Lajme
Njihuni me Kaltrinin, policin shqiptar në Vjenë
Në një intervistë për albinfo.at, polici shqiptar, Kaltrin Murati, tregon për punën dhe karrierën e tij si polic në Vjenë
Profesioni i policit në Austri është një punë e vështirë dhe shpesh shoqërohet me raste të rrezikshme. Por, jo rrallë policët kthehen në heronj: Sepse ata shpëtojnë jetë, ofrojnë mbrojtje, ndihmë dhe e bëjnë Vjenën një nga qytet më të sigurta në botë. Një nga “heronjtë” shqiptarë, që shërben në policinë austriake është edhe Kaltrin Murati. Polici shqiptar është i lindur në Vjenë, por me prejardhje është nga Tetova. Babai i tij kishte migruar në Austri që në moshë të re. Kaltrini shërben në Policinë e Vjenës që nga viti 2015. Gjatë karrierës si polic, ai ka fituar disa mirënjohje për punën dhe sakrificën e tij për të shpëtuar të tjerët, ndërsa në vitin 2020 ishte në garë për të fituar çmimin “Polici i vitit në Vjenë”.
Albinfo.at: Kaltrin, jeni ndër shqiptarët e parë që jeni bërë pjesë e policisë austriake. Një profesion sa i respektuar, po aq edhe sfidues. Si ju erdhi ideja për t’u bërë pjesë e Policisë austriake?
Murati: Parimi kryesor në jetën time është t’u ndihmoj njerëzve. Profesioni i policit është një nga profesionet me humane, sepse policët përballen çdo ditë me lloj-lloj vështirësish dhe rreziqesh, vetëm për të shpëtuar jetën e tjerëve apo për t’i bërë njerëzit të ndihen të sigurt në shtëpitë e tyre, në qytet apo kudo që jetojnë. P.sh: Nëse policia e arreston një shitës të narkotikëve, atëherë aty po arrestohet një person, por në anën tjetër shpëtohen shumë njerëz të tjerë, e mbi të gjitha po u sigurohet fëmijëve të rritën në një ambient të mirë.
Albinfo.at: Cila është pozita juaj aktuale në Policinë e Vjenës dhe në cilin stacion të policisë shërbeni?
Murati: Aktualisht jam i stacionuar në “Stadtpolizieikommando” në stacionin e policisë në Stumpergasse në qarkun e 6, në Margareten, kurse shërbej në qarkun 4,5 dhe 6. Puna ime është mbikëqyrja e rendit, komunikacionit dhe lëndëve narkotike. Ndërkohë, çdo ditë e më shumë punoj që të ngritëm në nivel më të lartë dhe në funksione udhëheqëse në policinë e Vjenës.
Albinfo.at: Në fushata të ndryshme në Vjenë shohim vazhdimisht të inkurajohen të rinjtë të aplikojnë për policë. Sa është vështirë për t’u pranuar për polic në Austri dhe çfarë shkollimi kërkohet?
Murati: Në kohën kur unë jam pranuar si polic, kishte kritere më të larta dhe interesimi i të rinjve për të punuar polic, ishte më i madh. Unë kam bërë provimin për të hyrë në shkollën e policisë, kam pasur shumë teste. Duhej të kalohej një testim prej 3 mijë metrash vrapim, 100 metra not, pastaj testi i shkathtësive fizike, një test psikologjik si dhe kërkohej njohja në nivel të lartë e gjuhës gjermane. Po ashtu, kam pasur një intervistë të drejtpërdrejtë me një zyrtar të lartë të policisë. Përfundimisht, në të gjitha testet i kam grumbulluar 964 pikë prej 998 pikëve sa ishin pikët maksimale. Pra, kam qenë një nga më të mirët e atij konkursi. Pas përfundimit të testeve, atëherë është shkollimi për policë, i cili zgjat 2 vite.
Albinfo.at: Po, para se të zgjidhni profesionin e policisë, çfarë keni punuar?
Murati: Kam përfunduar gjimnazin. Krahas shkollimit, isha i detyruar edhe të punoja. Babai im ndërroi jetë në moshë të re dhe unë u desh të kujdesesha për anëtarët e familjes. Në atë kohë, kam punuar si mbikëqyrës i një firme për sigurimin e objekteve. Më vonë, rrethanat ndryshuan dhe fillova të ndjek shkollimin për polic.
Albinfo.at: Puna juaj është shumë sfiduese, ballafaqoheni me raste dhe persona të ndryshëm, madje jo rrallë e vini edhe jetën tuaj në rrezik. Gjatë karrierës suaj si polic, cili ka qenë rasti më i rrezikshëm për ju?
Murati: Sigurisht që ballafaqohemi me raste të ndryshme. Por, më duhet ta përmend një rast që ka ndodhur në vitin 2019 në rrugën Pressgasse në qarkun e katërt të Vjenës. Aty kishte ndodhur një shpërthim i një bombole gazi, ku kishin mbetur të vdekur dy persona dhe 15 të tjerë ishin lënduar. Falë një aksioni të njësisë sonë policore, arritëm që të shpëtojmë pjesën tjetër të banorëve që kishin mbetur brenda. Isha i pari që arrita të futem brenda për të shpëtuar banorët. Duke u ngjitur nga shkallët ndihmëse, dëgjova një grua e cila bërtiste, qante dhe kërkonte ndihmë. Ndërtesa ishte afër shembjes. Gruaja kishte mbetur e ngujuar nën një gërmadhë, në katin e tretë. Kur gjendesh para një rasti të tillë, në atë moment nuk e mendon as rrezikun për jetën, por kërkohet vetëm qetësi dhe profesionalizëm. Falë Zotit dhe përvojës sime, arrita të depërtoj tek ajo gruaja, dhe arrita ta shpëtoj. Ka qenë një moment shumë i lumtur për mua dhe kam marrë falënderime të shumta nga popullata, por edhe një mirënjohje nga Policia e Vjenës.
