Shkurt.ch

Nuk lejohet vuajtja e dënimit të zviceranëve jashtë Zvicrës

Ky qëndrim vjen si rezultat i ekspertizës së kryer nga Departamenti Federal i Sigurisë. Sipas ekspertizës, një gjë e tillë do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut

Kantonet e Zvicrës nuk kanë të drejtë t`i dërgojnë të burgosurit për të vazhduar vuajtjen e dënimit në vende të tjera. Ky qëndrim vjen si rezultat i ekspertizës së kryer nga Departamenti Federal i Sigurisë. Sipas ekspertizës, një gjë e tillë do të ishte shkelje e një të drejte të njeriut për të burgosurit.

Pas kësaj ekspertize, kantonet e Zvicrës Gjermane kanë vendosur që të mos  e praktikojnë dërgimin e të burgosurve të tyre jashtë vendit, siç ishte vendosur në kuadrin e një projekti të mëparshëm. Por çështja është më problematike në kantonet frankofone, ku burgjet prej kohësh janë të mbipopulluara dhe për këtë arsye kanë marrë disa herë kritika nga instanca të ndryshme të drejtësisë.
Benjamin Brägger nga konkordati i burgjeve të Zvicrës Veriperëndimore dhe asaj qendrore ka thënë për magazinën televizive 10vor10 se “ne nuk e kemi ngarkesën e njëjtë të burgjeve sikur në Zvicrën frankofone. Risi është se madje edhe në burgjet e tipit të mbyllur kemi vende të lira”.
Për  shkakun se në Zvicrën gjermane këtë vit ka pasur rekord të vendeve të lira që nga viti 2008, konkordati i burgjeve të këtij regjioni u ka ofruar kantoneve të Zvicrës frankofone që t`i sjellin të burgosurit e tyre për të vuajtur dënimin këtu.