Uncategorized

Një kosovar i vrarë në spitalin e burgut, dyshohet për vrasje i burgosuri turk

Mbështetur në rrethanat në të cilat është gjetur i vrari, dyshimet për vrasje shkojnë te personi me të cilin ai ndante dhomën, një i burgosur tjetër, 33 vjeç, me prejardhje turke

Në mbrëmjen e të hënës, rreth orës 21.15 policia është njoftuar se në një klinikë specialistike në Weinsberg është gjetur një person i pajetë. Sipas hetimeve të para, bëhet fjalë për një person me shtetësi kosovare, rreth të gjashtëdhjetave, i cili ndodhej në klinikë si i burgosur. Rianimacioni i bërë doli i pasuksesshëm.

Në kufomën e kosovarit kishte shumë plagë në regjionin e kokës. Mbështetur në rrethanat në të cilat është gjetur i vrari,  dyshimet për  vrasje shkojnë te personi me të cilin ai ndante dhomën, një i burgosur tjetër, 33 vjeç, me prejardhje turke.

Motivi dhe rrethanat e krimit janë ende të panjohura. Personi i vrarë po mbahej prej rreth një viti në burg dhe në izolim për një krim të kryer kapital. Ndërsa i dyshuari si vrasës, ishte po ashtu i burgosur për një numër deliktesh të ndryshme, i cili ishte vendosur në klinikë me vendimin e gjykatës. Rrethanat e krimit mbeten objekt i hetimeve të mëtejshme. Është urdhëruar të bëhet edhe obduksioni i viktimës.