CH-Ballkani

Nuk na duhen donacione, ejani, bëni biznes në Kosovë!

Në Cyrih janë prezantuar të mërkurën mundësitë për investime dhe të bërit biznes në Kosovë, në Forumin për Investime dhe Tregti Zvicër - Kosovë, i organizuar nga MTI/KIESA, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Zvicër dhe Odën Ekonomike të Zvicrës për Evropën Qendrore (SEC).

Forumi i të mërkurës në Cyrih për tregtinë dhe investimet në Kosovë ka sjellë në Zvicër Besian Mustafën, drejtor të përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Mbështetje të Investimeve, Visar Peranin, zyrtar vendor i “International Finance Corporation”, Ekrem Hajdarin, shef i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Bajram Rexha nga Doganat e Kosovës, Nahit Sharku nga Administrata Kosovare e Tatimeve dhe Safet Gërxhaliun, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, raporton albinfo.ch.

Në organizim të Dhomës së Tregtisë të Cyrihut për Evropën e Mesme (Handelskammer Schweiz – Mitteleuropa (SEC), zyrtarët nga Prishtina kanë inkurajuar investitorët potencialë nga Zvicra që të sjellin kapitalin e tyre në Kosovë.

Felicitas Y.Gawenat SEC

Forumin e kanë hapur organizatorët, ndërsa në fjalën e përshëndetjes ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, ka thënë se vendi i saj ka punuar shumë për të rregulluar infrastrukturën ligjore.

“Janë krijuar shumë ligje për të lehtësuar ardhjen tuaj në Kosovë. Proceduarat janë thjeshtuar aq shumë, tani shumë lehtë është bërja e biznesit në vendin tonë”, tha Breca.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca

Ndërkaq Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Mbështetje të Investime, KIESA, ka bërë një prezantim të gjendjes aktuale të ekonomisë në Kosovë. Ai tha për albinfo.ch se me këtë forum duhet të rikujtohen investitorët zviceranë se në Kosovë ka përfunduar lufta para 20 vjetëve.

“Kosova është zhvilluar si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik, duke implementuar reforma ekonomike, të cilat e bëjnë shumë të favorshme ose atraktive Kosovën për investimet zvicerane, por edhe ato evropiane. Veçanërisht tani kur kemi nënshkruar Marrëveshjen e MSA-së me Bashkimin Evropian, që lejon tregti të lirë në tërë tregun e Bashkimit Evropian, duke prodhuar me një kosto shumë të ulët në Kosovë, sidomos në krahasim me shtetet, si Zvicra, atëherë Kosova bëhet një destinacion shumë i rëndësishëm dhe atraktiv për të investuar në Kosovë dhe pastaj, nëpërmjet MSA-së të eksportojnë në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Mustafa.
Kosova me vendet e rajonit ka mbetur prapa sa i përket investimeve zvicerane, por për Mustafën, ka një arsyetim, ngase ato vende kanë krijuar shtetësinë e tyre para shumë vjetëve, ndërsa Kosova është bërë shtet në vitin 2008.

Kosova është shteti më ri në rajon dhe në botë. Ndërkombëtarisht ka filluar të na njihet pavarësia dhe po flasim për më pak se 10 vjet që jemi shtet, prandaj dhe jemi më vonë se të tjerët. Mirëpo, lajmi i mirë është se i kemi zënë edhe vendet e tjera me reforma ekonomike”, inkurajon investitorët Mustafa.

Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Mbështetje të Investimeve, KIESA

Zgjedhjet dhe situata e krijuar pas zgjedhjeve nuk ka ndikuar që të mos mbahet Forumi në Cyrih për tregtinë dhe investimet në Kosovë.
Përkundrazi, sipas organizatorëve, e tërë Evropa është në zgjedhje dhe askund nuk flitet për jostabilitet politik.

Sektorët më të leverdishëm për të investuar në Kosovë janë tekstili, industria e drurit, përpunimi i metaleve, teknologjia informative, si dhe energjia. Kemi një rini shumë të re, mirë të shkolluar dhe të lidhur për shkak të diasporës me botën.

