Futboll

OBSH ngre shqetësimet se Evropiani po rrit rastet e infektimeve me Covid-19

Mijëra tifozë pritet të ndjekin fazën e çerek-finaleve të evropianit, të cilat nisin të premten në Gjermani me ndeshjen Belgjikë-Itali dhe vazhdojnë më tej me ndeshje në Rusi, Azerbajxhan apo dhe Itali.

Grumbullimet në stadiume, sheshe apo dhe lokale gjatë këtij kampionati evropian të futbollit kanë shqetësuar ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të cilët thonë se kjo sjellje si dhe udhëtimi pa masa kufizuese po përhap një valë tjetër infeksionesh me COVID-19 në Evropë.

Mijëra tifozë pritet të ndjekin fazën e çerek-finaleve të evropianit, të cilat nisin të premten në Gjermani me ndeshjen Belgjikë-Itali dhe vazhdojnë më tej me ndeshje në Rusi, Azerbajxhan apo dhe Itali.

Sipas OBSH-së periudha prej rreth 10 javësh me ulje të infeksioneve në Evropë është ndërprerë nga një prirje e re e hasur në radhët e simpatizantëve të futbollit, të cilët i kanë ndjekur ndeshjet pa respektuar masat kufizuese si distanca apo përdorimi i maskave, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Javën e fundit është vënë re një rritje me 10% të rasteve dhe OBSH e ka lidhur këtë prirje me lëvizjen e madhe të turistëve në qytetet pritëse të evropianit.

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer kritikoi UEFA-n pas ndeshjes Angli-Gjermani ku u lejuan 40 mijë tifozë në stadiumin Wembley. Ai tha se vendimi për të lejuar deri në 75% të kapaciteteve duhet kthyer pas. Seehofer e quajti si “të papërgjegjshëm” këtë vendim.

UEFA i tha agjencisë së lajmeve Reuters se masat e vendosura për futbollin janë në të njëjtën linjë me masat e përgjithshme të autoriteteve lokale që i organizojnë ndeshjet.

Rreth 2 mijë persona u diagnostikuan me COVID-19 në Skoci dy javët e fundit. Autoritetet thanë se 90% e tyre ishin meshkuj dhe kishin udhëtuar më 18 qershor në Londër për të ndjekur ndeshjen Angli-Skoci.

Shumica e vendeve evropiane janë shqetësuar nga varianti Delta i COVID-19, zbuluar fillimisht në Indi. Ky variant deri më sot është cilësuar më ngjitës se sa varianti fillestar i virusit.