Integrimi
Një program i ri radiofonik për informimin e shqiptarëve mbi 55 vjeç
Emisioni i ardhshëm: Marrëveshja mbi sigurimet shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës: çfarë ndikimi për pensionistët ? Do të transmetohet këtë të shtunë, më 20 mars, nga ora 19:00. Ne do t’ju dërgojmë nesër lidhjen për të dëgjuar nga telefoni juaj. Kujdesuni për veten! Intervistë me Luljeta Hajzeraj, bashkëpunëtore e Programit Age et Migration.
Luljeta Krasniqi- Hajzeraj është pjesë e ekipit që nga krijimi i programit radiofonik “Age et Migration” të organizatës EPER (HEKS), që nga viti 2012. Ajo është bashkëpunëtore e programit dhe e ngarkuar për komunitetin shqipfolës në kantonet e Gjenevës dhe Vaudit. Në një intervistë për albinfo.ch ajo shpalos ofertën e programit për të cilin punon dhe inkurajon personat mbi moshën 55-vjeçare të ndjekin këtë program, i cili përmban informacione të rëndësishme për këtë kategori.
Albinfo.ch: Fillimisht, si do ta prezantoni programin “Age et Migration” të organizatës “EPER”?
Luljeta Hajzeraj: Programi “Age et Migration” u krijua në vitin 2012. Ideja për këtë program erdhi nga nevoja për informimin e migrantëve të moshuar. Prandaj, në vitin 2012 u bë një analizë e nevojave të popullsisë së ish-Jugosllavisë dhe u konstatua se ekziston nevoja për informim të migrantëve mbi moshën 55 vjeç dhe posaçërisht mbi sistemin shoqëror dhe shëndetësor. Po ashtu, ne konstatuam se është e pranishme edhe nevoja e organizimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe rekreative, me qëllim të daljes së kësaj popullate nga izolimi. Përpos kësaj, ne u mundësuam atyre që të orientohen te ne për çështjet e tyre individuale, përmes lidhjes sonë të përhershme telefonike ose në takime të drejtpërdrejta, të përcaktuara paraprakisht.
Albinfo.ch: Çfarë roli keni në këtë program dhe prej kur jeni e angazhuar ?
Luljeta Hajzeraj: Unë kam qenë pjesë e ekipit që nga krijimi i programit, që nga viti 2012. Jam një bashkëpunëtore e programit dhe e ngarkuar për komunitetin shqipfolës në kantonet e Gjenevës dhe Vaudit.
Albinfo.ch: Prej nga ideja të realizoni emisione në radio në gjuhën shqipe?
Luljeta Hajzeraj: Duke ditur se nevoja për informacion në mesin e kësaj popullate është e madhe dhe duke marrë parasysh kohën e pandemisë, sidomos në fazën e parë të gjysmizolimit, nevoja për informim u rrit edhe më shumë. Pamundësia e organizimit të seancave informative na shtyri të mendojmë të gjejmë një mënyrë tjetër të informimit. Informimi i migrantëve të moshuar nëpërmjet Zoom-it, Skype-it nuk ishte mënyrë adekuate dhe e pëlqyer nga kjo kategori e popullatës. Kështu që radio erdhi si një alternativë për të informuar një numër më të madhe të popullatës dhe atë vetëm me një klik.
Në thelb, ideja ishte të bënim transmetime të drejtpërdrejta dhe të sigurohemi që i ftuari të mund t’u përgjigjej pyetjeve të publikut tonë drejtpërdrejt. Por, shpejt e kuptuam se teknikisht dhe brenda kohës së disponueshme ishte jashtëzakonisht e ndërlikuar. Kështu që ne zgjodhëm të duken emisionet sikur të ishin të drejtpërdrejta. I mblodhëm paraprakisht pyetjet e publikut tonë dhe e regjistruam emisionin në kushte të drejtpërdrejta. Kështu që njerëzit që marrin linkun në kohën e transmetimit kanë përshtypjen se emisioni është i drejtpërdrejtë.
Albinfo.ch: Çfarë synoni të arrini me këto transmetime në radio dhe sa do të zgjasë projekti?
