Tematike
NZZ: “Vatra e xhihadizmit nuk është në Ballkan, por në metropolet perëndimore”
Radikalizimi islamik është më shumë fenomen i kultivuar nga myslimanët ballkanas në perëndim se sa në vendin e origjinës
Ish-korrespondenti i gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, njohës i mirë i rrethanave në Ballkanit, Andreas Ernst, ka publikuar sot një analizë interesante lidhur me islamin politik dhe Ballkanin. Ai aty flet për radikalizmin islamik më shumë si fenomen i kultivuar nga myslimanët ballkanas në Perëndim se sa në vendin e origjinës.
Në vazhdim, albinfo.ch prezanton artikullin e botuar sot në NZZ, të përkthyer me pak shkurtime, në gjuhën shqipe.
Islami në Evropën Juglindore është bërë më i larmishëm dhe, në disa vende edhe më fundamentalist. Por kontrolli shoqëror është shumë më i fortë në shoqëritë islamike të Ballkanit sesa në diasporën myslimane në Perëndim.
Kujtim F., terroristi njëzet vjeçar që vrau tre persona në Vjenë para se policia ta qëllonte atë, ishte me shtetësi austriake. Prindërit e tij vijnë nga Celopeku, një fshat në Maqedoninë e Veriut. Ata janë shqiptarë etnikë dhe, si pothuajse të gjithë shqiptarët në Maqedoni, myslimanë. A është origjina e familjes së Kujtimit një tregues se Islami në Ballkan përbën një kërcënim për vendet e imigracionit? Si të vlerësohen raportet, sipas të cilave rrjetet e islamikëve radikalë lidhin zonën gjermane-folëse me degët në Bosnjë-Hercegovinë ose Kosovë? Dhe si ka ndryshuar Islami në Ballkan në njëzet vitet e fundit?
Rreth një e treta e popullsisë së Ballkanit Perëndimor (Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi) janë myslimanë. Në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Kosovë, myslimanët janë shumica, përcjell albinfo.ch. Por vetëm një pakicë prej tyre janë besimtarë. Praktikohet një sunizëm tolerant, urdhrat e të cilit besimtarët i interpretojnë mjaft lirshëm. Për shembull, kur bëhet fjalë për konsumimin e alkoolit.
“Islami Ballkanik” vjen nga shkolla juridike Hanafi, e cila ka ardhur në rajon bashkë me Perandorinë Osmane në shekullin e 15-të dhe ishte feja shtetërore nën sundimin e Portës së Lartë.
Pas vitit 1945, regjimet komuniste në Jugosllavi dhe Shqipëri kanë zbatuar sekularizimin e thellë dhe kanë ulur përgjithmonë rolin e fesë, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane.
Shtetet pasardhëse i qëndruan kësaj, përkundër faktit se feja është bërë më e rëndësishme si një tipar i identitetit kombëtar: ortodoksia për serbët dhe islami për boshnjakët. Në të kundërt, shqiptarët multikonfesionalë (myslimanë, katolikë, ortodoksë) në Shqipëri dhe Kosovë mbështesin një sekularizëm të fortë – i cili në Kosovë përplaset herë pas here me rritjen e rolit shoqëror të Islamit.
Gjatë luftërave të viteve 1990, ndikimi i rrymave më radikale nga jashtë u rrit përmes aktiviteteve të organizatave humanitare. Shumë prej tyre ishin nga Arabia Saudite dhe Emiratet. Ndikimi i rrjeteve të tyre misionare është më i dukshëm kur bëhet fjalë për ndërtimin e xhamive. Ndryshe nga xhamitë tradicionale, të thjeshta me minaret e tyre “me formë lapsi”, këto vende të adhurimit të financuara nga jashtë janë shpesh të mëdha dhe pompoze. Ato ishin gjithashtu vendi ku u zhvillua beteja midis banorëve autoktonë dhe të rinjve të zellshëm, pas fillimit të shekullit.
Megjithëse bashkësitë fetare islamike të etabluara ende kishin të drejtën në emërimin e hoxhallarëve, ato nuk mund ta zbatonin më atë kudo. Kështu u shfaqën bashkësitë paralele fetare, përcjelkl albinfo.ch. Në vitet e fundit shteti dhe bashkësitë zyrtare fetare i kanë mundur forcat më radikale. Rënia e ndikimit saudit i ka krijuar hapësirë autoritetit fetar turk, kuptimi i të cilit për Islamin lidhet me variantin tradicional, vendor të Islamit.
Oferta fetare të reja dhe më radikale
Megjithatë, pluralizimi në rritje i Islamit nuk mundën ta ndalojnë bashkësitë zyrtare islame, të cilat janë të lidhura ngushtë me bartësit e fuqisë politike: Për të rinjtë e etshëm për besim, sekte mistike sufiste, predikuesit e devotshëm salafistë karizmatikë janë shpesh më tërheqës sesa përfaqësuesit zyrtarë fetarë me mesazhet e tyre “të vakëta”. Kjo u ka dhënë hapësirë rrymave të reja, ndonjëherë të rrezikshme, siç është salafizmi i dhunshëm.
