Tematike

Numri i të huajve në Zvicër gjatë vitit 2023 është rritur për afër 100.000

Të huajt kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në kompensimin e mungesës së punëtorëve të kualifikuar në vend

Në vitin 2023, imigrimi neto (“i pastër”) në Zvicër u shtua për 17,506 persona, duke arritur në 98,851 persona krahasuar me një vit më parë, shkruan albinfo.ch. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të kërkesës së vazhdueshme në tregun e punës, informon Zyra Federale për Migracion (SEM) në një komunikatë që ka publikuar sot. Të huajt kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në kompensimin e mungesës së punëtorëve të kualifikuar në vend.

Në fund të vitit 2023, 2,313,217 të huaj jetonin me qëndrim të rregullt, në Zvicër.

Në vitin 2023, imigrimi në popullsinë rezidente të huaj të përhershme u rrit me 19,118 persona (+11,8%) krahasuar me një vit më parë. Marrë në numra totalë, gjithsej 181,553 personash kanë emigruar në Zvicër në Zvicër gjatë vitit 2023, 71,9% e të cilëve vinin nga një vend anëtar i BE-së ose EFTA-s, transmeton albinfo.ch. Kështu, imigrimi nga vendet e BE/EFTA është rritur me 16,090 persona (+14,1%) duke u arritur në 130,483 persona.

Një rritje prej 3,028 personash (+6,3%) në 51,070 persona është regjistruar sa u përket shtetasve të vendeve të treta.

Nga ana tjetër, emigrimi nga popullsia rezidente e përhershme e huaj (lëshimi i Zvicrës) ka arritur në 75291 persona (1555 persona më shumë krahasuar me vitin 2022). Gjithsej 57,222 shtetas të BE/EFTA (+906 persona) dhe 18,069 shtetas të vendeve të treta (+649 persona) janë larguar nga Zvicra.

Migrimi neto është rritur me 15,084 persona në 67,973 persona midis shtetasve të BE/EFTA dhe me 2,422 persona në 30,878 persona midis shtetasve të vendeve të treta.

Rritje solide e punësimit
Në vitin 2023, 92,318 shtetas të BE/EFTA kanë emigruar në Zvicër për të nisur punë të përhershme (+16,3%, +12,906 persona). Kjo korrespondon me një përqindje prej 70.7% të imigrimit në popullsinë e përhershme rezidente të huaj nga BE/EFTA. Përveç kësaj, 75,346 shtetas të BE/EFTA erdhën në Zvicër për të punuar gjatë vitit (+13,7%, +9,099 persona). Në aspektin ekonomik, viti 2023 u karakterizua me një ecuri të favorshme të ekonomisë dhe rritje solide të punësimit. Në këtë sfond, numri në rritje i punëtorëve të huaj ka ndihmuar në plotësimin e mungesës ekzistuese të fuqisë punëtore.

Në të njëjtën periudhë, bashkimi familjar përbën 26.5% të emigracionit për qëndrim afatgjatë. Gjithsej 46,281 persona kanë emigruar në Zvicër si pjesë e bashkimit familjar (+7,6% krahasuar me vitin 2022), nga të cilët 15% ishin anëtarë të familjes së një shtetasi zviceran.

Në fund të vitit 2023, 1,540,798 shtetas të BE/EFTA dhe 772,419 shtetas të vendeve të treta jetonin si banorë të përhershëm në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Me 342,454 persona, italianët mbeten grupi më i madh i popullsisë së huaj në Zvicër, të ndjekur nga gjermanët (326,033 persona), portugezët (260,462 persona) dhe francezët (165,684 persona).

Gjatë vitit që shkoi, janë natyralizuar gjithsej 41.073 të huaj.