Shkurt.ch

Norvegjia i dorëzon Zvicrës vrasësin e Vigan Morinës

Shivan M. të mërkurën është marrë për herë të parë në pyetje nga prokuroria e Cyrihut

Është kryer ekstradimi nga Norvegjia i personit të dyshuar për vrasjen e të riut shqiptar Vigan Morina.

Siç ishte paralajmëruar tash sa kohë, autoritetet norvegjeze kishin marrë vendimin për ekstradim, të cilin edhe e kanë realizuar këtë të martë. Këtë lajm e konfirmon prokuroria e përgjithshme e Cyrihut në një komunikatë për medie të publikuar sot. Ajo njofton po ashtu se Shivan M. të mërkurën është marrë për herë të parë në pyetje.

Për shkaqe që lidhen me hetimet, prokuroria nuk ka dhënë hollësi të tjera lidhur me rastin, shkruan sda.

Shivan M, një kurd 23 vjeç me prejardhje nga Iraku, është i dyshuari i vetëm për vrasjen e rëndë që pati ndodhur më 15 korrik para lokalit të njohur të Cyrihut Kaufleute. Menjëherë pas vrasjes ai ishte arratisur në Norvegji, ku ishte arrestuar pas dy javësh.