Integrimi
Një mërgatë e re shqiptare në Zvicër
Ata po e bëjnë këtu mërgimin e dytë: Kanë ardhur nga Italia, Greqia etj. për të kërkuar fatin në Zvicër. Kush janë ata? albinfo.ch ia ka kushtuar këtë numër të revistës këtyre mërgimtarëve
Ka disa vjet që mërgatës tashmë “tradicionale” shqiptare në Zvicër, asaj që këtu ka ardhur drejtpërdrejt nga Kosova, Maqedonia dhe (më pak) nga Shqipëria, po i bashkohet edhe një mërgatë e re. Fjala është për një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve, të cilët në Zvicër vijnë nga shtetet tjera të BE-së, ku ata jetonin prej vitesh. Me stabilizimin e tyre në ato shtete, respektivisht duke u bërë shtetas të vendeve të tilla si Gjermania, Italia, Austria, Franca apo Greqia, këta evropianë të rinj fituan të drejtën për të qenë pjesë e tregut zviceran të punës. Ky treg, për shkak të kushteve që ofron, është bërë prej kohësh një magnet jo vetëm për ekspertë nga shtetet e BE-së, por edhe për punëtorë të të gjitha profileve. Prandaj, në këto ardhje bëjnë pjesë edhe shqiptarët, njëherë të mërguar në vendet e përmendura.
Shqiptarët e Greqisë, një fenomen i ri në Zvicër
Nga Italia, Gjermania e Austria e Franca, si shtete fqinje me Zvicrën, “rrjedhjet” e shqiptarëve që jetonin në këto vende janë pak më të hershme dhe të stabilizuara. Ndërsa aktualisht përbën risi sidomos ardhja në Zvicër e shqiptarëve nga Greqia. Ata, të emigruar nga Shqipëria, pasi kanë bërë pothuaj një jetë prej mërgimtari në tokën e helenëve, ku dhe janë natyralizuar, kanë ndarë mendjen të marrin edhe njëherë rrugën e gurbetit. Kësaj here në Zvicër, në vendin që ofron më shumë, nga çdo aspekt.
Me qëllimin që të zbulojë më shumë këtë shtresë të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, albinfo.ch ia ka kushtuar këtë numër të revistës pikërisht këtyre mërgimtarëve. Kështu, gazetarët tanë kanë gjetur dhe prezantuar një numër familjesh, individësh dhe biznesesh nga ky komunitet. Ata, në rrëfimet e tyre shpalosin histori mërgimi të dyfishtë: nga Shqipëria, Kosova a Maqedonia në Greqi ose Itali dhe nga atje, në Zvicër. Rrëfejnë për motivet që i kanë shtyrë të bëjnë këtë lëvizje, për ambientimin e tyre në vendin e ri, për dallimet në mes të dy vendeve etj.
Cilat janë rregullat që mundësojnë vendosjen e shtetasve të BE-së në Zvicër
Por cilat janë kornizat ligjore që kanë mundësuar krijimin e një shtrese të tillë të re të shiptarëve në Zvicër? Teksti në vijim përpiqet të sjellë më shumë dritë rreth këtij aspekti.
Shtetasit e vendeve të EU-EFTA përfitojnë nga Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2002 në mes të Zvicrës dhe vendeve anëtare. Që nga ajo kohë, marrëveshja në fjalë ka pasur disa aktualizime. Mbi bazë të saj, qytetarët përkatës kanë të drejtë të vinë në Zvicër, të vendosen këtu, të kërkojnë punë ose të themelojnë ndonjë biznes të pavarur. Vetëm migrimi i shtetasve të Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë i është nënshtruar kontingjenteve, dmth ata nuk i kanë pasur të drejtat e barabarta me shtetasit e vendeve të tjera të BE-së. Por, nga 1 qershori 2019 bullgarët dhe rumunët barazohen me gjithë BE/EFTA ndërsa për kroatët, si shtetas të shtetit më të ri anëtar të BE-së, vazhdon të vlejë “Klauzola ventil” ose rregullimi i migrimit me koningjente.
Në kuadër të aktualizimeve të përmendura, pozita e të huajve nga shtetet e BE-së dhe EFTA-s në tregun zviceran të punës është tashmë pothuaj e barabartë me atë të shtetasve zviceranë. Ndërsa, duke pasur parasysh favoret që i ofron punësimi dhe qëndrimi në Zvicër, shtetasit e vendeve të BE-së i kanë shfrytëzuar me të madhe këto mundësi. Kështu, prania e tyre e madhe, sidomos në zonat kufitare, ka qenë shpesh temë e polemikave në mes të forcave politike zvicerane dhe shkas për protesta të izoluara të popullatës këndej kufirit. Kjo e fundit vlen sidomos për zonën jugore, Kantonin italishtfolës, Ticino, ku është protestuar se “Frontalieri”, siç quhen punëtorët nga ana tjetër e kufirit, po “ua marrin punën” zviceranëve në vendin e tyre.
