Gjuha

Një mesazh nga mësuesja e shqipes në mërgim, Mimoza Qarreti-Elshani

Në ngulimet shqiptare në Zvicër «Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë «Naim Frashëri» prej tri dekadash ka formuar rrjetin e shkollave të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Shkolla të mësimit plotësues të gjuhës shqipe ka në shumë kantone të Zvicrës.

Synimi i këtyre shkollave është që brezi i ri shqiptar të zotërojë mirë gjuhën amtare në të folur, të lexuar, të shkruar, të njohë në vija të përgjithshme letërsinë shqipe, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë, Kosovës e mbarë trojeve kombëtare, pasurinë shpirtërore e kulturore të trashëguar brez pas brezi.

Funksionimi dhe efektiviteti i këtyre shkollave merr një rëndësi të madhe për shqiptarët e diasporës, krahas integrimit në shoqërinë pritëse, ata do të ruajnë dhe identitetin kombëtar për mes gjuhës shqipe.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor biseduam me Mimoza Qarreti-Elshani, mësuese e gjuhës shqipe për fëmijët mërgimtarë në Llugano të Zvicrës.

Mimoza, ku i ka themelet e të parëve?

Unë kam lindur dhe rritur në Kosovë, kam përfunduar studimet në shkallën Master në gjeografi. Prej disa vjetësh jetoj dhe punoj në Zvicër.

Në ç‘ vend mbahet mësimi shqip dhe a mendoni se prindërit po bëjnë ç‘ mos që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën amtare shqipe?

Mësimi mbahet nê Scuola Media në Massagno dhe në Scuola media 1 në Bellinzona.

Fatkeqësisht jo të gjithë prindërit e kuptojnë që zotërimi i gjuhës shqipe është i rëndësishëm për fëmijët e tyre.

Kam rastisur në prindër, për të cilët të folurit pastër shqip nuk është aq i rëndësishëm, edhe nëse fëmijët e tyre nuk dinë ta dallojnë gjininë mashkullore dhe femërore ka pak rëndësi. Për disa prej tyre ka rëndësi që fëmijët e tyre të dinë mjaftueshëm vetëm të folurit në gjuhën shqipe, duke mos llogaritur shprehitë e tjera, siç është të shkruarit dhe të lexuarit.

Fatmirësisht ka edhe të tillë të cilët bëjnë sakrifica dhe i mbështesin fëmijët e tyre.

Aktualisht kam të bëj me prindër të mrekullueshëm dhe nxënës të shkëlqyer.

Si e përjetuat ditën e parë të mësimit shqip? Cila është e veçanta e kësaj dite?

Është ndjenjë, të cilën nuk mund ta përshkruaj me fjalë, por thjesht mund të them shumë e gëzuar dhe e plotësuar.

Unë jap mësim dhe në shkollat zvicerane dhe pothuajse gjithmonë kam takuar nxënës me origjinë shqiptare. Pyetja e parë, e cila më është bërë ka qenë: profesoreshë, a mund të bisedoni në gjuhën shqipe dhe të na tregoni diçka për vendin tonë?

Unë e lumtur u tregoja shumë gjëra për atdheun tonë, dhe në ndërkohë që po bisedoja e mendoja: një ditë do të mësoj nxënësit shqiptarë, dhe fatmirësisht kjo ëndërr më është realizuar, prandaj jam e lumtur që tani e kam mundësinë të ua mësoj fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë gjuhën e ëmbël shqipe.

Cilat janë sfidat e shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Lugano?

Shkolla jonë ka sfida të ndryshme, por me vullnetin dhe dëshirën, jemi duke korrur sukses.

Numri i nxënëseve dukshëm është rritur, por për hir të korrektësisë, duhet cekur që nuk kemi mbështetje financiare nga institucionet shtetërore, dhe kjo është një ndër sfidat me të cilat jemi duke u ballafaquar.

Çfarë do t’i porositni prindërit shqiptarë?

Prindërit të përpiqen që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkollën shqipe, se shkolla për ta është hapur, për ta ruajtur dhe trashëguar gjuhën, vendi i duhur është sidomos shkolla. Mbi të gjitha mësimin e gjuhës shqipe e ka detyrim kombëtar çdo fëmijë shqiptar.

Gjenevë 19. 09.2023

Nexhmije Mehmetaj

Albinfo.ch