Uncategorized

Njëri nga tre të lënduarit nga aksidenti në Prishtinë është në gjendje të rëndë

Njëri nga tre të lënduarit nga aksidenti i së hënës në Lakërishtë të Prishtinës, është në gjendje më të rënduar shëndetësore.

Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka thënë për KOHËN se i njëjti i është nënshtruar një ndërhyrjeje.

“Tre persona kanë marrë tretman mjekësor, njëri nga ta në gjendje më të rënduar, është operuar nga neurokirurgët”, ka thënë ai, përcjell albinfo.ch.

Dy të lënduarit e tjerë po e vazhdojnë trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Torakale.

Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

“Sot rreth orës 03:00, në rrethrrotullimin në lagjen ‘Lakërishtë’, në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë ajo.

Policia ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, përcjell albinfo.ch.