Kosova

Numër i madh i pjesëtarëve të KFOR-it po vëzhgojnë nga afër situatën në Varagë

Numër jashtëzakonisht i madh i automjeteve të KFOR-it që nga orët e hershme të mëngjesit të së shtunës janë duke qëndruar afër fshatit Varagë, vendi ku ka ndodhur sulmi i mbrëmshëm, përkatësisht në hyrje të Zubin Potokut.

Ata janë duke vëzhguar situatën nga afër, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt, në rast të nevojës.

Ndryshe, gjendja këtu paraqitet e qetë dhe më stabile, pas riparimit të tubave të ujit në kanalin e Ibër-Lepencit.

Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.

Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës, “mbase më të rëndësishmen që kemi”.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorportata Energjetike e Kosovës.