Sport

Njihuni me skuadrën shqiptare të Zvicrës që numëron 300 futbollistë aktivë

„Me 13 ekipe amatore që garojnë në kampionatet e futbollit zviceran, Iliria lë mbrapa shumë skuadra me traditë të madhe në futbollin zviceran. Madje në shumë skuadra futbollistike të kantonëve zvicerane nuk e gjen dot as edhe një skuadër që është kaq e kompletuar me të gjitha ekipet e grupmoshave të reja".

 

  • Përforcimi me portierin Vilson Dedaj i dyti nga e majta

  • Fizioterapistja Maria Meier dhe trajneri Rexhepi

  • Kryesia e FC Ilirisë

  • Trajneri Përparim Rexhepi

  • Kryetari i klubit Hasan Kuçi

  • Mirënjohje për nënat

  • Mirënjohje për sponzorin gjeneral kompaninë Ostfinanz

  • Mirënjohje për Albinfo.ch

Shqiponjat e Solothurnit të njohur si FC Iliria, kanë arritur kulmin e sukseseve në vitin që po lëmë pas. Si kampionë të ligës së dytë regjionale, stinorin vjeshtor ata kanë startuar në ligën e dytë ndër-regjionale dhe si fitues të kupës së Solothurnit gjatë vitit 2016, ata kishin fituar të drejtën për pjesëmarrje në garat e kupës së Zvicrës. Kështu, shqiponjat ilire, kanë shkruar historinë si klubi i parë shqiptar që ka marrë pjesë në garat për kupën e Zvicrës. Ata kanë mbyllur këte fundjavë vitin futbollistik me darkën falënderuese në një atmosferë festive e me ndarjen e shumë mirënjohjeve për kontribuesit e klubit.

Megjithë sukseset e shpejta e të mëdha të klubit futbollistik shqiptar, ilirët e Solothurnit janë ballafaquar këtë vit më vështirësi serioze në start të stinorit vjeshtor.

Ilirët kanë mbyllur stinorin vjeshtor në fundin e tabelës të grupit të 5-të të ligës së dytë ndër-regjionale, me vetëm 7 pikë të tubuara nga 13 ndeshje që kanë zhvilluar gjatë këtij stinori dhe kanë një golaverazh 15 gola të shënuar me 45 të pranuar.

Mirëpo kjo nuk i ka penguar drejtuesit e këtij ekipi të madh shqiptar, që ta shtrojnë darkën falënderuese të fundvitit në një ambient të ngrohët familjar, pasi që siç thonë vetë anëtarët e kryesisë së klubit, ne tani ngadalë po këndellemi. „Kemi përfunduar tri takimet e fundit me rezultat pozitiv dhe kemi siguruar shërbimet e disa lojtarëve shumë cilësorë“, tregon trajneri i ekipit të parë të FC Ilirisë, Përparim Rexhepi.

Klubi shqiptar FC Iliria zhvillon garat me 13 ekipe futbollistike

FC Iliria është njëra ndër skuadrat e pakëta shqiptare në diasporë që disponon me të gjitha grupmoshat e juniorëve. „Me 13 ekipe amatore që garojnë në kampionatet e futbollit zviceran, Iliria lë mbrapa shumë skuadra me traditë të madhe në futbollin zviceran. Madje në shumë skuadra futbollistike të kantoneve zvicerane nuk e gjen dot as edhe një skuadër që është kaq e kompletuar me të gjitha ekipet e grupmoshave të reja e, deri tek veteranët.

Drejtuesit e klubit punojnë me një vullnet të madh dhe pa kompensim-gjithçka është punë vullentare, tregon drejtuesi i marketingut, Ardit Sadikaj. „Kemi 60 mijë euro buxhet vjetor për të mbuluar të gjitha shpenzimet e klubit. Vetëm për një paraqitje të ekipit të parë në lojën si vendas, ne paguajmë rreth 700 franga për treshen e gjyqëtarëve“, sqaron Sadikaj. Gjysmën e buxhetit të klubit e mbulon kompania kreditore, „Ostfinanz“. Me rreth 30 mijë franga, sponzori gjeneral i FC Ilirisë, Nagip Memedi, i jep një mbështetje të fortë futbollit, duke veçuar këtu socializimin e të rinjëve shqiptarë në rrugën e një integrimi sa me të suksesshëm në Zvicër, vlerësojnë drejtuesit e kësaj skuadre.

