Shqipëri

Numri i turistëve në Gjirokastër po arrin 200 mijë

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, në takimin me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në qytetin e Gjirokastrës, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, deklaroi se numri i turistëve në Gjirokastër do të arrijë në 200 mijë deri në fund të vitit, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e tij, Golemi vuri theksin te vështirësitë që ka kaluar Gjirokastra për shkak të pandemisë, tërmetit dhe luftës që ka ndikuar edhe në ekonominë e qyteti dhe kryesisht turistëve.

Ai tha se gjatë periudhës së vështirë u mbështetëm te turistët vendas, por këtë vit kemi pasur shumë turistë të huaj.

“Po e kalojmë 2019-ën që mbahej si piku i turistëve në qytetin e Gjirokastrës dhe kjo është meritë edhe e qeverisë për vizionin e kryeministrit për Gjirokastrën, por meritë e secilit prej jush”, tha ai.

Golemi theksoi se ky vit ka pasur një numër të madh turistësh.

“Kemi kaluar periudhë të vështirë, Covidin, tërmetin dhe aktualisht luftën dhe nëse kujtojmë 2020-ën, thoshim se nuk do ketë më turistë, por ne filluam të fokusoheshim te turistët vendas dhe në 2021 kapëm shifrat e 2019-ës me shumicë dërmuese të turistëve vendas, ndërkohë këtë vit u rikthyen turistët e huaj dhe po shkojmë drejt 200 mijë turistëve deri në fund të viti”, tha ai.  /ata