Pas më shumë se tre vitesh negociata të gjata dhe shpeshherë të tensionuara, delegatët e vendeve anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë arritën një marrëveshje në parim për një tekst që synon të forcojë mbrojtjen globale kundër pandemive të ardhshme.
“Ne kemi një marrëveshje në parim. Tani është koha që kryeqytetet të japin fjalën e tyre përfundimtare,” deklaroi Anne-Claire Amprou, bashkëkryetare e trupit negociator dhe ambasadore franceze për shëndetin global. Delegatët pritet të mblidhen sërish më 15 prill në Gjenevë për të përpunuar detajet dhe për të dhënë miratimin final, transmeton albinfo.ch.
Teksti do të kalojë në sitën përfundimtare gjatë Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, e cila mbahet në maj, ku të gjitha shtetet anëtare të OBSH-së duhet të japin miratimin e tyre.
Atmosfera pas seancës maratonë prej 24 orësh ishte e mbushur me emocion: duartrokitje, përqafime dhe ndjenja lehtësimi për një hap të madh përpara. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, që qëndroi me delegatët gjatë gjithë natës, u shpreh:
“Ky është një sinjal i fuqishëm. Ju sapo u bëtë pjesë e një kapitulli historik në përgatitjen për emergjencat globale.”
Ndër pikat më të nxehta të debatit ishte paragrafi 11 i dokumentit 30-faqësh, i cili trajton transferimin e teknologjive për prodhimin e produkteve shëndetësore, me fokus të veçantë tek vendet në zhvillim.
Shtetet e Amerikës Latine kërkuan me ngulm që ky transferim të jetë sa më i lehtë dhe i aksesueshëm – një kërkesë e mbështetur nga kujtimet e hidhura të pandemisë së Covid-19, kur vendet më të pasura grumbullonin vaksinat dhe testet, ndërsa pjesa tjetër e botës priste në radhë.
Në anën tjetër, disa vende të fuqishme, ku industria farmaceutike ka peshë të madhe ekonomike, shprehën rezerva ndaj transfertave të detyrueshme, duke insistuar se ato duhet të mbeten në bazë vullnetare.
Sipas burimeve diplomatike, ky ngërç është zbutur dhe një kompromis është arritur – edhe pse versioni final i tekstit ende nuk është bërë publik.