CH-Ballkani

Nxënësit nga diaspora kërkojnë më shumë shkolla shqipe në mërgim

Ministri Gashi: "Nevojat e diasporës kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit tuaj, shkollat në gjuhën shqipe dhe forcimi i kësaj lidhjeje ndërmjet nesh është prioriteti ynë”

Ministri i Diasporës dhe i Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka pritur një delegacion me 45 nxënës dhe mësimdhënës kosovarë nga Gjermania që e vizituan ministrinë. Gashi, siç theksohet në njoftim, foli para nxënësve për rolin e tyre në të ardhmen në raport me Kosovën dhe për punët që Ministria e Diasporës ka para vetes në shërbim të kosovarëve që jetojnë jashtë atdheut.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke punuar për t’u dhënë më shumë rëndësi ideve dhe projekteve tuaja. Nevojat e diasporës kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit tuaj, shkollat në gjuhën shqipe dhe forcimi i kësaj lidhjeje ndërmjet nesh është prioriteti ynë”, citohet të ketë thënë Gashi.

E mësuesit nga diaspora kërkuan më shumë mbështetje institucionale për shkollat shqipe në mërgim. Ndër kërkesat bërë ministrit ishte edhe bashkërendimi institucional me shtetet nga vjen diaspora në fushën e arsimit, për t’i shtyrë proceset e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe për nxënësit kosovarë që jetojnë jashtë.