Integrimi

Nuk është e lehtë marrja e një pasaporte gjermane

Të huajt duhet të kapërcejnë shumë pengesa për të marrë shtetësinë gjermane

 Përveç njohjes së gjuhës gjermane ka pesë vjet që të huajt duhet të kalojnë edhe një test të shtetësisë nëse ata duan të bëhen gjerman.

Cila kafshë është e paraqitur në stemën e Gjermanisë? Çfarë do të thotë “sovraniteti i popullit”? Janë disa nga 33 pyetjet në të cilat duhet të përgjigjen të huajt në testin e mbajtur në shkollën profesionale në Bon për të fituar shtetësinë gjermane.

Pesë vjet më parë, testi për shtetësinë gjermane është aplikuar në mbarë vendin. Atëherë u zhvillua një debat i ashpër lidhur me kuptimin dhe moskuptimin e këtij testi. I formuluar vështirë, shumë pyetje të detajuara, ishin disa prej kritikave. Ndërkohë, ai është thjeshtuar në disa vende. Por për studiuesin e migracionit, Dieter Thränhardt, ai është ende shumë i komplikuar.

 “Emigrantët e paarsimuar kanë probleme, madje edhe njerëzit që nuk e zotërojnë mirë gjuhën gjermane nuk e kanë të lehtë”, thotë Thränhardt për DW. Ai shpreh drojën e tij se grupe të caktuara të emigrantëve tremben për të aplikuar për shtetësinë gjermane.

Dhe me të vërtetë, numri i natyralizimeve ka rënë pas futjes së testit të shtetësisë. Por megjithatë vetëm për katër vite numri i tyre po rritet përsëri.

112.000 ishin në vitin e kaluar, pesë për qind më shumë se në vitin 2011.

 Kenan Araz nga “Zyra e Veprimit për Natyralizim” në Bochum ka shumë vite që këshillon emigrantët që duan të bëhen gjerman.

Në fillim ishte ngritur pak pluhur rreth kësaj çështje por testi nuk është më temë shumë e rëndësishme në bisedime.

 “Ndërkohë testi shihet sikur të ishte një test për patentë shoferin. Pas gjithë këtyre viteve njerëzit e konsiderojnë atë si diçka shumë normale…”, thotë Araz

Shumica e qytetarëve të rinj janë me origjinë turke, ky është dhe grupi më i madh i emigrantëve që jetojnë në Gjermani.

Ndërkohë gjithnjë e më shumë emigrantë nga Evropa Jugore duan të bëhen gjermanë.

Veçanërisht interesim i madh vërehet në radhët e emigrantëve nga vendet e eurozonës të përfshira në krizë: numri i grekëve të cilët kanë kërkuar pasaportën gjermane është ngritur vitin e kaluar përmbi 80 për qind, italianët ishin gati 30 për qind më shumë.

Midis tyre janë shumë të rinj të mirë-arsimuar të cilët nuk arrijnë të gjejnë një vend punë në vendlindjen e tyre dhe shohin shanse më të mira në Gjermaninë më të fortë ekonomikisht.

Qeveria ka shtuar përpjekjet e saj për emigrantë të tillë me kualifikim të mirë. Kjo për faktin se Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar në shumë fusha.

Disa lande gjermane angazhohen në mënyrë specifike që emigrantët të aplikojnë për pasaportën gjermane.

Edhe pse landet gjermane duan që numri i atyre që natyralizohen të jetë më i madh prapëseprapë nuk është e lehtë marrja e një pasaporte gjermane.

Testi i shtetësisë nuk është pengesa e vetme.

Një emigrant duhet të ketë jetuar të paktën tetë vjet në Gjermani, duhet të mos jetë i dënuar për vepra penale dhe duhet të dëshmojë se fiton të ardhura të mjaftueshme për të mos qenë i varur nga ndihmat sociale.

Përveç kësaj, është e nevojshme edhe njohja e mirë e gjuhës gjermane.

/albinfo&dw/