Integrimi

Njerëzit me sfond migracioni janë pjesë normale e Zvicrës

Në mesin e rreth 250 pjesëmarrësve gjendeshin edhe rreth 20 delegatë shqiptarë, që përfaqësonin organizata të ndryshme

Ishte vetem 3 vjeçe kur kishte ardhur nga Kërçova për të jetuar në Zvicër. Në këtë moshë fëmijët ende nuk dinë të flasim mirë gjuhën e tyre të nënës. Gjatë rritjes dhe shkollimit, Shpresa është përballur shpesh me prejardhjen e saj prej emigranteje, gjë që kishte ndikuar në vleresimin apo edhe trajtimin e saj në mënyrë jo të barabartë.

Është kjo Shpresa Jashari, nga Organizata “Bewegte Schweiz”, që mori pjesë në Kongresin e Parë të Migrantëve dhe personave me sfond migracioni, që u zhvillua në Bernë. Ajo në referatin e saj ndër të tjera vuri edhe njëherë në pah se emigrantët nuk janë të huaj, por po bëhen dhe trajtohen si të tillë nga një pjesë dominuese e shoqërisë në Zvicër.

Kongresi i Migrantëve, i pari i këtij lloji i mbajtur deri më tash në Zvicër, ishte arsyeja për të cilën salla ku mbahej tubimi ishte e vogël për t`i zënë mbi 250 delegatë nga grupe të ndryshme emigrantësh me prejardhje nga të gjitha anët e botës. Në mesin e tyre, padyshim gjendeshin edhe rreth 20 delegatë shqiptarë, që përfaqësonin organizata të ndryshme. Organizatorë të këtij kongresi kanë qenë: Sindikata Unia, Organizata Second@s si dhe Federazione Colonie Libere Italiane (CLI).

Pas fjalës hyrësë nga Vania Aleva, bashkëpresidente e Sinidikatës Unia, organizatorët kishin parapërgatitur katër rezoluta të cilat pas diskutimeve dhe plotësimeve të tyre nga pjesëmarrësit në Kongrës, aprovoheshin më pas nga këta delegatë.

Të pranishmit janë shprehur në favor të ruajtjes se Marrëveshjes për Lëvizje të Lirë me Bashkimin Evropian. Ndërkaq ata kanë kundërshtuar futjen e politikës së kontingjenteve të migrantëve, politikë kjo që e ka promovuar iniciativa kundër migracionit masiv, e votuar më 9 shkurt të vitit të kaluar nga zviceranët.

Pjesëmarrësit e shumtë aprovuan po ashtu edhe tri rezolutat e tjera të cilat kishin të bënin me rregullimin e statusit të personave të kategorisë “Sans Papiere”, dhënien e lejes së punës për personat nga vendet e treta, si dhe ndalimin e largimit të detyrueshëm nga Zvicra të personave që janë të lindur në Zvicër, apo edhe të atyrë që kanë një qëndrim tashmë të gjatë këtu.

Në Kongres u bisedua edhe për pozitën e refugjatëve. U kërkua trajtim me përparësi për refugjatët të cilët vijnë nga vatrat e luftës siç është Siria, duke përkrahur kështu thirrjen e shumë organizatave për strehimin afatshkurtër të 100 000 refugjatëve nga ky vend.

Njëri nga inicuesit dhe organizaorët ishte edhe Osman Osmani, sekretar Sindikal në UNIA, gjgjësisht përgjegjës për migracion. Sipas tij, kjo është një iniciativë që t`i bashkojë të gjitha grupet aktive që janë të përfshira në politika të emigracionit, për të pasur një qëndrim ndaj diskursit politik në Zvicër, në kërkesa dhe mbrojtje të të drejtave të tyre.

Ndërsa për nënkryetarin e Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër, Nazmi Jakurtin , Kongresi eshtë një hap i parë në drejtim të duhur. Ndërsa Kuvendi i Shqiptarëve është i interesuar të marrë pjesë në të gjitha iniciativat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të migrantëve. Duke qenë se shqiptarët janë ndër komunitetet më të mëdha të migrantëve e që kanë ende sfida dhe vështirësi të integrimit ne Zvicër, ai me këtë rast ishte mjaft i kënaqur me përfaqësimin e shqiptarëve në Kongres.

Edhe pse e përkrah si iniciativë, kandidati i FDP për deputet kantonal në Cyrih, Përparim Avdili, nuk pajtohet me gjithçka që është diskutuar aty. Ai ishte i mendimit se për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për një çështje të caktuar, duhet të diskutohet edhe me forcat tjera politike në Zvicër, e jo vetëm me ato të cilat konsiderohen “të majta”. Pra duhet të tejkalohen ideologjitë me të cilat iu qasen gjërave.

Pas aprovimit të rezolutave, pjesëmarrësit janë ndarë në grupe punuese ku do të punohet në nxjerrjen e një plani operacional, e më pas edhe zgjedhjen e një grupi kordinues, që do të ndihmojë në organizimin e dhe implementimin e vendimeve të Kongresit.

Afër një e katërta e popullatës 8 milionëshë në Zvicër nuk janë zviceranë, që e bën këtë vend me përqindjen ndër më të lartat të të huajve në Evropë.

Rreth çdo i pesti “i huaj” është lindur dhe rritur në Zvicër, dhe përkundër kësaj ende duhet të përballen me ligjet strikte saiI përket procesit per marrjes së shtetësisë. Mbi të gjitha, rreth dy të tretat e emigrantëve në Zvicër vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian.