Integrimi
Një tufë lule për Aleksandër Moisiun
Nderimi që i bëhet sot aktorit dëshmon vlerë njerëzore e qytetare për një njeri që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e teatrit
Në shenjë përkujtimi për Aleksandër Moisiun, si njëri nga aktorët më të mëdhenj botëror me origjinë shqiptare, një grup veprimtarësh: Sylë Muja, Vaxhid Sejdiu, Isuf Ismaili, Fatmir Veseli, Loenard Simaku, Mimoza Qarreti Elshani, nxënës, bashkatdhetarë nderuan këtë aktor të madh me lule të freskëta dhe duke përkujtuar veprën e tij madhore, natyrshëm edhe dashurinë e tij për zanafillën e vet shqiptare dhe për Atdheun e pazëvendësuar – Shqipërinë.
Para se të fillonte manifestimi shkollor, i organizuar nga “Shkolla Shqipe” – Lugano dhe SHKA “Sharri” nga St. Gallen, një grup veprimtarësh nderuan në prag të 145 – vjetorit të lindjes aktorin botëror me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu. Aktivitete këto, të cilat ndër vite i organizon veprimtari i çështjes kombëtare, i burgosuri politik, poeti dhe atdhedashësi Sylë Muja me miqtë dhe bashkëveprimtarët, duke e përkujtuar aktorin, jetën, veprën, rëndësinë që ai ka në kulturën e artin teatror botëror e shqiptar. Aktivitete “Lule për Moisiun” do të vazhdojnë dhe në ditët në vijim, sepse përkon me përvjetorin e lindjes së tij. Ky aktivitet i pagëzuar “LULE PËR MOISIUN ” – ” FIORI PER MOISIU “, tani më është tradicional dhe për çdo vit mërgimtarët shqiptarë nderojnë figurën e tij madhore, të artit botëror, në varrezat “Morcote” të Luganos.
Respekti për të cilin dëshmojnë veprimtarët dhe atdhedashësit dëshmon rikujtuesen tonë kolektive për figurat kombëtare. Interpretimet e tij revolucionarizuan teatrin botëror, duke mbetur përgjithmonë emër i përveçëm, jo vetëm për nga vëllimi i gjerë i roleve të luajtura me mjeshtri në skenat botërore, por edhe nga qëndrimi i tij intelektual ndaj dukurive negative në shoqërinë e kohës.
Në Lugano na pritën mësuesja Mimoza Qarreti Elshani dhe Leonard Simaku, prindër të shkollës shqipe, veprimtarët Sylë Muja dhe Fatmir Veseli me miq dhe dashamirë tjerë, ku së bashku u nisëm për ta nderuar aktorin e madh me famë botërore, atje ku është varrosur para 89 – vjetësh në Morcote të Luganos.
Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti përkujtimor, pasi vunë lule mbi varrin e Moisiut, mbajtën fjalë rasti, duke përkujtuar veprën e tij madhore, sepse: “Aleksandër Moisiu është aktor i madh shqiptar, por edhe botëror i cili në raste përkujtimesh shumë herë ka bashkuar veprimtarët shqiptarë, na bashkoi edhe ne sot, por ai e ka bashkuar edhe frymëmarrjen kulturore në mbarë botën. Ai natyrshëm ka qenë zëri i një aktori shqiptar në botë, i lindur në Kavajë, i cili fëmijërinë e kaloi në Durrës, por mbi të gjitha ai e pohoi me krenari përkatësinë e tij shqiptare në të gjitha metropolet botërore.”
Pastaj fjalën e morën edhe veprimtarë të tjerë, si poeti Sylë Muja, i cili e lexoi një poezi dhe kishte përgatitur edhe një portret të Aleksandër Mojsiut, po ashtu një fjalë rasti e mbajti edhe mësuesja e Shkollës shqipe” Mimoza Qarreti – Elshani, e më pas edhe bashkatdhetari ynë Leonard Simaku. Vlen të përmendet se mësuesi dhe atdhetari i devotshëm i çështjes kombëtare Isuf Ismaili rreth përkujtimit të aktorit përgatiti një emision dokumentar për Televizionin “Dielli” me qëllim që t`i jepet një hapësirë e mjaftueshme figurës dhe veprës së tij jo vetëm artistike, por të përgjithshme. Aktorit, i cili me zërin, pamjen dhe aktrimin e tij brilant trandi skenat teatrore botërore.
Nxënës dhe bashkëveprimtarë nderuan figurën e këtij aktori botëror, i cili zë një vend të rëndësishëm në artin skenik botëror, duke dëshmuar vlera të larta si njeri dhe si aktor.
“Fusha e veprimit të Moisiut si aktor përmbledh gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it (“Der weiße Heiland“), të Wedekind-it (“Frühlings Erwachen”) dhe të Hofmannsthal-it (“Jedermann”)”. Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij, për shkak të zërit dhe angazhimit të tij emocional. Llogaritej në kohën e tij, si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermano – folëse. Nga viti 1910 – 1935 mori pjesë në dhjetë produksione filmash, nga të cilët tetë pa zë. Për të, janë shkruar shumë libra dhe shkrime publicistike, duke i dhënë vendin e merituar në historinë e artit botëror.
Vlen të përkujtojmë fjalët e shkrimtarit të njohur botëror Franc Kafka, i cili thotë: “Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit” apo fjalët e regjisorit dhe reformatorit të skenës gjermane Max Reinhard “Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja”.
Emrin e Moisiut sot, e mbajnë me respekt nder shumë institucione kombëtare, si Shkolla e Aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durrësit, Shkolla e Mesme e Përgjithshme në Kavajë, Teatri i Durrësit etj. Dihet se para vdekjes më 1935 kishte kërkuar edhe nënshtetësinë shqiptare, por siç duket nuk arriti ta marrë.
Prandaj kështu, duke mbajtur gjallë kujtimin e tij dhe duke e sjellë atë në ditët tona, nderojmë të ardhmen tonë, respektojmë figurat kombëtare dhe identitetin kulturor me një fytyrë evropiane. Padyshim natyrshëm, duke zhvilluar këto vlera, ne mund të jemi ambasadorë të denjë të identitetit tonë në Zvicër dhe më gjerë.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër Afro 13 vjet burgim për shqiptarin që vodhi shtëpinë e Raheem Sterling...
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”
Jeta në Zvicër
-
Si mund të kontrolloni për paralajmërimet e kontaminimit të ushqimit në Zvicër? Furnizimi i Zvicrës me ushqime është ndër më të sigurtit në botë, por kjo nuk do...
-
Në vitin 2025, shumë punëtorë zviceranë do të marrin paga më të larta
-
Si po përmirësohet karta e udhëtimit me tren ‘Half-Fare Plus’
-
Blerjet online: Rreth 700 dërgesa të paligjshme u sekuestruan për një javë
-
Si mund të kurseni para duke ndryshuar politikën tuaj shëndetësore në Zvicër?