Kosova

Numri veror i Albinfo.ch vjen me mesazhin: “Ndalu në Prishtinë”

Ky numër i revistës i bën një prezantim të shumanshëm ofertës turistike, kulturore e kulinarike të Prishtinës

Numri më i ri i revistës Albinfo.ch, i cili nga sot është në duart e lexuesve, siç është bërë e zakonshme në këtë kohë, fillim korriku, në fokus ka pushimet verore të mërgimtarëve. Më konkretisht, kësaj radhe redaksia është përqendruar në një pikë: në vizitën në Prishtinë. Prandaj, titulli simbolik “Ndalu në Prishtinë”, është vendosur në ballinën e revistës dhe njëherësh në editorialin e këtij numri.

Siç dihet, Prishtina, gjegjësisht aeroporti i saj është pikëtakimi i parë me Atdheun për shumicën dërmuese, jo vetëm të qytetarëve të Kosovës, kur ja mësyjnë vendlindjes. Këtu aterrojnë me dhjetëra aeroplanë në ditë nga shumë pika të globit ndërsa më së shumti, nga Zvicra, Gjermania, Austria…, ku janë dhe shumica e lexuesve tanë. Prandaj mesazhi “Ndalu në Prishtinë” merr gjithmonë kuptimin e marrjes së kontaktit të parë me Atdheun, për shumë mërgimtarë. Dhe, Prishtina, për shumë nga ne që jetojmë jashtë vendit, është emri tjetër me të cilin lidhim mallin për rrënjët dhe kujtimet e rinisë…

Gjithnjë duke ndjekur këtë moto, revista në vazhdim i bën një prezantim të shumanshëm ofertës turistike, kulturore e kulinarike të Prishtinës. Në një numër të madh artikujsh të shkruar enkas nga gazetarët dhe bashkëpunëtorët tanë shpalosen në hollësi, segmente nga më të ndryshmet të kësaj oferte…

Për të pasur idenë e plotë se për çfarë bëhet fjalë, lexojeni numrin special të Albinfo.ch, të cilin do ta gjeni si zakonisht, në shumë pika që frekuentohen nga shqiptarët në Zvicër dhe në aeroplanët e Chair (Air Prishtina).

Në këtë numër special nuk mungojnë edhe rubrikat e përhershme si dhe tema nga kultura, sporti, biznesi etj.

Redaksia e albinfo.ch ju dëshiron pushime të këndshme të gjithë lexuesve dhe të tjerëve, duke i porositur: Ndalu (edhe) në Prishtinë!