Tematike

Një “Seconda”, kandidate për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut

Për albinfo.ch flet politikania e të gjelbërve liberalë (Grünliberale), Isabel Garcia, e cila është po ashtu edhe kryetare e “Secondas” së Cyrihut, organizatë që tubon personat me prejardhe të huaj, gjegjësisht gjeneratën e dytë

Isabel Garcia është kandidate e Liberalëve të Gjelbër (Grünliberale) për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut. Krahas kësaj ajo është edhe kryetare e organizatës mbipartiake “Secondas” të Cyrihut. Në kryesinë e kësaj organizate, të kujtojmë, bën pjesë mjaft aktive edhe Përparim Avdili, politikani i ri dhe shumë aktiv nga FDP, i cili është po ashtu asambleist në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut.

Përmes një bisede me Isabel Garcia, albinfo.ch njeh lexuesit e vet me profilin e  “Seconda”-s së Cyrihut dhe të vetë zonjës Garcia.

Albinfo.ch: Ju jeni kryetare e organizatës “Secondas” në Cyrih. Çfarë ju bën ju një “Seconda” tipike? Na rrëfeni për prejardhjen dhe biografinë Tuaj.

Isabel Garcia: Mbi bazë të emrit tim, mund të shihet se me origjinë jam nga jashtë. Pra, në rastin tim, babai im është spanjoll dhe mamaja, zvicerane nga Berna. Por, unë kam lindur në Madrid ku dhe kemi jetuar disa vite bashkë me familjen, për t’iu kthyer pastaj Zvicrës si foshnjë 1 vjeçe. Ky fakt natyrisht që më bën “Seconda”, ngaqë i kam rrënjët pjesërisht jashtë Zvicre. Dhe, prejardhjen time spanjolle e jetoj edhe sot. E rritur, socializuar dhe shkolluar në Bernë, kam ardhur para 12 viteve për të jetuar në Cyrih. Shkollimin e kam mbaruar në fushën e shkencave politike dhe kam punuar vazhdimisht në profesione te tilla. Si rrjedhojë e interesimit të vazhdueshëm për politikë, me ardhjen time në Cyrih jam anëtarsuar ne partinë GLP (Liberalët e Gjelbër). Në zgjedhjet komunale të vitit 2010 arrita të zgjidhesha asambleiste e qytetit të Cyrihut nga radhët e GLP-së. Si rezultat i votimit kantonal në lidhje me të drejtën e votës për të huajt, fillova të angazhohem për këtë çështje edhe më shume dhe kështu u futa ne organizatën Seconda@s Zürich të cilën e kryesoj nga viti 2014.

Albinfo.ch: Cilat janë “kushtet” që duhet plotësuar për të qenë një seconda ose secondo?

Isabel Garcia: Për mua s’ka qenë asnjëherë diçka e veçantë e dhëna se jam Seconda. Por gjithëherë kam pasur qartësi personale për faktin që kam prejardhje të huaj dhe që normalisht kam dëshira dhe nevoja tjera nga ato të zviceranëve tipikë. Megjithatë, nuk është se kam pasur përjetime negative gjatë jetës sime. Janë më shumë gjërat politike dhe jo personale ato që më nxitën të angazhohem edhe politikisht per këto çështje të rëndësishme për një Zvicër siç është sot. Në Cyrih për shembull 33% të banorëve nuk kanë shtetësi zvicerane ndërsa 60% të banorëve i kanë rrënjët nga diku jashtë Zvicrës. Dhe ky realitet pjesërisht akoma s’pranohet në shoqëri. Por, në Cyrih njerëzit kryesisht janë liberalë dhe jo konservatorë, siç ndoshta janë në vendet rurale.

Albinfo.ch Si funksionon “Secondas” në Cyrih? A është kusht që të gjithë anëtarët të jenë me sfond migracioni?

Isabel Garcia: Jo, aspak nuk është e domosdoshme. Natyrisht, shumica e anëtarëve tanë kanë prejardhje të huaj, qoftë edhe pjesërisht ose nga gjeneratat më të vjetra. Por, ideja jonë është që kjo politikë të sensibilizohet rreth kësaj çështjeje, pa marrë parasysh se cilët persona e përfaqësojnë këtë ide. Kështu, ne kemi dhe zviceranë klasikë në radhët tona që gjithashtu mbështesin idenë.

Albinfo.ch: Cilat synime politike i aspiron “Secondas”?

