Lajme

Një kurd i vë zjarrin vetes para UNHCR-së në Gjenevë

Ai është dërguar me helikopter në Spitalin Universitar të Lozanës, ku po trajtohet në repartin e specializuar për viktima të djegies

Një burrë 31-vjeçar është lyer me benzinë dhe i ka vënë zjarrin vetes para godinës së Komisariatit për refugjatë në kuadër të OKB-së (UNHCR) në Gjenevë. Kjo ka ndodhur në mëngjesin e sotëm, shkruajnë mediat zvicerane.

Personi në fjalë është një kurd nga Siria, me banim në Gjermani, ka bërë të ditur për 20minutes një zëdhënës i policisë së Gjenevës.

Forcat e sigurisë të godinës së UNHCR-së i kanë dalë në ndihmë menjëherë kurdit, duke ia shuar zjarrin në një kohë të shkurtër, transmeton albinfo.ch. Pastaj ai është dërguar me helikopter në Spitalin Universitar të Lozanës, ku po trajtohet në repartin e specializuar për viktima të djegies.

UNHCR është shprehur e prekur thellësisht me rastin.

Sipas zëdhënësit të policisë, në momentin e zjarrvënies që ka ndodhur rreth orës 7 e 40, kishte mjaft njerëz rrugëve. “Shumë nga ta kanë pësuar tronditje dhe tani u është ofruar përkujdesja psikologjike”.

Kurdët gjatë javëve të fundit kanë zhvilluar shumë manifestime proteste në qytetet si Bernë, Cyrih, Lucern, Gjenevë etj. kundër ofensivës ushtarake të Turqisë në Sirinë veriore.