Gjuha
Një Skënderbe nga Zvicra, dhuratë për Horën e Arbëreshëve
Rexhep Rifati: Më 30 gusht 2024, në Horën e Arbëreshëve do të inaugurohet shtatorja e Skënderbeut, dhuratë nga komuniteti shqiptar i Zvicrës
Një nismë fisnike dhe me interes, e nisur vitin e kaluar në komunitetin shqiptar të Zvicrës, po merr konturat e saj të plota, gjatë këtyre dy muajve të fundit. Fjala është për nismën e një grupi veprimtarësh dhe artistësh të këtushëm për t`i bërë një dhuratë të çmueshme, shtatoren e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, qendrës së arbëreshëve të Sicilisë, Horës së Arbëreshëve.
Shtatorja është punim i skulptorit nga Prishtina, Gëzim Muriqi, Grupi entuziast, i lidhur pas idesë dhe kontributit fillestar të aktorit Veli Genc Berisha, ka ngritur nivelin e nismës, duke e regjistruar atë në organet kompetente të Zvicrës si një shoqatë me emrin “Hora e Skënderbeut”.
Lidhur me këtë projekt, albinfo.ch ka intervistuar njërin ndër nismëtarët e tij dhe njohësin e shquar të realitetit të arbëreshëve të Italisë, gazetarin veteran, Rexhe Rifati.
Albinfo.ch: Si lindi iniciativa për dhurimin e shtatores së Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve, në Sicili. Na e përshkruani rrjedhën e kësaj nisme, cilët ishin nismëtarët, çfarë kishin ndërmarrë para se nisma të bëhej zyrtare, siç është bërë tashmë.
Rexhep Rifati: Më tepër se një vit më parë, aktori Veli Genc Berisha ishte marrë vesh me skulptorin prishtinas, Gëzim Muriqi për ngritjen e një shtatoreje të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, për ta vendosur në Zvicër. Meqë procedurat këtu në Zvicër zgjasin me vite, me Veliun bashkë dhe me aktorin tjetër, Dan Morina, që të dy nga Teatri “Aktrimi”, por edhe miq të pandarë, e biseduam mundësinë për ta dërguar këtë shtatore në ndonjë nga ngulimet arbëreshe. Përzgjodhëm Horën e Arbëreshëve, me një të kaluar të bujshme historike nga gjiri i së cilës kanë dalë figura të mëdha arti e atdhetarie.
Me kryebashkiakun e Horës së Arbëreshëve (në mes, me plis)
Hora, në një nga sheshet para Bashkisë, krahas një busti të Skënderbeut, kishte edhe një shtatore të Nënës Terezë. Kjo sikur nuk shkonte, që edhe Skënderbeu të mos kishte një shtatore! Ndaj edhe u bë kjo përzgjedhje: që monumenti t`i dhurohej Horës së Arbëreshëve edhe si simbol dashurie nga vetë mërgimtarët tanë në anë të ndryshme të botës.
Albinfo.ch: Çfarë kishit pasur parasysh me rastin e inicimit të këtij projekti, cili ishte motivi dhe cili mesazhi i dërgimit të shtatores tek arbëreshët?
Rexhep Rifati: Ideja për një shtatore impozante, që në shikim të parë nxit kërshëri e admirim, shtoi nevojën për themelimin e një shoqate, që do ta vlerësonte e gjykonte se kujt t`i dhurohej monumenti. Meqenëse kjo nuk ishte aspak punë e lehtë, vendosëm themelimin e shoqatës, përmes së cilës saktësohej i tërë rrugëtimi i këtij projekti. Në grupin prej katër vetash: Ramadan Morina, Adnan Asllani, Veli Genc Berisha dhe unë u arrit marrëveshja për regjistrimin e shoqatës, që do të merrej me formësimin e të gjitha formaliteteve ligjore sipas ligjeve të vendit, aq më parë që duhej hapur edhe llogari rrjedhëse për grumbullimin e mjeteve. U pajtuam që shoqata të quhej “Hora e Skënderbeut”, pasi që shtatorja i kushtohej Horës së Arbëreshëve.
Albinfo.ch: Përse pikërisht në Horën e Arbëreshëve dhe në Sicili?
