Gjuha

Një takim poetik më ndryshe

Poezitë e Xhelilit i ka interpretuar aktori Otto Huber, i cili ka nxitur autorin për të bërë një udhëtim në historinë e shqiptarëve

Ditë më parë, në Institutin për mësimin e gjuhëve të huaja “Delif” në kuadër të Universitetit të Friburgut, Zvicër, është mbajtur një takim letrar me poetin shqiptar Vaxhid Xhelili.”Në një ambient poetik, me mysafirë të zgjedhur, dashamirës të letërsisë, takimi ka qenë i një lloji pak më ndryshe”, thotë Vaxhid Xhelili, autor i disa përmbledhjeve poetike, njëra prej të cilave i është përkthyer edhe në gjuhën gjermane.Krahas autorit, që ka lexuar poezitë e veta në gjuhën shqipe dhe gjermane, poezi nga libri i tij ka interpretuar edhe aktori e regjisori Otto Huber. Ky i fundit po ashtu ka marrë edhe rolin e moderatorit, i cili, me pyetjet e tij, e ka nxitur autorin e poezive për një udhëtim nëpër historinë e popullit shqiptar, nga ilirët e deri më sot. “Unë jam përpjekur që të bëj një shpjegim të historisë sonë në pika të shkurtra. Vetë poezitë e mia udhëzojnë në historinë e trazuar të popullit tonë”, thotë Xhelili.Poetit më tutje i janë shtruar pyetje edhe nga publiku. Nuk kanë munguar as pyetjet lidhur me gjendjen më të re politike pas trazirave të shkaktuara nga serbët në veriun e Kosovës. Nga do të shkojë Kosova pas këtyre trazirave. “Rruga jonë dihet: Evropa e bashkuar”, ka qenë përgjigja e Vaxhid Xhelilit.Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Musafë Xhemaili, poet dhe zyrtar i lartë në Ministrinë e Diasporës, në Qeverinë e Kosovës.Pritja e mirë në këtë mes artdashësish ka prodhuar edhe një sihariq për poetin Xhelili. “Këtu mësova se një teatër i Bernës ka vendosur që të organizojë një mbrëmje me poezinë time. Pra, takimi ynë i radhës do të jetë në Bernë”, thotë Vaxhid Xhelili.Vaxhid Xhelili jeton në Zvicër që nga viti 1989. Deri më tash ka botuar disa vëllime me poezi në gjuhën shqipe. Përkthimet e para të poezisë së tij në gjuhen gjermane janë bërë në vitin 1998. Një libër poezish i është përkthyer më vonë në gjuhën gjermane “Sehnsucht nach Etleva” (Malli për Etlevën).