Ndryshe, statistikat tregojnë se në vitet e fundit ka një rënie të fluksit të shtetasve të BE-së drejt Zvicrës, në krahasim me kulmin që ky fluks e kishte arritur rreth vitit 2010. Por, me gjithë rënien relative, këta të huaj vazhdojnë të bëjnë numrin më të madh të të huajve me qëndrim dhe punë në Zvicër. Kështu, në fund të marsit të vitit 2019 ose në tremujorin e parë të këtij viti, në Zvicër kanë jetuar gjithsej 2’090’669 banorë me pasaportë të huaj. Prej tyre 1 milion e 429482 kanë qenë shtetas të zonës BE/EFTA ndërsa 661.187 nga vendet e treta.
Përqindjen dhe numrin më të madh ashtu sikurse prej kohësh, e përbëjnë shtetasit e Italisë, me 322 mijë 888 ose 15.4%. Pas tyre vijnë në radhë gjermanët me 308 mijë e 736 ose 14.8% ndërsa në vendin e tretë portugezët me 265 mijë e 621 veta ose 12.7% dhe francezët me 136.519. Ndërsa sa u përket të huajve që nuk janë nga zona BE/EFTA, prijnë shtetasit e Kosovës, me 113.482 veta ose 5.2%.
Viza G (të huajt në zonat kufitare)
Të huajt me vendbanim në shtetet fqinje, të cilët punojnë në ndonjërën nga zonat kufitare të Zvicrës mund të pajisen me një kartë identiteti G (G-Ausweis). Shtetasit e BE(EFTA të cilët duan që të banojnë dhe punojnë në Zvicër më gjatë se tre muaj, janë të detyruar që brenda 14 ditëve pas ardhjes të paraqiten në komunën ku banojnë. Paraqitja duhet të bëhet para fillimit të punës. Për shtetasit e EU17 (anëtareve “të vjetra të BE-së) dhe të EFTA nuk vlejnë më zonat kufitare. Të gjithë njerëzit nga zona kufitare që punojnë në Zvicër duhet që së paku njëherë në javë të kthehen në vendin e tyre të prejardhjes.
Viza L: Leja e qëndrimit të shkurtë
Kohëzgjatja e kësaj leje të qëndrimit varet nga kontrata e punës që ka i huaji, por të shumtën e rasteve fjala është për 3 deri 12 muaj. Një dokument identiteti L e marrin personat që kanë një marrëdhënie pune e cila nuk zgjat më shumë se një vit. Edhe personat që janë në kërkim aktiv të punës, pas tre muajsh qëndrimi në Zvicër marrin një leje L, e cila vlen më së gjati 12 muaj. Viza L mund të vazhdohet pas një viti. Ata që kanë këtë vizë mund ta ndërrojnë lirisht vdenbanimin dhe vendin e punës. Shtetasit e BE/EFTA mund të qëndrojnë në Zvicër me qëllim kërkimi të punës deri në tre muaj. Për këtë, mjafton paraqitja. Por, nëse kërkimi i punës zgjat më shumë, ata duhet të paraqiten dhe regjistrohen në komunën ku banojnë dhe të aplikojnë për një leje të rregullt qëndrimi në Zvicër.
Shtetasit e shteteve “të vjetra” anëtare të BE/EFTA (EU17) të cilët për një kohë më të shkurtë se tre muaj duan të kryejnë një veprimtari të pavarur biznesi në Zvicër ose që janë dërguar në këtë vend nga njëri prej shteteve të EU17, nuk kanë nevojë për leje të posaçme. Por edhe për ata ekziston detyrimi për t’u paraqitur. Regjistrimin mund ta bëjnë online, ndërsa paraqitja duhet të bëhet para fillimit të punës.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora 107,158 votues nga diaspora kanë aplikuar për votim në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të...
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Historia 40 vjeçare e vinjetës së autostradës Zvicra ishte vendi i parë në Evropë që prezantoi këtë lloj pagese për financimin e autostradave....
-
Presidentja e re e Zvicrës në 2025
-
Migros viktimë e kriminelëve kibernetikë që ua keqpërdorin logon
-
Si do të ndikojnë te qytetarët ndryshimet në ekonominë zvicerane në vitin 2025?
-
Ҫfarë mund të prisni në Zvicër në vitin 2025?