrave që shteti i Zvicrës eksporton jashtë vendit.
Sevdail TAHIRI
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës