Muzikë
Një zë i ëmbël shqiptar nga Holanda
Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Alisa Opari Luzi, është edhe tekstshkruese, kompozuese, aktore dhe kërcimtare baleti
Alisa Opari Luzi tashmë është emër suksesi në fushën e muzikës në shtetin holandez dhe në mbarë shqiptarinë. Që në shikim të parë Alisa përçon pozitivitet me buzëqeshjen e saj dhe me stilin unik të veshjes.
Por ajo çfarë e shquan më shumë atë, është zëri i saj i ëmbël në këndim. Njihet si një këngëtare profesioniste në Holandë dhe veçohet për ngjyrat e veçanta të zërit të saj.
Pozitiviteti, energjia e punës dhe ambiciet për jetën, janë tri shtyllat kryesore për Alisën dhe asnjëherë nuk i ndali përpjekjet duke punuar për ëndrrat e saj.
Ajo ka lindur në Holandë dhe është rritur në Rotterdam, rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Shqipëria.
Që në moshë të re ajo është marrë me balet, aktrim edhe muzikë.
Pavarësisht se nuk ka lindur në Shqipëri, ajo flet një shqipe të pastër dhe tregon për revistën Albinfo.ch lidhur me jetën, shkollimin e saj për muzikën, aktrimin dhe debutimin e saj si këngëtare.
Sa i përket jetës dhe shoqërisë në Holandë, ajo tregon se nuk ka qenë aspak e vështirë ambientimi i saj me rrethin shoqëror holandez dhe se ndjehet e barabartë me të gjithë, pa paragjykime.
Duke qenë se ka lindur dhe është rritur atje, ajo ka përfundur shkollimin po në këtë vend.
“Shkollën e mesme e kam mbaruar në Rotterdam për aktrim, kanto edhe kërcime. Në Amsterdam kam vazhduar studimet për muzikë (këndim) në “Frank Sanders Akademi”. Dua të theksoj se pasioni im për të nxjerrë një këngë ka filluar gjatë shkollës, ku dhe kemi dhënë shumë koncerte. Mbaj mend një shfaqje në Carre, teatrin më të madh në Holandë, ku unë në atë kohë isha 17 vjeçe. Ishte një eksperiencë shumë e madhe për mua dhe unë mendova që e dua vërtet shumë dhe dua të provoj më shumë”, tregon artistja shqiptare.
Pavarësisht se ajo është në fillimet e karrierës së saj muzikore dhe deri tani ka kompozuar vetëm 4 këngë, po pritet shumë mirë nga audienca holandeze dhe në mënyrë të veçantë në Shqipëri dhe Kosovë.
”Kënga ime e parë që e kam lansuar në YouTube është “Shivers”. Duhet të theksoj se kjo këngë është shumë personale, pasiqë unë e kam shkruar edhe kompozuar vetë. Deri tani kam lansuar 4 këngë. ‘Shivers”, “Mr. President”, “Distance” edhe kënga ime e fundit “A Lucky Love” (Tiranë)”, bën të ditur për Albinfo.ch.
Alisa po ashtu tregon se shumicën e këngëve do t’i lansojë në zhanrin pop, por jo vetëm.
“Nuk dua të lidhem vetëm me një zhanër, sepse unë shkruaj këngë dhe këndoj nga ndjenjat që kam dhe nuk mund të lidhësh ndjenjat vetëm me një zhanër, mendoj unë. Por shumica nga këngët e mia të lansuara dhe ato që do të dalin mund të quhen pop”, tha ajo.
“Tirana”, kënga që është mirëpritur shumë në gjuhën shqipe
Në momentin që Alisa u pyet për këtë këngë, ajo qeshi dhe tha: “Unë e adhuroj gjuhën shqipe”, duke treguar pastaj edhe për suksesin e kësaj kënge.
“Më pëlqen ta përdor gjuhën shqipe në muzikën që e bëj, siç e kam përdorur edhe në disa pjesë te këngët “Mr. President”, “Distance” e veçmas tek “A Lucky Love” (Tiranë). Duhet të theksoj se “A Lucky Love” ka shumë klikime edhe kam pasur shumë komente pozitive nga njerëzit nga vendet të ndryshme të botës. E, në mënyrë të veçantë, që të gjithë kemi një dashuri të përbashkët për një vend aq të mrekullueshëm, siç është Tirana”.
Alisa tregon për Albinfo.ch se do të ketë projekte të reja muzikore për një kohë të shkurtër.
“Jam e lumtur për të treguar projektet e mia të reja. Kënga e radhës ka të bëjë me një këngë shumë të dashur për prindërit tonë. Së shpejti do të publikohet. Ndërsa në muajin maj do të shkoj prapë në Shqipëri për një projekt tjetër”.
Lidhur për pozitivitetin dhe energjinë e saj që e dhuron te publiku, Alisa thotë: “Unë mendoj se njeriu gjithmonë mund të falë dashuri e mirësi. Një fjalë e mirë ndihmon këdo, një buzëqeshje të zbukuron ditën dhe një dedikim për të tjerët e bën jetën tënde dhe të tjerëve më të bukur”, përfundon ajo. /Albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?