Integrimi

Një shqiptare dhe një zvicerane promovojnë aktivizmin kosovar në Zvicër

Filluan me dokumentarin “Zhurma e femrave”, por përpjekja e tyre për të promovuar të rinjtë aktivistë të Kosovës nuk u ndal me kaq. Në mars të vitit 2019 Arzije Asani dhe Céline Stettler erdhën përsëri në Kosovë, për të realizuar projektin e radhës, të titulluar “Çohu”, shkruan albinfo.ch.

Ato janë dy studente nga Cyrihu, të cilat po përdorin artin e filmit për të promovuar aktivizmin dhe aktivistët kosovarë në Perëndim.

Dhe ky dokumentar, i përbërë nga tri episode, do të shfaqet para publikut nesër, më 23 maj, në Park Platz në Cyrih, me fillim nga ora 19:00. Kurse dy episodet e para tashmë janë publikuar online.

Aktivizmi kosovar, inspirim për studentet zvicerane

“Çohu”, një dokumentar i ndarë në tri episode, përmes protagonistëve  Adelina Tërshani dhe Lendi Mustafa, mëton të shfaqë feminizmin dhe komunitetin LGBTI në Kosovë.

Tërshani, me prejardhje nga një fshat i Lipjanit, është e njohur në Kosovë për qasjen kritike ndaj patriarkatit dhe mbrojtjen e të drejtave të grave. Kurse Mustafa, i cili doli publikisht si transgjinor në Kosovë, njihet për avokimin e tij për të drejtat e njeriut, me fokus te të drejtat e komunitetit LGBTI.

Për këtë dokumentar, që do të lansohet nesër, studentet zvicerane kanë përcjellë zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me të drejtat e njeriut, kanë realizuar intervista me aktivistë e persona përgjegjës, e tashmë janë gati për ta shfaqur punën e tyre.

Në një intervistë për albinfo.ch, Arzija dhe Céline kanë treguar se pse zgjodhën pikërisht Kosovën për të jetësuar idetë e tyre.

“E zgjodhëm Kosovën për të realizuar dokumentarin tonë sepse është shteti më i ri në Europë, dhe ne kemi parë në TV dhe rrjete sociale se si të rinjtë e Kosovës po avokojnë për ndryshim, ne vërejtëm një energji të madhe këtu, andaj vendosëm ta marrim këtë dhe ta shfaqim në perëndim, pra në Zvicër”, thotë Arzije Asani, e cila me prejardhje është nga komuna e Bujanocit.

Kurse studentja zvicerane Céline thotë se përmes këtyre dokumentarëve synojnë të promovojnë të drejtat e grave dhe të drejtat e komunitetit LGBTI.

“Përmes dokumentarëve, po mundohemi që personazhet tona, pra Adelinën dhe Lendin t’i afrojmë sa më shumë me publikun, që shoqëria kosovare t’i njohë më mirë, t’i konsiderojë si miq, dhe kështu publiku do ta kuptojë aktivizmin e tyre për të drejtat e njeriut”, thotë Céline.

Dokumentarët që po fuqizojnë kauzën e feminizmit dhe të drejtave të njeriut në Kosovë

Vetë protagonistët kanë thënë se këta dokumentarë po i ndihmojnë për t’u dëgjuar më shumë zëri i tyre.

Adelina Tërshani, e cila ishte pjesë e dokumentarit “Zhurma e femrave” thotë për albinfo.ch se përmes këtij projekti, në një farë mënyre ka përçuar udhëzime për gratë dhe vajzat në Kosovë. Në njërën nga skenat, Tërshani mban veshur bluzën “Mos ma prek hisen”, me ç’rast trajton edhe çështjen e trashëgimisë në pronë.

Tashmë Tërshani është pjesë edhe e dokumentarit “Çohu”, dhe do të jetë e pranishme edhe gjatë lansimit të tij në Zvicër.

“Përmes këtij dokumentari njerëzit kanë pasur mundësi ta shohin jetën time të përditshme si aktiviste, e rrjedhimisht ta shohin se si u përgjigjem sfidave patriarkale që më dalin përpara çdo ditë. Dokumentari është shumë personal, dhe në shumë pika është definitivisht njëfarë udhëzuesi për gratë dhe vajzat në Kosovë, se si t’i mbijetojnë këtij sistemi shtypës”, thotë ajo.