Isabel Garcia: Programi ynë është i qartë: Politikë transparente dhe korrekte të natyralizimit, përfshirë këtu natyralizimin automatik të gjeneratës së dytë dhe të tretë, të drejtë vote dhe të drejtë për tu zgjedhur për të huajt në rrafshin lokal, barazi dhe përfshirje të barabartë të migrantëve në shkollim dhe në profesion.

Ne jemi te organizuar si shoqatë dhe kemi anëtarësinë tonë si dhe kryesinë. Në kryesi jemi 9 veta dhe vijmë nga pothuajse të gjitha partitë, me përjashtim vetëm të SVP-së. Mënyra e re e organizimit është diçka që e kemi specifikuar në degën tonë në Cyrih, por duke qartësuar që jemi ndarë nga organizata nacionale dhe funksionojmë të pavarur.

Albinfo.ch: Më parë, “Secondo”-t në nivel të Zvicrës, janë identifikuar kryesisht me SP-në. Ndërsa me sa shohim tash, “Secondas” në Cyrih është organizatë mbipartiake. Si i përshtatni politikat tuaja si organizatë, kur dihet se secili nga anëtarët jeni kuadro të partive të ndryshme, shpesh dhe kundërshtare, politike?

Isabel Garcia: Pikërisht. Më parë kjo organizatë është njohur me persona nga radhët e SP-së, por me ardhjen time gjithçka ndryshoi. Fillova të reformoj organizatën sepse pashë potencial të madh për të vepruar jo si organizatë e varur nga një parti, por si organizatë mbipartiake. Sepse unë mendoj që temat që ne i marrim nuk jane partiake por shoqërore dhe pavarësisht donjë partie të caktuar. Mirëpo, ngaqë  në përbërje të “Seconda” jemi parti të ndryshme, përfshirë SP, Grüne, GLP, CVP dhe FDP, kemi disa regulla dhe parime se si bashkëpunojmë. Në punën tonë dhe në të gjitha diskutimet e brendshme temat janë të kufizuara, të tilla që u takojnë çështjeve të integrimit, migracionit, politikave te të huajve dhe/ose në lidhje të drëjtëpërdrejtë me migrantët, të huajt dhe grupeve të ngjashme. Nuk i tematizojmë politikat tjera, sepse ndryshe s’do të kishte bashkëpunim.

Albinfo.ch:  Cilat janë aktivitetet e deritashme të “Secondas” dhe çfarë mendoni se është arritur përmes tyre? 

Isabel Garcia: Meqë jemi të organizuar në Cyrih, edhe aktivitetet tona kufizohen këtu. Ngaqë në radhët e kryesisë sonë kemi politikanë të partive të ndryshme, në kuvendin e qytetit dhe në Kuvendin e Kantonit të Cyrihut, aktivitetet tona janë shumë konkrete, me mocione parlamentare. Rasti i fundit është një kërkeseëparlamëntare të cilën në si organizatë e kemi forcuar dhe përmes anëtarëve tanë e kemi dërguar në fraksionet parlamentare për të gjetur mbështetjen maksimale. Kërkesa ka qenë që në qytetin e Cyrihut çdo banor (me dhe pa shtetësi zvicerane) nga mosha 12 vjeçare të ketë mundësi të parashtrojë një kërkësë në lidhje me qytetin tonë. Ajo kërkesë pastaj merret parasysh nga sekretariati i cili dhe vendos nëse do të dërgohet në kuvend apo jo. Këtë iniciativë e kanë mbështetur të gjitha partitë, përveç SVP-së. Këtu dhe kemi treguar se si mund të bashkëpunohet në mënyrë mbipartiake dhe me suksese konkrete. Aktivitete tjera do të vazhdojnë, si për shembull kërkesa që çështja e personave pa letra “Sans papier” të regullohet në kantonin e Zurichut.

Albinfo.ch: Po aktivitetet aktuale në kuadër të zgjedhjeve kantonale që janë në prag?

Isabel Garcia: Si çdo herë në zgjedhje të ndryshme edhe kësaj radhe në lidhje me zgjedhjet kantonale kemi organizuar një panel me kandidatët e Qeverisë së Kantonit (Regierungsrat) për të debatuar rreth çështjeve tona që ne i tematizojmë. Gjithashtu kemi bërë me të gjithë kandidatët për Kuvendin Kantonal një anketë me 5 pyetje në lidhje me kërkesat tona. Kandidatët të cilët 4 prej gjithsej 5 pyetjeve u përgjigjen me PO dhe mbështesin idetë tona, u propozuan nga ne për t’u zgjedhur. Gjithashtu kemi punuar për një fushatë me anëtarët tanë qoftë në kryesi ose si anëtarë të thjeshtë që kandidojnë për zgjedhjet kantonale.