Lajme

OBSH bën thirrje për vaksinim më të lartë në Evropën Lindore

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për rritje të përpjekjeve për vaksinim kundër COVID-19 në Evropën Lindore, duke paralajmëruar se “vala” e variantit Omicron po shkon drejt asaj zone.

Shefi për Evropën në OBSH, Hans Kluge, tha se në dy javët e fundit rastet me COVID janë rritur më shumë se dyfish në gjashtë shtete: Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Rusi dhe Ukrainë.

“Siç është pritur, vala e Omicronit po shkon në Lindje”, u shpreh Kluge.

Dega e OBSH-së për Evropën krahason 52 shtete, përfshirë disa në Azinë Qendrore.

Kluge tha se ritmi i vaksinimit është relativisht i vogël në disa pjesë të këtij rajoni.

Më pak se 40 për qind e personave mbi 60-vjeç janë vaksinuar plotësisht në Bosnjë e Hercegovinë, Bullgari, Kirgizi, Ukrainë dhe Uzbekistan.

Kluge shtoi se në Bullgari, Gjergji dhe Maqedoninë e Veriut më pak se 40 për qind e punonjësve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19.

Gjithashtu, Kluge bëri thirrje që në Lindje të mos lehtësohen masat kundër virusit.

“Duke pasur parasysh shtrirjen e variantit Omicron dhe qarkullimin e variantit Delta në Lindje, tani nuk është koha për të lehtësuar masat që dihet se funksionojnë në luftim të pandemisë”, u shpreh Kluge.