Albinfo.at: Na kujtohet që pikërisht për këtë rast, ju në vitin 2020 ishit i nominuar për çmimin „Polici i vitit në Vjenë“. Çfarë ndjesie ishte kjo për ju?
Murati: Ishte kënaqësi shumë e madhe si për mua, ashtu edhe për familjen time. Në atë vit unë zura vendin e dytë më votat e publikut, pra për pak vota nuk arrita të fitoj vendin e parë. Me këtë rast dëshiroj t’ju falënderoj edhe ju si platformë e albinfo.at, që mobilizuat publikun, e veçanërisht komunitetin shqiptar në Austri, të votojnë për mua.
Albinfo.at: Një rast tjetër që duhet ta përmendim aq sa na lejohet, është edhe rasti i 2 nëntorit 2020, i quajtur “atentati i Vjenës”, në të cilën mbetën të vdekur 4 persona dhe disa të tjerë të lënduar. Ku ishit ju atë mbrëmje?
Murati: Fillimisht më vjen shumë keq për humbjen e jetës së katër personave të pafajshëm. Atë ditë e kam pasur të lirë. Me të marrë lajmin, menjëherë u jam bashkuar kolegëve për të kthyer qetësinë në qytet dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Detaje të tjera nuk mund të jap, përveç se po ashtu kam marrë mirënjohje nga qyteti i Vjenës për angazhimin tim në aksionin e asaj nate.
Albinfo.at: Duke qenë se jeni me prejardhje shqiptare, a keni vënë re dallime në profesionin tuaj?
Murati: Jo aspak, në stacionin e policisë të gjithë jemi të njëjtë. Ndonjëherë bëjmë ndonjë shaka, por ato janë në baza të humorit (qesh). Puna jonë vlerësohet, nuk pyetet për origjinën e personit.
Albinfo.at: Përveç jush, a ka policë të tjerë shqiptarë?
Murati: Kur jam pranuar unë si polic, e di se ka qenë vetëm një polic tjetër shqiptar para meje. Të drejtën të them, nuk e di sa është numri i saktë i policëve shqiptarë, por sigurisht se tashmë është shumëfish më i madh.
Albinfo.at: Gjatë punës suaj, me siguri keni pasur rast kur keni takuar edhe shqiptarë. A mund të na tregoni ndonjë rast interesant dhe si kanë reaguar ata kur kanë kuptuar se ju jeni shqiptar?
Murati: Një ditë isha në komunikacion dhe e ndala një makinë. Në makinë, të katër udhëtarët ishin shqiptarë. Ata flisnin shqip me njëri-tjetrin dhe nuk e dinin se po i kuptoj. Kur ia fillova të flas edhe unë me ta shqip, mbetën të habitur, por, edhe u gëzuan shumë. Ishin shumë të sjellshëm dhe me kënaqësi bëmë një fotografi së bashku si kujtim.
Albinfo.at: Si e shihni nivelin e integrimit të shqiptarëve në Austri?
Murati: Unë jam krenar që jam shqiptar. Në përgjithësi në Austri, shumica e shqiptarëve janë mirë të integruar dhe nuk njihemi si komunitet problematik, natyrisht problemet individuale duhet edhe të trajtohen si raste individuale.
Albinfo.at: Kur jeni i lirë, me çfarë merreni, si e kaloni kohën e lirë?
Murati: Zakonisht mundohem të kaloj me familjen time, por edhe luaj futboll apo basketboll. I kam hobi. Kur kam pushim më të gjatë, sa herë që me jepet mundësia, i vizitoj familjarët e mi në vendlindjen time, në Tetovë.
Albinfo.at: Për fund, cila është këshilla juaj drejtuar rinisë shqiptare në Austri?
Murati: Të rinjve tanë do t’u sugjeroja të mësojnë, të edukohen dhe t`i jenë falënderues shtetit austriak për mundësinë që na ka dhënë për të jetuar në këtë shtet të sigurt dhe me perspektivë për ne dhe fëmijët tanë. Respektoni rregullat dhe ligjet austriake! Mos e shkelni ligjin, sepse para ligjit të gjithë jemi të njëjtë. Kushdo që nuk respekton rregullat dhe ligjet në Austri, duhet të ndëshkohet pa marrë parasysh kush është apo nga vjen.
Ju që keni dëshirë të aplikoni për polic, vizitoni faqen www.polizeikarriere.gv.at dhe merrni të gjitha informatat që i kërkoni!
P.s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at
E-Diaspora
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën “Kudo që të shkoni, shtëpia juaj vjen nga Kosova” – Një slogan që po pushton Evropën...
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Fishekzjarret prodhojnë deri në 400 tonë pluhur të imët Sipas Zyrës Federale për Mjedisin, shfaqjet e fishekzjarreve, të tilla si ato të mbajtura në 1...
-
Ekonomia zvicerane shënon rënie
-
Nazmi Mehmetaj, një histori suksesi që lidh Kosovën dhe Zvicrën
-
Zvicra do të kryesojë OSBE-në në vitin 2026
-
Një trend Tiktok që shkakton probleme te të rinjtë