Rexhep Rifati: Për shumë arsye u zgjodh pikërisht Hora e Arbëreshëvet (it. Piana degli Albanesi),që gjendet 25 kilometra nga Palermo në Sicili, e themeluar më 30 gusht të vitit 1488. Nga fakti se ajo më mirë se çdo ngulim tjetër ruan me shumë dashuri e fanatizëm gjuhën, traditat, ritet dhe simbolet kombëtare. Hora me mbi 6.500 banorë, shquhet edhe si kryeqytet i arbëreshëve, e që dha figura të famshme që nga periudha e Rilindjes, siç ishin poeti e Zef Skiroi, gjuhëtari Lekë Matrënga, i cili edhe hapi shkollën e parë shqipe qysh në vitin 1587 në Horë të Arbëreshëve. Ndërsa në mesin e atyre që kanë vizituar Horën ishin edhe Ismail Qemali e Ismail Kadare.
Aktualisht Hora është thuaja se i vetmi ngulim arbëresh në shkollat e të cilit mbahet nga një orë në javë mësim plotësues shqip, e ku shqipja mbizotëron edhe në familje, në mesha dhe në rrugë e gjetiu. Por edhe nga fakti se shquhet me një mikpritje të rrallë për të gjithë ata që e vizitojnë e që gjatë luftës së fundit në Kosovë kishte strehuar disa familje kosovare.
Albinfo.ch: Për këtë qëllim, pra për projektin e dhurimit të shtatores së Skënderbeut në Horë të Arbëreshëve ju keni regjistruar si subjekt juridik në Zvicër shoqatën me emrin “Hora e Skënderbeut”. Cila është agjenda e “Horës…”? Çfarë aktivitetesh ka planifikuar kjo shoqatë?
Rexep Rifati: Shoqata e pakt në numër, por që kishte parasysh mobilizimin e shumë mërgimtarëve për të kontribuar me mjete për këtë monument ekzemplar, që ai të jetë një dhuratë e këndshme për vëllezërit arbëresh. Jo vetëm që u bë regjistrimi i shoqatës si subjekt juridik, por edhe u vunë kontaktet me bashkiakun e Horës së Arbëreshëve, Z. Rosario Petta nga i cili morëm konfirmimin me shkrim, ku potencon se: “Ju njoftojmë se jemi të lumtur dhe krenarë të pranojmë propozimin tuaj për dhurim si një simbol identiteti i lidhjes së fortë midis komuniteteve arbëreshe të Italisë dhe diasporës shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Kemi kënaqësinë t`ju falënderojmë për identifikimin e komunitetit tonë historik arbëresh për vendosjen e një statuje të lidhur aq fortë me origjinën tonë, me tokën mëmë -Shqipërinë”…
Albinfo.ch: Sigurisht, për të realizuar projektin, nevojitet mbështetje financiare. Cilën mënyrë keni zgjedhur ju për të siguruar këtë mbështetje?
Rexhep Rifati: Me marrjen e konfirmimit nga Bashkia e Horës, shoqata hapi një xhirollogari rrjedhëse, me apelin drejtuar mërgimtarëve për kontribute financiare, pa përcaktuar shuma.
Albinfo.ch: Është ende fillimi por, nisur nga gjendja aktuale, a jeni optimist për përmbushjen e synimit që keni marrë përsipër, pra realizimin e shtatores dhe dërgimin e saj në Sicili?
Rexhep Rifati: Tash kemi arritur të kemi gjysmën e shumës nga ajo që është kontraktuar me skulptorin e mirënjohur Gëzim Muriqi. Mbështetje financiare, krahas mërgimtarëve, na kanë ofruar edhe subjektet e ndryshme, siç janë shoqatat, klubet dhe bizneset private shqiptare. Ndaj edhe me këtë rast që të gjithë i falënderojmë, në pritje të plotësimit të shumës tjetër. Shoqata do të bëj publike edhe listën e donatorëve të deritashëm.
Albinfo.ch: Si ka qenë pritja e këtij projekti nga ana e arbëreshëve, e institucioneve, po dhe e qytetarëve, atje ku do të vendoset shtatorja ?
