Kosova

Nxënësit nga diaspora testojnë njohuritë për atdheun

Në Prishtinё sot është mabjtur finalja e kuizit tё diturisё, në të cilin morën pjesë nxënësit e shkollave shqipe nga diaspora, përkatësisht fituesit e kuizive nga Austria, Zvicra, Italia dhe Greqia, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të këtij aktiviteti, të organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, ata iu përgjigjёn pyetjeve nga gjuha e letërsia shqipe, kultura, historia dhe gjeografia.

“Përmes këtij kuizi, ata shpalosën njohuritë për gjuhën, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar, njohuri këto që marrin nga mësuesit, të cilët me përkushtim dhe pa u lodhur punojnë me ta. Meqë ky kuiz nuk pati karakter garues, po më shumë edukues e shoqërues, nuk pati humbës.Të gjitha grupet u shpallën fituese”, thuhet në njoftimin e MDIS-it.

Finalja e kuizit u pёrcoll edhe me pika muzikore dhe me një pikë baleti. Pas kuizit, nxënësit pjesëmarrës vizituan Muzeun Kombëtar, ku patën mundësi të njihen me eksponatet e periudhave të ndryshme historike, përcjell albinfo.ch.

Rikujtojmë se kuize të ngjashme, me nxënës shqiptarë, janë organizuar javë më parë në shtetet e lartpërmendura.