© 2017 ALBINFO.CH

Kosova rangohet e 13-ta sipas Bankës Botërore për të hapur më lehtë një biznes, ndërsa është e 20-ta për të marrë kredi.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj për lehtësimin e ambientit për të bërë biznes. Prandaj, për këtë arsye jemi duke e bërë këtë turne në gjithë Evropën për të treguar që Kosova po zhvillohet me hapa të hovshëm dhe t’i ftojmë kompanitë zvicerane dhe evropiane që të bëhen pjesë e këtij zhvillimi, dhe jo me donacione e as ndihma, por të bëjnë biznes dhe të krijojnë profit në Kosovë”, tha Mustafa, duke i bërë thirrje edhe diasporës kosovare që remitencat e tyre t’i kanalizojnë në biznese.
“Ejani, investoni në Kosovë, nuk keni nevojë të dërgoni para, por keni nevojë të bëheni bashkë. Bashkojeni kapitalin, themeloni kompani prodhuese dhe pastaj familjarët tuaj do të punojnë në ato kompani. Edhe familjarët tuaj gjejnë punësim, ndërsa ju do të gjeni profit në vendit tuaj”, i adresohet diasporës Mustafa.

Enver Haliti MECATYP-KS

Se është bërë më lehtë për të bërë biznes, ka treguar edhe Enver Haliti, i cili kishte orientuar një kompani zvicerane që të fillojë me prodhim në Kosovë në vitin 2010. Ideja e biznesit zvicerane kishte qenë që të orientohet në Azi, por Haliti kishte propozuar Kosovën.
Pasi kanë vizituar disa lokacione në Kosovë, në bashkëpunim me KIESA janë bindur investitorët zviceranë që të hapin biznesin e tyre në Ferizaj.

“Në fillim, kur edhe filloi prodhimi në 2010-ën, ishin ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike që ka qenë problemi kryesor dhe procedurat doganore që nuk kanë qenë shumë të qarta”, tregon për historikun e MECATYP-KS.

“Me kalimin e kohës, këto barriera janë eliminuar dhe sot një investitor e ka shumë më lehtë. Tanimë kemi një sistem shumë më të lehtë doganor dhe tatimor. Kemi rritur edhe prodhimin, ngase në vitin 2010 patëm filluar me dy makina dhe 3 punëtorë, tashmë kemi 6 makina të prodhimit dhe 18 punëtorë”, tha Haliti.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Edhe Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se me këtë Forum për tregtinë dhe investimet në Kosovë kanë dhënë një mesazh se përkundër politikës që dominon, në Kosovë ekziston një frymë e re që e sheh ekonominë dhe zhvillimin ekonomik me me prioritet për të dalë nga situata e krijuar.

“Nuk duhet të presim se çfarë mund të bëjë diaspora dhe Zvicra për zhvillimin ekonomik të vendit, por ne duhet t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë. Dhe, detyra kryesore është të sundojë rendi dhe ligji dhe të kemi një strategji të qartë se si t’u qasemi investitorëve të huaj, atëherë ne do të flasim për investime shumë më të mëdha në krahasim me vendet e rajonit”, tha Gërxhaliu.

“Në Kosovë flitet për krizë ekonomike, por gjeneza e kësaj krize është kriza juridike. Nëse nuk do t’i kemi këto probleme, zhvillimi ekonomik do të ishte i garantuar”, tha për albinfo.ch Gërxhaliu.

© 2017 ALBINFO.CH

Pjesëmarrësit patën rastin në këtë Forum të Cyrihut të takohen dhe të këmbejnë informacione me përfaqësues të kompanive kosovare dhe atyre zvicerane.

Gjatë Forumit  është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në mes KIESA-s dhe Odës Ekonomike të Zvicrës për Evropën Qendrore (SEC). E njëjta marrëveshje është nënshkruar edhe nga Oda Ekonomike të Kosovës me qëllim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.