Shkurt.ch

Një mrekulli e ka shpëtuar 4 vjeçarin nga vdekja e sigurt

"Është një mrekulli që nipit tim nuk i ka ndodhur asgjë”, thotë gjyshja e vogëlushit 4 vjeçar, Marlon S. të goditur nga treni

Në mëngjesin e djeshëm , me veturën të cilën e ngiste e ëma, po udhëtonin nga lokaliteti la Punt drejt St. Moritz-it ku banon familja.

Papritur , makinës i del në rrugë një kaproll. Ngasësja e makinës nuk mundi t`i ikte ndeshjes kështu që e godet kaprollin. Por nga fuqia e goditjes, makina rrotullohet dhe rrëshqet për disa metra duke u ndalur pikërisht mbi binarët e trenit. Për të qenë fatkeqësia më e madhe, derisa nëna doli nga makina, treni po vinte pikërisht në ato me shpejtësi drejt vendit ku makina ishte përmbysur.

“Ajo vrapoi për të sinjalizuar trenin të ndalonte”, tregon një dëshmitar. Makinisti shkeli menjëherë frenat, por tashmë ishte vonë: treni vazhdoi rrugën e tij duke shtypur makinën, ndërsa gruaja në çastin e fundit mundi t`i ikte goditjes nga ai. Dhe, gjatë kësaj kohe ajo u desh të shihte se si treni po e shtypte makinën ku ndodhej vogëlushi i saj.

Përplasja e trenit me makinën ishte aq e fuqishme sa që e nxori lokomotivën nga binarët. Por, ajo që panë dëshmitarët kur u afruan te makina tërësisht e shkatërruar, kufizohej me një mrekulli: Marloni 4 vjeç ishte jo vetëm ende gjallë, por shëndosh e mirë! Ai kishte pësuar  vetëm pak gërvishtje. Ai mundi të mbijetojë nga kjo katrahurë për faktin se ishte i ulur mbrapa, në karrigen për fëmijë, vend ky i vetëm i makinës që kishte mbetur pjesërisht i padëmtuar.