Profilet e ndjekësve të kësaj rryme, sipas ekspertit francez të Ballkanit, Xavier Bougarel, janë të ngjashme me ato në Perëndim. Këta janë të rinj të margjinalizuar që janë të organizuar në grupe të vogla, transmeton albinfo.ch. Në Ballkan ata rekrutohen kryesisht nga grupe të margjinalizuara, myslimane të popullsisë që kanë një përkatësi të diskutueshme kombëtare, siç janë pomakët në Bullgari ose torbeshët në Maqedoni. Në Bosnjë-Hercegovinë, me shumicën e saj boshnjake, xhihadistët, nga ana tjetër, priren të vijnë nga diaspora në perëndim.
Pas sulmit në Vjenë janë shkruar shumë gjëra të hamendësuara për rrjetet e dhunshme transnacionale. Ajo që të paktën duket qartë është se rekrutimi i të rinjve është më i lehtë në qytetet perëndimore sesa në Ballkan dhe se forcat lëvizëse vijnë nga perëndimi. Kjo nuk është për t’u habitur: brenda shoqërive me shumicë myslimane të Bosnjës ose Kosovës, kontrolli shoqëror mbi disidentët është shumë më i fortë sesa në familjet e diasporës myslimane të Vjenës ose Berlinit.
Në Bosnjë të ashtuquajturit “xhemate paralele, të cilat janë jo zyrtare, shtëpitë jozyrtare të lutjes, shikohen me sy vëzhgues e kritik jo vetëm nga bashkësia islamike, por edhe nga policia dhe fqinjët. Këto janë në gjendje të kuptojnë aktivizimin e radikalëve sesa autoritetet në qytete të mëdha perëndimore. Gjithçka tregon se radikalizimi është më i mundshëm në Perëndim sesa në vendet e prejardhjes së Islamit, në Evropë, përcjell albinfo.ch. Marrë proporcionalisht me numrin e myslimanëve, mbi dy fish më shumë vullnetarë nga Franca kanë shkuar në xhihad në Siri dhe Irak sesa nga Bosnjë-Hercegovina. As në Ballkan nuk ka pasur ndonjë sulm terrorist xhihadist. Qytetet në rajon janë akoma ndër më të sigurtat në Evropë.
Krizat e identitetit si pikënisje për radikalizim
Por pse janë kaq të rëndësishme rrjetet e diasporës – dhe ndoshta të rrezikshme? Historiani dhe albanologu vjenez Robert Pichler tregon barrën mbi familjet në komunitetet e diasporës. Si shumë fëmijë emigrantë, Kujtimi ishte larguar nga prindërit e tij para se të radikalizohej. Sipas Pichler, kjo tregon për një model të njohur: ndërkohë që prindërit donin të jetonin sa më shumë që të ishte e mundur të pavënë re, punonin shumë dhe kishin pak kohë për fëmijët, brezi i dytë shpesh luftonte pa sukses për të përmbushur kërkesat e veta dhe të prindërve.
Kjo çon në konflikte midis brezave dhe gjinive. Zakonisht gjatë pubertetit, të lindurit në vendin pritës fillojnë të preokupohen me pyetjen se nga vijnë, pse jetojnë këtu dhe kush janë në të vërtetë, tranmseton albinfo.ch. Shpesh ata kritikojnë përshtatjen e heshtur të prindërve ose madje kanë turp për të. Kur këta janë në kërkim të vlerave dhe përbashkësisë, grupet islamike kanë një ofertë tërheqëse: Në vend që thjesht të jeni fëmijë të gastarbajterëve të parëndësishëm nga Ballkani, bëhuni luftëtar të fesë, besimit, bëhuni pjesë e një komuniteti botëror! Ata premtojnë. Kësaj i shtohet edhe siguria e përkatësisë një grupi të vogël, të betuar dhe magjepsja me misterin dhe paligjshmërinë.
Terrori vjen nga margjinat e Islamit dhe jo nga qendra e tij
Pichler dhe njohuritë e tij për Islamin në Ballkan mund të lidhen me gjetjet e shkencëtarit politik francez Olivier Roy: Kur kishte shqyrtuar biografitë e terroristëve që kanë bërë sulme në Francë, Roy kishte zbuluar se këta të rinj zakonisht nuk ishte nga ata që kishin kaluar nëpër “inkubacionin” sistematik Salafist. Përkundrazi, radikalizimi i tyre ka ndodhur midis miqve ose të njohurve që vetë u radikalizuan përmes Internetit. Shumë shpesh fjala është për mjedise me kriminalitet të imët dhe delikuencë.
Këta terroristë, thotë Roy, vijnë nga margjinat e shoqërisë myslimane dhe jo nga qendra e saj. Kjo korrespondon me konstatimin se shoqëritë myslimane në Ballkan nuk janë tokë pjellore për terrorin xhihadist, ndërsa meset e margjinalizuara të të rinjve myslimanë në qytetet e mëdha perëndimore janë të tilla.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve