Integrimi
A u ka ikur koha notave në shkolla?
Nils Landolt: "Megjithëse shkollat fillore pa nota në Zvicër nuk janë ende në shumicë, nga pikëpamja pedagogjike ka shumë arsye për vlerësimin pa numra"
Tani, kur gjendemi pak para pushimeve të vjeshtës, tashmë janë vënë notat e para të provimeve dhe me çdo notë shtesë presioni për performancë në shkollë rritet vazhdimisht. Sidomos për të rinjtë e ciklit të lartë, sepse nxënësit e këtij cikli janë të gatshëm të bëjnë çmos për nota të mira, në mënyrë që të mund të shkëlqejnë më vonë në dosjen e aplikimit me nota shumë të mira.
Por a përbëjnë vërtet raportet e shkollave një garanci për një përzgjedhje të suksesshme të të rinjve nga ndërmarrjet që ofrojnë kualifikimin e tyre profesional? “Jo! “, thotë Swisscom: “Njerëzit duhet vlerësuar para dosjeve”. Këtë verë, kompania e njohur e IT-së i çliroi plotësisht të rinjtë nga raportet shkollore në dosjen e aplikimit. Megjithatë, slogani i ri në fjalë nuk preokupon vetëm nxënësit.
“Një trend i tillë po shkon në drejtimin e duhur,” thotë Nils Landolt, një mësues i shkollës fillore nga Glarus-i. “Gjithnjë e më shumë kompani po mbështeten në kritere të tjera për vendet e hapura për kualifikim profesional në kompani. Përvoja e tyre në praktikë tregon se madje edhe niveli më i lartë i shënuar në certifikatën e shkollës së ciklit të lartë duhet të shihet në mënyrë kritike. Notat ndonjëherë flasin më shumë për mësuesit sesa për vetë nxënësit e ardhshëm”.
Në një intervistë për Albinfo.ch, z. Landolt shpjegon përse ka ndërprerë punën si mësues në shkollën fillore pas 10 vitesh dhe për çfarë flet libri i tij i ri “Ndryshimi i shkollës”. .
albinfo.ch: Për të mos anashkaluar asnjë talent, kompanitë e trajnimit të orientuara drejt së ardhmes duan aftësi shumë specifike dhe jo më shifra nga 1 në 6. A i ka kaluar me të vërtetë koha certifikatës së shkollës fillore?
Nils Landolt: Edhe pse shkollat fillore pa nota në Zvicër nuk përbëjnë ende shumicën, nga pikëpamja arsimore ka shumë arsye për vlerësimin pa nota. Sepse ndonëse shkolla fillore dhe notat kanë ecur që në fillim së bashku, ky instrument i pushtetit i të gjithë mësuesve (nota) është kritikuar që në fillim. Nuk po flasim vetëm për prindër të pakënaqur, por edhe për përfaqësues të nëndisiplinave të ndryshme të arsimit që janë kritikë ndaj notave.
Unë gjithashtu ndaj mendimin se notat janë një mjet shumë i pasaktë dhe kufizues për të pasqyruar aftësitë aktuale të nxënësve nga pikëpamja e të mësuarit dhe psikologjisë së zhvillimit. Për shembull, nota 5 për një leksion të gjermanishtes ka peshë të ndryshme nga nxënësi në nxënës, nga klasa në klasë dhe nga shkolla në shkollë. Nota 5 e leksionit varet drejtpërdrejt edhe nga përbërja e klasës, cilësia e mësimdhënies dhe madje edhe nga resurset private dhe shkollore të fëmijës ose të riut. Nëse në rastin tonë (me notën 5) përfshini edhe kriteret individuale të mësuesit përkatës, mund të shihni qartë se sa kompleks dhe shumëfaktorial mund të jetë ndërtimi i një note. Aftësitë teknike dhe ndërdisiplinore të nxënësve zhvillohen në një mënyrë shumë komplekse dhe dinamike, dhe këtë fakt po e shohin gjithnjë e më shumë kompani trajnimi dhe për këtë arsye po mbështeten në kritere të reja për rekrutimin e anëtarëve të ekipit të tyre të ardhshëm.
albinfo.ch: A keni edhe ju ndonjë alternativë për kritikën tuaj të notës dhe për cilat kritere të reja po flasim konkretisht?
Nils Landolt: Alternativat arsimore kanë ekzistuar tashmë një kohë të gjatë. Shembuj pozitivë në këtë drejtim do të ishin shkollat e Sudbury Valley, shkollat e Rudolf Steiner ose pedagogjia Reggio në përgjithësi. Në fondacionin tonë www.schulwandel.ch ne jemi gjithashtu të përkushtuar për konsideratën individuale të zhvillimit të të mësuarit të një fëmije apo të riu.
