Lajme
Shqiptari, kryetar i Parlamentit të Komunës Moudon
Zgjedhja e Gzim Ramës në këtë pozitë përbën rastin e parë që një politikan me prejardhje të huaj të marrë një post kaq të lartë në këtë komunë dhe më gjerë
Gzim Rama është zgjedhur me shumicë të votave kryetar i Parlamentit të Komunës së Moudon-nit. Zgjedhja e tij në këtë post përbën rastin e parë, që një politikan me prejardhje të huaj të zgjidhet në këtë nivel kaq të lartë. Ky hap vjen pasi që një vit më parë ai qe zgjedhur nënkryetar i këtij parlamenti. Platforma mediale albinfo.ch (online&print) sjell intervistën me politikanin shqiptar me prejardhjen nga Medvegja. Rama edhe zyrtarisht nis më 1 korrik 2023 punën e kryetarit të Parlamentit të kësaj komune në Kantonin Vaud.
Albinfo.ch: Çfarë do të thotë për ju të merrni një funksion të lartë në komunën tuaj, sidomos kur bëhet fjalë për një politikan me prejardhje të huaj?
Gzim Rama: Kuptohet që ky është një privilegj shumë i madh dhe po ashtu jam shumë i lumtur e krenar fillimisht për familjen time, miqtë dhe tërë komunitetin. Kurse sigurisht, më bën të ndihem edhe më shumë krenar fakti që si një politikan me prejardhje të huaj (e kam edhe shtetësinë zvicerane) do të marrë postin e Kryetarit të Kuvendit Komunal në një komunë si Moudon. Në Komunën e Moudon-nit jam një nga shqiptarët e parë dhe mos gaboj ndoshta në kantonin Vaud, po ashtu, në Zvicrën frëngjishtfolëse.
Albinfo.ch: Si ka ardhur te zgjedhja juaj?
Gzim Rama: Kjo ishte një prej ambicieve dhe dëshirave që kisha vite më parë, por sidomos një vullnet i madh nga bashkëpartiakët e Partisë Socialiste, meqë kam qenë edhe si kryetar i këtij subjekti politik në Moudon që nga viti 2020, dhe tani kuptohet që jam dorëhequr nga ky post, dhe falënderoj të gjithë deputetët e partive që ma besuan këtë post më 27 qershor, dhe shpresoj që nuk do t’i zhgënjej.
Albinfo.ch: Sa kohë ka që merreni me politikë ?
Gzim Rama: Me politikë në fakt unë jam rritur, si shumica nga ne kur ishim të vegjël dhe kishim shumë debate politike në mesin e familjes dhe shoqërisë tonë. Por, praktikisht jam aktiv që nga viti 2017 dhe si deputet nga viti 2019, kurse në zgjedhjet komunale të vitit 2021 isha shumë krenar që arrita rezultatin e deputetit më të votuar me prejardhje të huaj.
Albinfo.ch: Sa banorë i ka komuna juaj dhe sa nga ta janë me origjinë të huaj ?
Gzim Rama: Moudon ka 6230 banorë, 55% zviceranë, 45% të huaj, kurse kemi 86 shtetësi të ndryshme. 10% janë shqiptarë, që llogaritet çdo i dhjeti banor është shqiptar.
Albinfo.ch: Ju jeni në këtë legjislaturë prej vitit 2021, çfarë keni bërë ju për shqiptarët e kësaj komune, po edhe për të tjerët ?
Gzim Rama: Në fakt, të bësh diçka vetëm për shqiptarët ose për ndonjë kombësi tjetër është shumë e vështirë, se kjo fatkeqësisht nuk varet vetëm nga unë ose disa individë, por nga të gjithë brenda institucionit, dhe kuptohet që unë i përfaqësoj të gjithë banorët e komunës sime që më dhanë besimin e tyre. Dëshira ime është që të krijojmë sërish një shkollë për të mësuar gjuhën shqipe, edhe pse para 20 vjetësh ishte funksionale, por nga mosinteresimi e prindërve, është mbyllur.
Unë mendoj që një nga gjërat që kam bërë për shqiptarët, dhe jo vetëm për komunën time, por ndoshta në kantonin Vaud, dhe ndoshta edhe në Kosovë është që t’i përfaqësoj dhe të ndihen krenar me ne shqiptarët, dhe t’i inkurajojmë të tjerët që me vullnet dhe me punë, edhe ne si shqiptarë mund të arrijmë në disa pozita, që para disa vjetësh do të ishte e paimagjinueshme.
Kush është Gzim Rama?
Jam i lindur më 18.05.1988, në komunën e Medvegjës (Kosovë lindore), i martuar dhe kam një vajzë 9 vjeçe. Kam migruar në Zvicër në moshën 10-vjeçare gjatë luftës në Kosovë.
Kam të mbaruar shkollën e tregtisë dhe kam përfunduar disa specializime, po ashtu jam edhe mësimdhënës për nxënësit për provimet praktike rreth diplomimit dhe u jap mësim studentëve në shkollat profesionale.
Flas 3 gjuhë: shqip, frëngjisht dhe kam studiuar gjermanishten.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane