Gjuha

Një komunitet pa shkollë, i dënuar me asimilim

Një forumi ii mbajtur në Montreal mori në shqyrtim çështje komplekse që kanë të bëjnë me mësimdhënien, lokalin e shkollës, selinë e bashkësisë, mjetet financiare e njerëzore etj.

Nën kujdesin e Bashkësisë Shqiptare të Kebekut në Montreal, ditën e diele, më 23 qershor 2013, u mbajt një forum, që kishte për qëllim thithjen e mendimit të grupeve të ndryshme të Bashkësisë Shqiptare të Kebekut në Montreal për zgjidhjen afatgjatë të mësimdhënies së gjuhës shqipe ndër shqiptarët e vendosur në Montreal dhe rrethina.

Forumi ishte paraparë i tillë që të merrte në shqyrtim çështje komplekse që kanë të bëjnë me mësimdhënien, lokalin e shkollës, selinë e bashkësisë, mjetet financiare e njerëzore etj. Dhe masat ishin marrë që të gjithë shqiptarët të ishin prezent dhe një pjesë e mirë e tyre iu përgjigj thirrjes së organizatorëve. Sidoqoftë, e pashpjegueshme është mosardhja e disa personave që e kishin konfirmuar ardhjen…

Konkluzionet kryesore të forumit janë si vijon: Forumi dha orientimin për krijimin e një “Komisioni pedagogjik” për hartimin e plan-programit. Ky komision do të ketë në përbërje mësues të këtushëm që punojnë tashmë në komisionet shkollore provinciale, mësues që janë diplomuar në Shqipëri por edhe artistë për krijimin e programeve tërheqëse dhe frytdhënëse. Ngritja e një grupi pune që do të studiojë të gjitha variantet (vendin, qira apo blerje, kostoja, mënyra e financimit, afatet) për hapjen e shkollës shqipe dhe t’i japë orientime këshillit drejtues për të marrë masat për realizimin e rrugës më efikase.

Në këtë forum ndër të tjera u propozua që arsimtarët të paguhen me fondet e komunitetit. Pastaj që të krijohet një bankë të dhënash për mësimdhënësit, ku të përfshihen mësues të gjuhës shqipe.

Lidhur me plan-programin e shkollës u tha se duhet të mblidhet një komision i mësuesve e krijuesve apo “Komisioni pedagogjik” për hartimin e plan-programit. Komisioni do të ketë në përbërje mësues të këtushëm që punojmë tashmë në komisionet shkollore të këtushme, mësues që janë diplomuar në Shqipëri por edhe artistë për krijimin e programeve tërheqësi dhe frutdhënës. Shkolla duhet jetë interesante: dy pjesë – akademike dhe “krijuese”, që d.m.th. programi duhet të jetë cilësor, që shkolla të jetë tërheqëse. Mësimdhënia duhet t’i përshtatet metodave të shkollave të Kebekut. Loja duhet të jetë pjesë e arsimimit. Shkolla duhet të fillojë në shtator, të mbarojë në maj-qershor, e të ketë provim në fund.

Nxënësit e Kosovës kanë pasur problem t’i kuptojnë mësuesit dhe kanë mbetur prapa. Prandaj duhet siguruar mësues nga të gjitha trevat. Qeveria e Kosovës ka kërkuar mendimin e diasporës dhe tenton ta krijojë një plan-program unik për fëmijët e diasporës, u tha më tutje në forum.

Rreth financimit të shkollës u hodhën ide nëse duhet kërkuar ndihma nga qeveria shqiptare. Por, u tha se Ministria e Arsimit të Shqipërisë ka premtuar abetare, mirëpo nuk i ka dërguar.

Më tutje u tha se blerja e objektit do të ishte ideale, mirëpo për momentin na duhet një lokal me qira. Ai duhet të jetë afër qendrës respektivisht pranë një metroje. Të bëhet projekti për selinë e Bashkësisë para se të mblidhen fondet për ta realizuar projektin.

Duke folur për librat që nevojiten për mësimin në gjuhën shqipe u tha se ato vijnë nga Shqipëria ndërsa Qeveria e Kosovës ka ofruar ndihma për mjetet pedagogjike

U bisedua edhe lidhur me transportimin e nxënësve. U propozua një rrjet minibusash për këtë qëllim.

Për fund, pjesëmarrësit ishin unikë rreth qëndrimeve se “Shkolla shqipe duhet të ekzistojë – një komunitet pa shkollë nuk ka kuptim. Është e rëndësishme që fëmijët ta trashëgojnë gjuhën, kulturën e identitetin shqiptar por edhe që të njihen me njëri-tjetrin. Ata duhet të mësojnë jo vetëm të flasim shqip, por ta mësojnë gramatikën dhe drejtshkrimin.

Ajet Nuro