Kurse Lendi Mustafa, i cili përherë të parë u bë pjesë e projektit të studenteve zvicerane, thotë se është ndër eksperiencat e tij më të mira.

“Çohu” është një dokumentar i cili shfaq anën e brendshme të aktivizmit, dëshirën për ndryshim, dëshirën për t’u dëgjuar zëri i aktivistëve në Kosovë dhe gjithçka që ndodhë përreth kësaj lufte. Për mua ka qenë shumë domethënëse dhe besoj që do të ketë ndikim të madh i gjithë koncepti dhe realizimi i projektit, e sidomos duke marrë parasysh që ky projekt nuk do të jetë i izoluar vetëm në Kosovë”, thotë Mustafa për albinfo.ch.

Kosova në sytë e studenteve zvicerane: Të rinjtë kosovarë, të talentuar, por të izoluar

Arzija dhe Céline mendojnë se Kosova ka një rini aktive dhe të talentuar, por, sipas tyre, ata vazhdojnë të jenë të izoluar dhe kanë plot barriera karshi synimeve e ëndrrave të tyre.

Ato kanë thënë se kanë dëgjuar nga rinia e Kosovës që u mungojnë institucione shkollore të mirëfillta.

“Ata nuk mund të dalin jashtë shtetit ashtu si ne. Ne mësojmë shumë nga udhëtimet, dhe mendoj se është shumë e vështirë për të rinjtë e Kosovës të dalin jashtë vendit, dhe në këtë mënyrë ata janë të izoluar. Mirëpo, ata e flasin shumë mirë anglishten, janë mendjehapur, mendojmë se ka plot talente këtu, por për shkak të vizave, ata janë disi të izlouar”, thotë Arzija.

Megjithatë, ato kanë thënë se do pranonin të jetonin në Kosovë për një kohë të caktuar, sepse siç thonë ato, do të mësonin shumë gjëra rreth njerëzve dhe një kulture të re.

Zviceranja Céline ka thënë se ndihet rehat dhe e mirëpritur në Kosovë, dhe ka treguar se çka i pëlqen këtu.

“Ushqimi sigurisht, gjatë gjithë kohës. Tjetra, kosovarët janë më të hapur, mikpritës, të sjellshëm. Nëse viziton disa zviceranë në Zvicër, ata janë më të distancuar, por jo edhe këtu. Shqiptarët në Kosovë menjëherë të ofrojnë ushqim, të pyesin si je, të pyesin për familjen, dhe kjo është diçka që nganjëherë më mungon në Zvicër”, thotë ajo.

Projektet e tyre për Kosovën, po mirëpriten në Zvicër

Në shtator të vitit 2018, Asani dhe Stettler realizuan dokumentarin “Zhurma e femrave”. Përmes Adelina Tërshanit, Jeta Berishës dhe Klara Gordonit, ato shfaqën përpjekjet e grave kosovare për drejtat e tyre dhe barazi gjinore. Ato thonë se ky dokumentar u prit mirë në Zvicër, për faktin se edhe atje, ka raste kur grave iu shkilen të drejtat.

“Të drejtat e grave nuk janë problem vetëm në Kosovë, por ndërkombtarisht, edhe në Zvicër, dhe mendoj që disa nga ta kanë mundur ta gjejnë veten në dokumentar dhe të solidarizohen me vajzat nga Kosova, por gjithashtu nga Zvicra janë të interesuar që të mësojnë më shumë rreth situatës së grave në Kosovë, sepse dokumentari “Zhurma e femrave” ishte i shkurtër, rreth 10 minuta”, thotë Asani.

Asani dhe Stettler studiojnë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Cyrihut. Ato janë shprehur të impresionuara nga aktivizmi në Kosovë, nga protestat, marshet dhe aktivistët e rinj. Megjithëse nuk kanë ndonjë plan konkret, ato thotë se do të vazhdojnë me projekte të ngjashme edhe në të ardhmen.

Fotot: ÇOHU Webseries, Arzije Asani & Céline Stettler