Koronavirusi: çast pas çasti

OBSH: Koronavirusi, 10 herë më vdekjeprurës se Gripi i Derrave

Ky virus është dhjetë herë më vdekjeprurës sesa gripi i derrave, që pati shpërthyer në vitin 2009, citojnë mediat botërorre OBSH-në

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka kërkuar përsëri që të kihet shumë kujdes kur bëhet fjalë për lehtësimin e masave të rrepta, të marra për koronavirusin.

Ky virus është dhjetë herë më vdekjeprurës sesa gripi i derrave, që pati shpërthyer në vitin 2009, citojnë mediat botërorre OBSH-në.

Një vaksinë është e nevojshme urgjentisht për të ndaluar plotësisht transmetimin e Covid-19.

«Tani është koha për vigjilencë. Tani është koha që të jemi shumë, shumë të kujdesshëm”, ka thënë eksperti i OBSH-së Michael Ryan të henën në Gjenevë, transmeton albinfo.ch. Kushdo që hedh hapat e parë drejt kthimit në normalitet, duhet të plotësojë disa kushte, ka thënë shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është aftësia për të identifikuar dhe izoluar sa më shpejt të infektuarit, ka thënë ai.

Ghebreyesus paralajmëroi se ndërkohë që koronavirusi po përhapet shpejt, zbutja e tij po ndodhë shumë ngadalë, transmeton albinfo.ch. Njerëzit do të duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe të jetojnë distancën sociale në një të ardhme të parashikueshme, ka thënë ai.

OBSH shprehet e rezervuar rreth pyetjes nëse personat e infektuar janë të mbrojtur nga infeksioni i sërishëm. Ende ka shumë pak të dhëna që vërtet të jemi në gjendje t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Aktualisht supozohet se njerëzit njëherë të sëmurë do të gëzonin mbrojtje të paktën për një periudhë të caktuar kohore. Sa e gjatë është ajo kohë, megjithatë, mbetet e paqartë.