Luljeta Hajzeraj: Ne morëm mbështetje financiare për një fazë 4-mujore për të testuar nëse radio është mjeti i duhur për informim. Qëllimi është të arrijmë për të prekur sa më shumë njerëz nga publiku ynë dhe t’i informojmë ata lidhur me temat më të rëndësishme që i përkasin këtyre momenteve, si p.sh.: Të drejtat në punë gjatë pandemisë; Marrëveshja mbi sigurimet shoqërore në mes të Kosovës dhe Zvicrës dhe mundësia e lëshimit definitiv të Zvicrës me të drejtë pensioni; Efekti i migrimit në mirëqenien psiko-sociale (me një dëshmitar-migrant i viteve të 90); Efekti i pandemisë COVID-19 në shëndetin tonë mendor.
Albinfo.ch: Në çfarë terminesh mund të ndiqen drejtpërdrejt emisionet tuaja në radio?
Luljeta Hajzeraj: Ne gjithsej në gjuhën shqipe do t’i transmetojmë katër emisione, ndërsa në fund do të jetë edhe një emision në gjuhën frenge.
Emisioni i parë mbi të drejtat në punë është transmetuar më 13 mars, në orën 19:00, i cili mund të ridëgjohet në faqen tonë të internetit: https://www.eper.ch/emission-info-55
Emisionet në vijim mund të dëgjohen çdo të shtunë, me fillim nga ora 19:00 dhe vetëm me një klikim në linkun, të cilin e dërgojmë paraprakisht një ditë më parë.
Albinfo.ch: Ku ndjehet Luljeta më mirë, në radio apo në telefon, duke dhënë këshilla për shqiptarët e Zvicrës?
Luljeta Hajzeraj: Unë ndihem mirë aty ku mund të jem e dobishme në dhënien e informatave dhe kur u dal në ndihmë personave që orientohen tek unë.
Radio është një mënyrë për të informuar publikun tonë për një temë konkrete, duke i marrë parasysh pyetjet e tyre të mbledhura paraprakisht. Ky mjet na mundëson të informojmë një grup më të gjerë. Përkundër kësaj, dhënia e këshillave nëpërmes telefonit mbetet mënyra e duhur për shqyrtimin e pyetjeve të tyre personale.
Unë mbetem në dispozicionin e tyre në numrin e telefonit: 077 498 35 70, qoftë në email adresën [email protected].
Albinfo.ch: Cila është e bukura dhe e vështira e të qenët moderatore e radios?
Luljeta Hajzeraj: Para së gjithash, anëtarët e ekipit tonë nuk janë moderatorë të radios, radio është bërë vetëm një mjet alternativ gjatë COVID-it, dhe për këtë ne kemi ndjekur një trajnim të vogël njëditor, e që mundohemi të bëjmë më të mirën për të transmetuar informacionin. Programi ynë nuk e ka ndërmend të shndërrohet në radio, por momentalisht mbetet mjet adekuat për informim.
E bukura është transmetimi i informatës, ndërsa vështirësia është distanca fizike me palën.
Kush është Luljeta Hajzeraj?
Unë jam Luljeta Krasniqi Hajzeraj, nga Prishtina, me profesion juriste. Kam punuar më se dymbëdhjetë vjet në Prishtinë, si udhëheqëse e sektorit juridik të një ndërmarrjeje publike dhe njëherësh si përfaqësuese e asaj ndërmarrjeje në gjykatat përkatëse. Në Zvicër punoj që nga themelimi i këtij programi, që nga viti 2012, si bashkëpunëtore e programit në kantonin e Vaudit dhe të Gjenevës. Qëllimi im gjithmonë ka qenë dhe mbetet që sa më shumë të informoj dhe të ndihmoj publikun tonë, për të cilin jam e angazhuar, mbi të drejtat nga sigurimet shoqërore dhe sanitare.
Luljeta Krasniqi Hajzeraj, bashkëpunëtore e programit Age et Migration, EPER.
Tel. 077 498 35 70
e-mail adresa [email protected]
Foto: Julie Lovrens&Julien Laufer
Emisioni i ardhshëm: Marrëveshja mbi sigurimet shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës: çfarë ndikimi për pensionistët ? Do të transmetohet këtë të shtunë, më 20 mars, nga ora 19:00. Ne do t’ju dërgojmë nesër lidhjen për të dëgjuar nga telefoni juaj.
Kujdesuni për veten!
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriLuljeta Hajzeraj
- Prejardhja:Prishtinë
- Vendi ku vepron:Gjenevë
- Profesioni:Juriste
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane