Kosova

Një libër në superlativ për Hashim Thaçin ngjallë debate në Kosovë

Libri me 320 faqe botohet nga “Biteback Publishing” dhe pritet të dalë në shitje më 16 janar, ndërsa thuhet se nxjerr Hashim Thaçi njeriun kyç të luftës së fundit

Një libër që është shkruar nga dy gazetarë britanikë për presidentin e Kosovës dhe njëherësh ish drejtorin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçin ka ngjallur reagime në Kosovë e rajon. Debati për këtë libër e kanë detyruar edhe Presidencën kosovare që ta mohojë se ka sponsoruar librin biografik për Thaçin.

Libri mban titullin “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography” dhe është shkruar nga Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Roger Boyes është gazetar britanik dhe redaktor diplomatik i gazetës “Times”, i cili ka eksperiencë në shkrimin e biografive politike, ndërsa Suzy Jagger është zëvendësredaktore në të njëjtën gazetë, shkruan RTK.

Libri me 320 faqe botohet nga “Biteback Publishing” dhe pritet të dalë në shitje më 16 janar, ndërsa thuhet se nxjerr Hashim Thaçi njeriun kyç të luftës së fundit.

Presidenti, siç thuhet, i rrezikuar edhe vetë nga Gjykata Speciale, deklaroi një ditë më parë se nuk ka ndryshuar mendim sa i përket kësaj lëvizjeje, të cilën e cilëson një padrejtësi historike ndaj Kosovës dhe UÇK-së. Ai vetë e pranoi formimin e Gjykatës Speciale para dy vitesh, por tani thotë se kjo ka ardhur si pasojë e detyrimit të bashkësisë ndërkombëtare për marrjen e masave drastike ndaj vendit.

Për Presidentin, nisma e deputetëve që kërkojnë shfuqizimin e ligjit të Gjykatës Speciale nuk është kërkesë për të sfiduar gjykatën, por një alternativë, sikurse ka ndodhur edhe në vende të tjera të ish-Jugosllavisë si Kroacia, Bosnja dhe Serbia.  Thaçi shtoi sidoqoftë se për çdo vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, do ta përmbushë detyrimin e tij dhe do të firmosë, raportojnë mes tjerash mediat.

Edhe sot, Hashim Thaçi tha se Gjykata ishte imponim i cili tërthorazi do t’i shpaguhet Kosovës me integrim, avancim, njohje dhe fuqizim ndërkombëtar. Ai tha se Kosova kreu detyrën e vet, por jo edhe bashkësia ndërkombëtare. Prandaj Thaçi tha se ideja e ligjvënësve kosovarë për ta zhbërë Gjykatën Speciale është demokratike.