Lajme

Njohuritë që marrim nga Austria, t’i përdorim në vendin tonë

Ganimete Bajraktari: Me rëndësi për mua është të mos harrojmë vendin tonë dhe të kthehemi për të bërë diçka atje, duke shfrytëzuar njohuritë që marrim nga Austria

Femrat kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë nismëtare të shumë lëvizjeve e ndryshimeve për vendin tonë. Personazhi i këtij shkrimi quhet Ganimet Bajraktari, një vullnetare e aktiviste me zemër të madhe që me projektet e saj përpiqet të ndihmojë vendlindjen e saj, Kosovën. Për shkak të pandemisë, u desh të njihem virtualisht me të. Nga biseda telefonike që patëm rrezatonte pozitivitet. Është diplomuar për Matematikë në Shkollën e lartë në Prizren, ku dhe ka ushtruar detyrën e arsimtares së matematikës në shkollën paralele. Për momentin ajo punon si psikologe në një qendër rehabilitimi në Niederösterreich (Austria e Ulët).

Historia e emigrimit të zonjës Ganimet ka nisur më 1995, kur iu desh të largohej nga Kosova, pasi me një grup vajzash kishin themeluar Organizatën e Rezistencës së Armatosur në Prizren. “Me vajzat e ilegales kishim bërë përgatitje, sidomos në përdorimin e armëve të lehta dhe përgatitje fizike e ushtarake. Nga grupi i vajzave isha pjesëmarrëse në disa takime, ku u sollën vendime të rëndësishme. Më vonë puna jonë vështirësohet dhe grupet ilegale përjetojnë largim nga Kosova, për shkak të rrezikut”, shprehet ajo në bisedën tonë për albinfo.at.

Guximi i këtij grupimi për të mbrojtur vendin, i detyroi të emigronin. Përveç vështirësive me gjuhën e integrimin në Austri, Ganimetja thotë se personat që vinin nga aktivitetet e kohës së okupimit të Serbisë në Kosovë para luftës ishin të rrezikuar edhe në vendet e treta. Pra, edhe pse erdhi për t’u mbrojtur këtu, duhet të tregonte kujdes dhe maturi në lëvizje dhe në prezencën në rrethe të panjohura.

Shoqata “Jeta buron”, në shërbim të shëndetit, në Kosovë

Arritja e saj më e madhe është Liria dhe Shtetësia e Kosovës. Ndërsa në anën profesionale do të konsideronte të arritur sikur të bënte projektin në Kosovë për aftësimin personal për personat me aftësi të kufizuar. Prej vitit 2015 Ganimete Bajraktari ka themeluar shoqatën “Jeta buron“ në Prizren, ku së bashku me ekspertë austriakë kanë identifikuar në terren për tre muaj mbi 20.000 persona me probleme të mëdha të çrregullimeve shëndetësorë (psikike dhe fizike).

“Qëllimi im ishte të ofroj program jo vetëm afatshkurtër, por një trajtim profesional të bazuar në analizë shkencore. Shteti austriak përpos anës profesionale ofronte edhe fonde, që premtonin një punë të mirë. Në pamundësi të vazhdimit të projektit që ëndërroja, me ndihmën e miqve austriakë fillova me projektin tjetër për aftësim profesional të grave pa profesion, në zonat rurale. Këtë aktivitet e bëj në Prizren dhe në fshatrat e Anadrinit, në Komunën e Rahovecit. Përpos ndihmës nga shoqatat austriake, këtu më ndihmojnë edhe disa mërgimtarë nga SHBA dhe Evropa. Gjatë kësaj kohe arritëm të aftësojmë 300 gra në kurset e rrobaqepësisë”, rrëfen ajo.

Kohët e fundit Ganimetja bashkë me bashkëkombës të tjerë janë bërë nismëtarë të krijimit të  grupimi për diasporën. Forca e Diasporës (FeD) lindi si ide midis Vjenës dhe Uashingtonit me ndihmën e Ambasadorit Walker e shqiptarëve të tjerë si: Mehmet Manovi, Lobisti Avni Dervishi, humanistja Dr.Shpresa Xhakli, Prof.Dr Pashko Camaj (Ligjërues në Universitetin Kolumbia në New York) etj. Më 2 prill të këtij viti u mbajt kongresi botëror i kësaj force, e cila pritet të marrë pjesë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Kosovës.

Nuk ka ambicie politike, i mjafton puna humanitare

Ajo nuk ka qëllim aspak të angazhohet në politikë, mjafton të shërbejë në Forcën e Diasporës sepse mendon se nëpërmjet saj do të konkretizojë më lehtë projektet që ka në plan. E pyetur se çfarë do të donte të ndryshonte, ajo tha: “Në Kosovë do të ndryshoja perceptimin ndaj punës. Do të rrisja përgjegjësinë dhe do të avancoja arsimin. Mundohem që mungesën që kam për vendin ta kompensoj me angazhim në punë vullnetare, që lidhen me Kosovën”.

Të bën përshtypje me sa dashuri fliste Ganimetja për Kosovën e për ëndrrat që donte të realizonte atje. Humanistja kishte qëllim kryesor të ndihmonte njerëzit në nevojë nëpërmjet arsimimit, e kryesisht atë profesional. Tek flisja në telefon dhe e pyesja për punën e saj këtu në Austri më tha: “Pasi emigruam dihej që do të integroheshim në shoqërinë austriake, do të fillonim një punë e do të ishim këtu ku jemi sot. Me rëndësi për mua është të mos harrojmë vendin tonë dhe të kthehemi për të bërë diçka atje duke shfrytëzuar njohuritë që marrim nga Austria”.

Për të nuk ishte e rëndësishme çfarë bënte në Austri, por çfarë po bënte për Kosovën. Si të thuash që koka i ka mbetur mbrapa në vendlindje kur mori rrugën e emigrimit. Sa mirë do të ishte sikur çdokush nga ne të ndjente sado pak përgjegjësi për të marrë një nismë sado të vogël për Shqipërinë tonë. Mendoj se njerëz nismëtarë të diasporës si zonja Ganimete mund ta çojnë para vendin. Suksesi, jeta, karriera në emigrim të jep kënaqësi të madhe, por kurrë mos harro ku e nise rrugëtimin tënd!

Box

Në Kosovë, do të donte të ndryshonte qasjen ndaj punës

E pyetur se çfarë do të donte të ndryshonte, ajo tha: “Në Kosovë do të ndryshoja perceptimin ndaj punës. Do të rrisja përgjegjësinë dhe do të avancoja arsimin. Mundohem që mungesën që kam për vendin ta kompensoj me angazhim në punë vullnetare, që lidhen me Kosovën”.

Box 2

Kanë identifikuar mbi 20.000 persona me probleme shëndetësore

Prej vitit 2015 Ganimete Bajraktari ka themeluar shoqatën “Jeta buron“ në Prizren, ku së bashku me ekspertë austriakë kanë identifikuar në terren për tre muaj mbi 20.000 persona me probleme të mëdha të çrregullimeve shëndetësore (psikike dhe fizike). “Qëllimi im ishte të ofroj program jo vetëm afatshkurtër, por një trajtim profesional të bazuar në analizë shkencore.