Gjuha

Njoftim me rëndësi për nxënësit shqiptarë në Cyrih

Të nderuar prindër, ju lutemi t'ua përcillni këtë njoftim fëmijëve tuaj

Për arsye të gjendjes së krijuar si shkak i përhapjes së Koronavirusit, ju jeni duke qëndruar në shtëpitë tuaja. Ne urojmë që ju të jeni të gjithë mirë me shëndet dhe ta kaloni kohën sa më mirë që të jetë e mundur.

Ne ju drejtohemi me anë të këtij njoftimi me disa udhëzime lidhur me Mësimin plotësues në gjuhën shqipe, të cilin ju e keni ndjekur deri më tash.

Ju keni në shtëpitë tuaja tekstet e mësimit plotësues, të cilat i keni marrë nga ne, mësimdhënësit tuaj, dhe aty keni mundësinë të lexoni tema të ndryshme, qoftë nga lënda e Gjuhës shqipe, apo edhe tema të tjera, të cilat kanë të bëjnë me historinë, gjeorafinë dhe kulturën shqiptare.

Ju njoftojmë se në faqen tonë lapsh-zh.ch, tek rubrika Mësimi Online, ju do të mund të lexoni përmbajtje mësimore nga Fletoret tematike, të cilat gjatë ditëve në vijim, do t’i pasurojmë me materiale të ndryshme didaktike, në mënyrë që gjatë kësaj kohe sa ju qëndroni e mësoni në shtëpitë tuaja, të keni mundësinë që të mësoni gjëra të reja edhe në Gjuhën shqipe.

Gjithashtu, ju njoftojmë se që nga sot në programin e RTK-së, prej orës 11.15, në kanalin RTK4, (programet mund t’i ndiqni në uebfaqen RTK Live) ka filluar të jepet emisioni e-Mësimi, i cili u kushtohet nxënësve të shkollës fillore në Kosovë. Por, edhe ju këtu në Zvicër mund të mësoni shumë gjëra nga ky program, sidomos nga lënda e Gjuhës shqipe.

Ju urojmë punë të mbarë!

Mësueset dhe mësuesit e LAPSH “N. Frashëri” për kantonin e Cyrihut