Rexhep Rifati: Ndërkohë dy nga arbëreshët që merren me bashkëpunimin ndër shqiptarë, udhëhequr nga Georgio Cuccia, ka vizituar edhe studion e Gëzim Muriqit, ku nga afër kanë parë ecurinë e finalizimit të shtatores. E nga 18-21 janar, grupi ynë prej katër vetash vizitoi Horën, ku hasi në një pritje shumë të përzemërte nga bashkiaku Rosario Petta dhe stafi i tij, e ku u njoftuam edhe për fillimin e punimeve në rregullimin e sheshit ku do të ngrihet shtatorja. Me këtë rast u konfirmua se 30 gushti i këtij viti do të jetë dita e inaugurimit, e që lidhet me 536-vjetorin e themelimit të qytezës, datë kjo që me shekuj përbën manifestimi qendror që mbahet për çdo vit.
Albinfo.ch: Ju (personalisht) prej disa vitesh njiheni për një angazhim të jashtëzakonshëm në eksplorimin e ngulimeve arbëreshe, në Kalabri dhe në Sicili. Keni shkruar po ashtu një libër mjaft mbresëlënës mbi këtë temë. A mund të na e pasqyroni me pak fjalë gjendjen e këtij komuniteti, ashtu siç e keni parë dhe përjetuar ju, hallet, preokupimet, arritjet, lidhjet e tyre me atdheun e të parëve etj.?
Rexhep Rifati: Prej gjysmë shekulli sikur jam mishëruar me arbëreshët, duke i vizituar që të 50 ngulimet. Kam përjetuar gëzime e zhgënjime. E veçanta është kur dëgjon gjuhën tënde, sikur kthehesh në pesë-gjashtë shekuj prapa. Apo kur sheh se si janë ruajtur ritet e veshjet që përbëjnë një kolorit të veçantë.
Por, ndihesh keq kur mëson se gati gjysma e ngulimeve nuk e flasin më shqipen, ndonëse të gjitha toponimet në hyrje e dalje të katundeve janë dygjuhësore. Pos në dy ngulime, mungon qoftë edhe një orë e mësimit shqip. Ndërsa në mbarë Italinë ka 9 katedra të albanologjisë, më shumë se në gjitha trojet etnike shqiptare!
Ajo që trimëron është shtimi i vizitave të ndërsjella, jo vetëm i grupeve artistike nga dy anët e Adriatikut e nga mërgata, por edhe vizitat gjithnjë e më të shpeshta të mërgimtarëve nga vende të ndryshme perëndimore, me karakter turistik.
Përkundër përpjekjeve të mia, atë që nuk kam mundur t’ua sjell përmes librit “Arbëreshët, fotosintezë e shpirtit tim”, e që përbën kryesoren është “Ndjenja”, ajo alkimi natyrale, magjike që të pushton sa herë që të shkel këmba në një fshat apo tokë arbërore. Porosia ime, pa asnjë detyrim është: udhëtoni, provoni e përjetoni ato që nuk mund ta kapë as lapsi dhe as foto-objektivi!
Sipas, Prof.dr. Antonio Belushit: “Etnia jonë arbërore nuk është një etni simbolike, nuk është etni statike muzeale! Është etni dinamike, etni ndjenje identiteti” (nga libri i Dr. Ornela Radovickës: “Antonio Bellusci, Rrugëtimi i një arbëreshi”).
Si mund të dhuroni
Ju keni mundësinë që të bëheni pjesë e këtij projekti, duke dhuruar përmes xhirollogarisë sonë bankare, në formën TWINT, me kartë krediti, si dhe përmes “PayPal”. Më poshtë janë sqaruar të gjitha këto forma dhurimi.
Marrësi: HORA E SKËNDERBEUT, 8000 Zürich, Switzerland
Banka: PostFinance AG, Mingerstrasse 20, 3030 Bern, Switzerland
Kodi bankar: 9000
IBAN: CH02 0900 0000 1626 0159 8
BIC: POFICHBEXXX
Më shumë për projektin “Hora e Skënderbeut” mund të mësoni në këtë link: https://horaeskenderbeut.ch/?fbclid=IwAR0b06sA7liwvmqJb2FGOvsmD7wU4CktDJ5KzXYoBWkpvecyqIuo528-Ewg
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve