Shqipëria

Një tërmet goditi Shqipërinë dhe Malin e Zi

Një tërmet prej 4.6 shkallësh të Richterit goditi Shqipërinë në orët e para të së mërkurës, transmeton Radio Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.

Qendra Sizmologjike Evropiane e Mesdheut (EMSC) bëri të ditur se epiqendra e dridhjeve ishte në Detin Adriatik – rreth 35 kilometra nga Durrësi.

Sipas burimit të njëjtë, thellësia e dridhjeve ishte 6.1 kilometra.

Raporte për dëme materiale nuk ka.

Dridhjet janë ndier edhe në vendet përreth.

Instituti për Hidrometeorologji dhe Sizmologji në Mal të Zi ka njoftuar se ato janë regjistruar në orën 02:42 të së mërkurës.

Rajoni i Ballkanit, përndryshe, është zonë tërmetesh.

Në vitin 2019, nga një tërmet i fuqishëm që ka goditur Shqipërinë, kanë humbur jetën 51 njerëz, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur.

Ky tërmet ka shkaktuar dëme në vlerë prej afro një miliard eurosh.