Gjuha

Një libër si kurorëzim i punës në 60 vjetorin e lindjes së gazetarit

Promovimin e librit “Në rrugën e lirisë” të gazetarit Ismet Rashiti, me praninë e tyre e nderuan edhe ambasadori i Shqipërisë Ilir Gjoni dhe ambasadorja e Kosovës Nazane Breca

Nuk ndodh shpesh që në një promovim libri të marrin pjesë dy ambasadorë shtetesh. Pikërisht kjo ndodhi në promovimin e librit “Në rrugën e lirisë” të gazetarit Ismet Rashiti, të cilin me praninë e tyre e kishin  nderuar ambasadori i Shqipërisë në Bernë Ilir Gjoni dhe ambasadorja e Kosovës Nazane Breca.  Po ashtu e pranishme ishte edhe drejtoresha e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani.

Në këtë aktivitet që u zhvillua të shtunën e kaluar në Bernë morën pjesë shumë bashkëveprimtarë të autorit, përfaqësues shoqatash shqiptare në Zvicër etj.

Me një fjalë të hyrjeje u paraqit redaktori i librit, Rrahim Sadiku ndërsa piktori dhe publicisti Gani Bytyçi foli për përshtypjet nga libri dhe kontekstin kohor e hapësinor mbi të cilin ngrihet ky libër. Ndërsa vet autori Ismet Rashiti i cili këtë promovim po e bënte edhe në 60 vjetorin e lindjes, iu drejtua publikut me një fjalë të gjerë rasti. “Gjatë gjithë këtyre viteve, unë kam qenë vetëm një pikë ujë në këtë oqean të madh përpjekjesh e sakrificash të popullit tim ndër vite. Me këtë rast nuk mund t’mos përulem para veprës së pavdekshme të ideologëve të lëvizjes kombëtare shqiptare, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla të cilët qysh në vitin 1981 vunë gurthemelin e organizimit të pavarur të mërgatës nga ish ambasadat jugosllave”, ka thënë veç tjerash Rashiti në fjalën e tij të përshëndetjes.

Ai ka falënderuar të gjitha subjektet dhe asociacionet shqiptare që kanë vepruar në Zvicër gjatë këtyre më shumë se tri dekadave, për bashkëpunim të sinqertë dhe për ofrim të ndihmës në kryerjen e punës së tij profesionale prej gazetari. Ndërkaq ka përmendur se vetëm në televizionin shqiptar gjatë viteve të nëntëdhjeta ka realizuar mbi 500 paraqitje pa asnjë kompensim material. Këtë përkushtim, në media tjera Ismeti e ka vazhduar edhe pas luftës e deri më tash.

Ndërkaq, me këtë rast ai ka bërë të ditur se me mbushjen e 60 vjetëve jetë, ka vendosur të braktisë profesionin e gazetarit dhe t`i përkushtohet punës krijuese.

Redaktori i librit, Rrahim Sadiku ka vënë në pah në fjalën e tij të lexuar me këtë rast se  “nëpër të gjitha faqet e këtij libri mjaft voluminoz, mbushur shkrime e fotografi, e shohim jetën e Ismet Rashitit, që nga rinia e hershme e deri në ditët e sotme. Dhe e gjejmë kudo, në secilën fjalë e në secilën pamje, tek qëndron vertikalisht, përkushtueshëm dhe efektshëm në veprimtarinë që e nisi dhe e vazhdoi pa u ndalur: në rrugën e madhe të luftës së madhe e krenare, për atdhe, komb e liri”.

Promovimin e përshëndeti edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni, i cili evokoi kohën kur gazetari Rashiti raportonte në Televizionin Shqiptar për aktivitetet e diasporës shqiptare në Zvicër e më gjerë. Ndërsa bashkëveprimtarja e tij nga koha e LPK-së, Saime Isufi foli për bashkëpunimin e saj dhe të Kadri Zekës me autorin e librit, në organizimin e protestave dhe aktiviteteve tjera në vitet `80 të shekullit të kaluar.

Për kontributin e autorit Rashiti si gazetar dhe si veprimtar i çështjes kombëtare e humanitare, atë me këtë rast e nderuan me mirënjohje disa shoqata. Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza” nga Lucerni e nderoi Ismet Rashitin me “Medaljonin e Shën Terezës”.

Në pauzat në mes të fjalëve rreth librit, dy aktorë, Adam Kica dhe Dori Elezi kanë deklamuar poezi të autorit dhe pjesë në prozë, nga libri i promovuar. Moderimin e promovimit e ka bërë veprimtari Nazmi Jakurti.