Sipas Adecco-s, që është një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve të personelit në botë me qendër në Cyrih, gjysma e “jetëgjatësisë” së certifikatave ose diplomave është 3 vjet. Nuk po flasim këtu vetëm për shkollën fillore, por edhe për nivelin terciar, nivelin më të lartë të sistemit tonë arsimor. Në përgjithësi, mund të thuhet se kur dilni në treg pas studimeve tuaja, gjysma e përmbajtjes së modulit të studimeve tuaja tashmë është bërë e parëndësishme për nevojat e tregut. Nuk ka certifikatë note që mund të vazhdojë të vlejë kundrejt një zhvillimi kaq dinamik. Kjo, për shkak se sistemi aktual arsimor është shumë i plogësht dhe jo vetëm që mat në mënyrë shumë të pasaktë atë që arrijnë nxënësit, por shpesh vendos edhe kritere të gabuara. Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë kompani që ofrojnë kualifikim profesional përveç që mbështeten në raportet e shkollave, i shikojnë edhe kandidatët individualisht dhe sipas kritereve të tyre për pozicionin e hapur të kualifikimit. Në fondacionin tonë, ne i konsiderojmë katër kriteret e mëposhtme si largpamëse, përkatësisht kreativitetin, të menduarit kritik, bashkëpunimin dhe komunikimin. Çfarë nënkuptohet me këtë është përcaktuar më saktë edhe në platformën tonë. www. schulwandel.ch
albinfo.ch: Çfarë ju kalon nëpër kokë kur shikoni notat nga koha kur ju ishit nxënës?
Nils Landolt: Ditët e mia të shkollës fillore ishin shumë të ngjeshura me mësim por dhe shqetësuese në të njëjtën kohë. Si djalë i vogël, e kisha të vështirë tu nënshtrohesha autoriteteve, pra mësuesve, që në fillim. Rregullat e shkollës nuk më linin shumë përshtypje, shumë shpejt fillova të vë në dyshim rregullat dhe të diskutoj ato me të rriturit. Kështu që unë, në fund eksplorova kufijtë e shkollës dhe gjithçka për të mos ndjekur rregullat. Edhe pse u rrita në një familje të arsimuar, babai im ishte vetë mësues i shkollës së mesme dhe nëna ime mjeke, ky privilegj nuk bëri shumë për notat e mia në përfundim të shkollës fillore. Vetëm pas klasës së 6-të, unë isha futur në klasën reale.
Megjithatë, pas vitit të parë të gjimnazit, qëndrimi im ndaj shkollës ndryshoi befas, sepse fillova të kuptoja se sa të rëndësishme janë vitet e fundit të shkollës. Kalimi i provimit pranues më çoi në shkollën e mesme dhe përfundova në klasën e babait tim. Roli i dyfishtë i babait tim si mësues dhe unë si nxënës rezultoi të ishte shumë stimulues për performancën time akademike. Në fund të ciklit të lartë arrita të shkoj edhe në gjimnaz. Pasoi diploma bachelor në Universitetin e Pedagogjisë, në Cyrih. Pas trajnimit si mësues i shkollës fillore, kam punuar në këtë fushë profesionale për 10 vjet. Sot, unë dhe gruaja ime jemi aktivë në Fondacionin e Ndryshimit të Shkollës dhe përmes punës sonë jemi të përkushtuar për një shkollë që u mundëson fëmijëve të mësojnë në mënyrë të mëvetësishme. www.lernhaussole.ch
Fakti që unë do të botoj një libër për arsimin dhe ndryshimin e shkollës së bashku me gruan time në fund të vitit, do të thotë se mund të shikoj i qetë dhe me një buzëqeshje të madhe në fytyrë për notat nga ditët e mia të shkollës.
Sepse jo çdo gjë që është e keqe është edhe e dëmshme. Megjithë notat e pakënaqshme të shkollës, sot gjeta punën time të ëndrrave dhe u uroj pikërisht këtë mundësi të gjithë fëmijëve dhe të rinjve që janë ende në shkollë ose që vazhdojnë të kalojnë nga shkolla fillore.
Këtë të premte mund të njiheni me Nils Landolt, redaksia ofron ende tri bileta falas.
linkedin.com/in/nilslandolt): https://www.schulwandel.ch/veranstaltungen/trammuseumbarcamp
Kontakt: [email protected]
Linku i librit: https://www.verlagskv.ch/produkte/schulwandel
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve