E-Diaspora

Një organizim model i Festës së Pavarësisë së Kosovës

Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih, ka prezantuar një program të larmishëm dhe të bukur festiv për nder të 17 Shkurtit

 

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Të shtunën në Schlieren, u mbajt manifestimi kulturor festiv për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Këtë manifestim e organizoi Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih. Në emër të kësaj Qendre, të pranishmit i përshëndeti drejtoresha e Qendrës znj. Shukrie Ramadani e cila hapi këtë manifestim duke u uruar të gjithëve festën e 17 Shkurtit.

Kjo mbrëmje festive ishte e organizuar mjaft mirë. Kishte një balanc në mes të muzikës folklorike dhe zhanreve të tjera ndërsa prania e këngëtares së njohur të xhazit, Elina Duni përbënte gjithsesi  vlerën e shtuar të programit artistik të mbrëmjes.

Sigurisht, edhe salla ishte e mbushur përplot me bashkatdhetarë, të cilët kishin ardhur të festojnë dhe njëkohësisht të përkujtojnë të gjithë ata që kontribuan për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

„Në emër të Minsitrisë së Diasporës, më lejoni të ju uroj për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtin. Siç e dini, në këtë datë Kosova ka shpallur ditën e Pavarësisë, pas shumë përpjekjeve me vite, dekada dhe shekuj, duke kontribuar gjeneratë pas gjenerate deri në shpalljen e Pavarësisë. Për këtë ditë merita të mëdha ka edhe kontributi i Diasporës që është shumë i çmueshëm dhe i pazëvendësueshëm“ kështu ka thënë veç tjerash zv. Ministri në Ministrinë e Diasporës në Kosovë, Sahit Krasniqi, duke iu drejtuar të pranishmëve.

I pranishëm ishte edhe Ilir Gjoni, Ambasador i Shqipërisë në Zvicër. Ai në fjalimin te tij, përshëndeti edhe shtetin e Zvicrës dhe falënderoi për ndihmën që i ka bërë Kosovës në kohën e luftës dhe pas saj.

„Gjithmonë ne i ndajmë bashkë si gëzimet, po ashtu edhe hidhërimet, por sot është një ditë e veçuar, një ditë kur ne festojmë përvjetorin e vërtetë të Pavarësisë së Kosovës. Kjo është një ditë e shënuar për popullin shqiptar, për popullin e Kosovës, por kjo është një ditë e shënuar edhe për komunitetin ndërkombëtar. E gjithë bota demokratike dhe e civilizuar ndërhyri për të ndihmuar popullin në Kosovë, dhe ky është një rast që ne të shprehim mirënjohjen aleatëve tanë. Është një moment për të falënderuar edhe popullin zviceran, i cili është mikpritës i një diaspore kaq të gjerë të shqiptarëve“ tha z. Gjoni Ambasador i Shqipërisë.

Derisa moderatorët Ramadan Morina dhe Arbnore Mehmeti dilnin në skenë për t`i njoftuar të pranishmit me pikën tjetër të programit, ata ftuan Mustafë Xhemailin që të marrë fjalën si ushtrues detyre i Ambasadorit të Kosovës në Zvicër.

z Xhemaili në fjalën e vet veç tjerash tha se 17 shkurti është ditë e të gjithë shqiptarëve sepse të gjithë shqiptarët e kanë sjellë këtë ditë, që është ditë historike e shtetit të Kosovës. „17 shkurti ka hyrë dhe do të mbetet në histori si dita e formimit të shtetit të Kosovës. Si datë e tillë nuk ka ardhur rastësisht. Ajo ditë ka ardhur me sakrifica të mëdha, të gjeneratave të tëra, të cilët kanë dhënë gjithçka nga vetja, madje edhe jetën e tyre. Është ditë e cila duhet të festohet, është ditë e cila duhet të përkujtohet për të gjithë ata të cilët kanë rënë, për lirinë e kosovës”, tha veç tjerash Mustafë Xhemaili ushtrues detyre i Ambasadorit të Kosovës në Zvicër.

„Unë jam krenar, që në Zvicër jetojnë shqiptarët“ tha në shqipe konsulli i nderit i Shqipërise në Zvicër, Edwin Rüegg, duke ngjallur kureshtjen e publikut. Të gjithë duartrokitën, dhe dëgjuan me vëmendje pjesën tjetër të fjalimit që e tha në gjuhën gjermane. „Unë jam krenar që në Zvicër jetojnë Shqiptarët. Unë ju dua juve, e dua kulturën e juaj, e dua zemrën e juaj dhe ne zviceranët duhet të jemi krenarë që ne bashkpunojmë me ju dhe që na pritni me kaq ngrohtësi. Ditën kur u shpall Pavarësia e Kosovës  kam qenë në këtë skenë këtu ku jam, dhe ka qenë gëzim i madh“ tha Edwin Rüegg konsull nderi i Republikës së Shqipërisë.

E kur fjalimeve në skenë u erdhi fundi, tashmë ishte koha për programin artistik. Natyrisht programi filloi me të madhen Elina Duni, e cila i dha kuptim të plotë festës me muzikën e saj të veçantë, që dallohet për nga stili edhe në Zvicër. Elina performoi „Live“ dhe u prit shumë mirë nga publiku.

Përveç këngëve të Elina Dunit programi përmbante edhe valle nga shoqëritë e ndryshme të vallëzimit, si SHKA “Rilindja“, „Kërçova“, Ansambli “Vatra“, Shoqata “Plisat“.  Me instrumentale u paraqitën Analise Schneller (flaut) dhe vogëlushja Eliza Pintolli (violinë). Kurse për fund me këngë Live performuan vëllëzërit Zejnullahu.

Krejt në fund nga një buqetë lulesh ju dhurua humanistes së madhe, mikes së shquar të shqiptarëve Analise Schneller, Elina Dunit, Yllza Zuzakut dhe Eliza Pintollit. Manifestimi zgjati pak më shumë se dy orë, dhe të pranishmit ishin mjaft të kënaqur me organizimin që kishte sjellë freski në krahasim me manifestimet e kaluara.

Sido që të jetë, dita e pavarësisë së Kosovës 17 shkurti dhe dita e pavarësisë së Shqipërisë 28 Nëntori janë festat të cilat mërgata shqiptare në Zvicër por edhe më gjerë nuk i ka lënë asnjëherë anash, bile këto dy festa zgjasin edhe me javë të tëra duke u festuar nga shoqata, shkolla dhe organizime të ndryshme.