Sipas kryetarit të klubit, Hasan Kuçi, takimi i fundvitit është në program të klubit si darkë tradicionale që shtrohet për çdo vit për nderë të të gjithë atyre që e mbështesin klubin, duke ndarë mirënjohje për ta dhe sponzorët. „Natyrisht kjo darkë shërben edhe për t’i bërë bashkë familjet tona shqiptare që e kthejnë këtë takim në një festë familjare“.

FC Iliria numëron 500 anëtarë, prej tyre 300 janë futbollistë të pajisur me kartela apo siç njihet në botën e futbollit, pasaporta e futbollistit. Ky klub ka në mesin e vet edhe anëtarë e futbollistë të nacionaliteteve të tjera, si zviceranë, italianë, kroatë. Fizioterapistja që kujdeset për këmbë të shëndosha të futbollistëve, është kroatja Maria Meier, tregon tiranasi Ardit Sadikaj, cili ka merita të mëdha për suksesin e këtij klubi.

Presidenti i klubit, z. Kuçi, na informon se në këtë klub futbollistik bëhet punë e madhe në integrimin e të rinjve, por edhe në ruajtjen e traditave tona.

Cila shoqatë shqiptare në Zvicër i ka 500 anëtarë?

„Po të vini të shihni juniorët tanë të moshës 10 -11 vjeçare, ju mund të takoni deri në 15 fëmijë shqiptarë që flasin shqip, në stërvitje dhe në lojë. Kështu ne ruajmë dhe kultivojmë gjuhën tonë amtare“.

Dhe jo vetëm, në ekipin e parë dhe të dytë Iliria ka një perzierje të kombësive, pra është një bashkëjetesë mes lojtarëve të nacionaliteteve të ndryshme që jetojnë në këtë vend.

Në anën tjetër, presidenti i klubit, shprehet i habitur si mediat kaq pak shkruajnë për klubet futbollistike. „Cila shoqatë në Zvicër i ka 500 anëtarë“, pyet Kuçi, „ma thuani një“ thotë ai duke shtuar se këtu ruhen vlerat kombëtare, këtu kultivohet gjuha tek të rinjtë tanë. Prandaj kërkojmë nga ju si albinfo.ch që të shkruani më shpesh për klubet shqiptare të futbollit në Zvicër.

Prej 500 anëtarëve të regjistruar në FC Ilirinë, rreth 300 janë futbollistë aktivë që luajnë në të gjitha grupmoshat e të rinjëve, në ekipin e seniorëve, veteranëve dhe dy ekipet e para, një në ligën e katërt kantonale dhe ekipi i parë që garon nga stinori vjeshtor në ligën e dytë ndërregjionale.

Kuçi është i vetëdijshëm se kërkohet ende shumë punë, por nuk fsheh krenarinë për sukseset e arritura. „Ne kemi fituar kupën e kantonit të Solothurnit, me çka fituam të drejtën për pjesëmarrje në garën për Kupën e Zvicrës në një kategori me ekipe si Baseli e Cyrihu“, kujton Kuçi paraqitjet e skuadrës së Ilirisë, e cila u diskualifikua nga këto gara në përballjen e dytë ndaj ekipit të Challenge ligës, FC Schaffhausen.

Trajneri u gëzohet përforcimeve me lojtarë të ligave të para

Trajneri i ekipit të parë, Përparim Rexhepi, është i bindur se Iliria do t` ia dalë mbanë dhe në fund të stinorit pranveror do të sigurojë mbijetesën.

„Kemi marrë pesë përforcime cilësore dhe shumë të rëndësishme për ne“, tregon Rexhepi dhe vazhdon, „me portierin Vilson Dedaj dhe vëllanë e tij Dukagjin Dedaj ne kemi siguruar shërbimet e një portieri dhe lojtari shumë cilësor që kanë luajtur në ligën e parë me Badenin“.

Ashtu siç e kishim menduar, ky stinor në një ligë më të lartë, ka qenë shumë i vështirë për ne. Megjithatë, ne e kemi pritur këtë, shto këtu edhe problemet e mëdha sikur janë mungesat e lojtarëve në kohën e pushimeve verore, përgatitja e mangët fizike dhe shumë lëndime kanë ndikuar që ne mos të arrijmë të marrim rezultate pozitive“, vlerëson trajneri Rexhepi.

Një pikë tjetër sfiduese për skuadrat e Solothurnit, është edhe niveli më i ulët i futbollit në këtë kanton dhe mungesa e financave, veçon Rexhepi. „Klubet e Baselit dhe Cyrihut, kanë më shumë financa, unë vetë kam luajtur për 7 vite në Langenthal dhe e di që në këto kantone lojtarët e mirë paguhen dhe atje ka një konkurrencë shumë më të fortë futbollistike se në ekipet e Solothurnit“.